TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit zbret në fushë gjatë kësaj mesjave për të luajtur raundin e 19-të. Të mërkurën në orën 13:30 në "Adush Muça" të Ballshit luhet sfida mes Bylisit dhe Tiranës.

Bardheblutë kanë bërë shumë lëvizje gjatë kësaj merkatoje, kjo për t'iu larguar vendit të fundit në renditje që e mbajnë pas 18 ndeshjeve të këtij sezoni. Pas fitores kundër Skënderbeut në Kupë (pas 120 minutave lojë). KF Tirana kërkon të bëjë mirë edhe në kampionat.

Trajneri i 26 herë kampionëve të Shqipërisë, Ardian Nuhiu, tha sot për mediet se të tijtë duhet të kenë grintë në çdo fushë për të marrë pikët e plota, aq shumë jetike.

Ky është sezoni më i keq për Tiranën, pasi në gjysmën e parë të kampionatit siguruan vetëm një fitore, atë kundër Partizanit në derbi.

“Besoj se skuadra është e përgatitur në aspektin mental, e motivuar dhe e ndërgjegjshme për rëndësinë e kësaj ndeshje. Respekt maksimal për kundërshtarin, por skuadra ime duhet të bëjë maksimumin në çdo top dhe duhet të tregojë forcën. Ndeshja me Skënderbeun na dha moral sepse ishte i rëndësishëm kualifikimi për skuadrën tonë.

Në këto pak ditë që kishim, jemi munduar që të sjellim informacione sa më tepër për kundërshtarin. Padiskutim që skuadra është e përgatitur mirë, duhet të tregojmë disiplinë taktike, durim dhe shumë grintë në fushë sepse e dimë që është një fushë e vështirë.

3 sfidat e radhës? Kampionati është i gjatë, çdo sfidë është e rëndësishme. Pengesa të vështira, por besoj fuqishëm te grupi. Duke i marrë një nga një, nga ndeshja e nesërme. E theksova, tre ndeshje shumë të vështira, por në asnjë moment nuk do të jenë vendimtare. Padiskutim që çdo pikë është e rëndësishme për ne.

Merkato? Kemi bërë shumë lëvizje, mënyra si u vendos grupi në ndeshjen e parë më ka befasuar. Po presim për të shtuar konkurrencën sepse rruga është e gjatë. Po kërkojmë në mbrojtje dhe mesfushë, që të shtojmë konkurrencën. Grupi po zhvillohet dhe është në ngritje e sipër.

Forma? Gjendja fizike nuk është se nuk na shqetëson, por momentin që ndeshjen e parë ke luajtur 120 minuta, falë profesionalizmit të futbollistëve, mendoj që kanë qenë mirë. Jemi munduar këto 2-3 ditë të rikuperojmë energjitë dhe forcat. Po punohet edhe me Xhixhën, jam i lumtur që do jetë në këtë përbërje. Do e shohim sa mund të ndihmojë. Do të kemi kujdes me çdo futbollist, do mundohemi të freskojmë ekipin se dhe kampionati është i ngjeshur.

Ernest dhe Mysloviç? Me ato pak ditë që kishim, mbeta i kënaqur me skuadrën. Kemi hapësirë ende për t’u përmirësuar. Nga ndeshja në ndeshje, skuadra shkon duke u rritur. E rëndësishme në futboll që të njohësh bashkëlojtarin nëse duam t’i marrim gjithsecilit më të mirën.

Bylis? Një Tiranë që do tregojë respekt për kundërshtarin, por që do të respektojë më shumë potencialin dhe kualitetin që ka. Ndeshja do disiplinë taktike, grintë, luftë dhe karakter të fortë. Besoj se do e tregojmë", tha Nuhiu.

Po të mërkurën luhen edhe dy duele të tjera në orën 17:00. AF Elbasani - Flamurtari dhe Vllaznia - Egnatia.