Ka diçka thellësisht të shtrembëruar në mënyrën se si drejtësia shqiptare interpreton sot konceptin e “procesit publik”. Nuk është një çështje teknike, por një nyje politike dhe demokratike që lidhet me raportin mes institucioneve dhe qytetarëve. Sepse a mund të quhet vërtet publik një proces nëse kamerat mbeten jashtë sallës?

Kodi i Procedurës Penale nuk lë hapësirë për interpretime arbitrare. Neni 339 është shumë i qartë: “Seanca gjyqësore është publike, përndryshe quhet e pavlefshme”. Nuk është një rekomandim, por një parim i detyrueshëm, shkelja e të cilit sjell madje pavlefshmërinë e procesit. Dhe neni 340 përcakton në mënyrë taksative rastet e vetme kur mund të bëhet përjashtim nga parimi i publicitetit: mbrojtja e moralit, sekretet shtetërore, siguria e dëshmitarëve, rendi i seancës, prania e të miturve ndër të pandehurit. Asnjë nga këto kushte, sot, nuk justifikon një ndalim të përgjithshëm të xhirimeve televizive.

Megjithatë, realiteti është ndryshe. SPAK dhe GJKKO vazhdojnë të pengojnë praninë e kamerave në sallë, duke zbatuar një urdhër të vjetër që daton nga periudha e Covid-it, kur ndalimi i grumbullimit të kameramanëve mund të kishte një justifikim shëndetësor. Por sot? Sot ai ndalim është kthyer në një mbetje burokratike (ose një alibi) që shkel hapur ligjin.

Paradoksi është se nuk janë vetëm gazetarët që kërkojnë të xhirojnë seancat me kamera, por vetë të pandehurit. Erion Veliaj, Ilir Meta dhe Sali Berisha (tre figura qendrore të politikës shqiptare aktualisht të pandehur) kanë kërkuar të gjithë që seancat e tyre të transmetohen live në ekrane televizive. Një kërkesë që, përtej interesave individuale, forcon një parim: drejtësia duhet të jetë e dukshme dhe transparente.

Mohimi i xhirimeve televizive (ashtu si edhe mohimi i kopjeve të dosjeve për gazetarët) do të thotë ta shndërrosh procesin publik në një sekret. Do të thotë të kufizosh aksesin e qytetarëve në atë që ndodh në sallat e drejtësisë. Publiciteti i procesit i parashikuar nga kodi, në shekullin XXI nuk mund të kufizohet në disa karrige në sallë: ai duhet të kalojë edhe përmes mediave, që janë zgjatimi natyror i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Vazhdimi i zbatimit të një ndalimi të nxjerrë në kohën e Covid-it për të justifikuar një kufizim të përhershëm është një abuzim. Është një shtrembërim i ligjshmërisë që rrezikon të minojë vetë besueshmërinë e drejtësisë. Nëse ligji imponon publicitetin e proceseve, çdo pengesë e pajustifikuar kthehet në shkelje dhe abuzim.

Ka ardhur momenti për ta zgjidhur këtë nyje. Ai ndalim duhet të shfuqizohet.

Transparenca nuk është një favor i dhënë nga prokurori apo nga gjykatat për të cilën duhet dakordësi edhe nga të gjithë të pandehurit, por një e drejtë e garantuar nga ligji në favor të opinionit publik. Dhe kur kjo e drejtë kufizohet pa arsye, nuk është vetëm informacioni që goditet: është besimi i qytetarëve në shtetin e së drejtës.

Një proces që nuk mund të shihet është një proces që rrezikon të mos besohet. Dhe një drejtësi që nuk besohet është një drejtësi që humbet forcën e saj.