Kryendeshja e javës së 33-të në Superligë sjell përballjen më të shumëpritur të futbollit shqiptar, derbin mes KF Tiranës dhe Partizanit, një sfidë që këtë herë vjen me peshë të jashtëzakonshme për objektivat e sezonit.

Dy skuadrat e kryeqytetit hyjnë në këtë duel me synime të ndryshme, por me të njëjtin presion për rezultat. Partizani vijon garën e fortë me Dinamon për një vend në “Final 4”, ndërsa KF Tirana lufton me Flamurtarin për të shmangur zonën e play-out-it dhe për të siguruar qëndrimin në elitë. Katër javë nga fundi i sezonit të rregullt, çdo pikë ka vlerë vendimtare.

Ndeshja në stadiumin “Air Albania” pritet të jetë një pikë kthese për të dyja ekipet, pasi një fitore mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën e sezonit. Statistikat tregojnë një duel të balancuar, ku asnjëra skuadër nuk ka dominuar plotësisht kampionatin në aspektin e kontrollit të lojës. Të dyja ekipet kanë një mesatare zotërimi topi nën 50%, ndërsa efikasiteti në fazën sulmuese mbetet një element për t’u përmirësuar.

Partizani renditet i teti për goditje drejt portës me 8,53 për ndeshje, ndërsa KF Tirana mbyll renditjen me 7,5. Në fazën mbrojtëse, të kuqtë shfaqen më të konsoliduar, duke lejuar mesatarisht 9,5 goditje në portë, ndërsa bardheblutë përballen me më shumë presion, me rreth 13 goditje të pësuara për ndeshje.

Një aspekt pozitiv për të dyja skuadrat mbetet disiplina në fushë, me një numër të ulët faullesh për ndeshje, si dhe balanca mes eksperiencës dhe rinisë. Partizani është skuadra më e re e kampionatit me një mesatare moshe 24,4 vjeç, ndërsa KF Tirana ndërthur eksperiencën me energjinë, me një mesatare prej 26,6 vjeç.

Ky do të jetë derbi i fundit i sezonit dhe një përballje që premton emocione të forta deri në minutën e fundit. Në një sfidë ku detajet bëjnë diferencën, KF Tirana dhe Partizani do të kërkojnë maksimumin për të arritur objektivat e tyre dhe për të shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e derbit të kryeqytetit.


Lajmi kryesor:

FORMACIONET/ Sot derbi numër 212-të në histori mes KF Tiranës dhe Partizanit, bardheblutë për mbijetesën! 'Demat' në garë për trofeun e kampionit