Disa automjete që kanë bllokuar rrugët e veriut të Kosovës po hiqen nga KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë. Përmes një njoftimi në Facebook, KFOR-i thotë se ka synim ta kthejë lirinë e lëvizjes, siç edhe e kërkon mandati i marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
“Misioni i KFOR-it po kryen operacione inxhinierike në veri të Kosovës për t’i hequr disa automjete të bllokuara në rrugë dhe për ta rikthyer lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhet në njoftim.
Të enjten e 29 dhjetorit në veri të vendit serbët larguan barrikadat e vendosura në veri të Kosovës, por aty mbetën disa kamionë të djegur. Për 20 ditë me radhë, u vendosën barrikadat në rrugët që të cojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës. Por pas zbutjes së masës së sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’, u hoqën barrikadat.
Por disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur më 29 dhjetor.