Tensionet në veri të Kosovës, zhbllokim rrugësh pas tri javësh barrikada! NATO: Të gatshëm të ndërhyjmë nëse cenohet liria e lëvizjes

KOSOVË- Janë dashur plot 20 ditë në mënyrë që të niste heqja e barrikadave nga veriu i Kosovës. Dy ditë pasi qëndroi e mbyllur, policia e Kosovës ka njoftuar se është hapur pika kufitare në Merdarë e cila ishte bllokuar në anën serbë dy kilometra larg kufirit. Një reagim e ka pasur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili u shpreh se ata që i vendosën janë lodhur dhe po i heqin. Pasditen e së enjtes ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit. Sipas informacioneve në terren, tërheqja e barrikadave ka nisur edhe në Mitrovicën e Veriut.

Te barrikada në Rudarë dhe tek ajo në Mitrovicë të Veriut ishin të pranishëm njerëz me maska. Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori. Gjatë natës, disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur. Sipas Policisë së Kosovës, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar.

Ndërkohë disa kamionë me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut janë djegur gjatë natës. Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes. Kjo erdhi pas zbutjes së masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpiak për ish policin serb Dejan Pantic, i cili dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Pas takimit, Vuçiç lexoi konkluzionin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, lidhur me heqjen e barrikadave.

“Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet. Ne nuk kemi besim te [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiç.

Vuçiç tha se në këtë deklaratë kërkohet nga ai “të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse është territor i Serbisë”. I pyetur nga gazetarët për kthimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, Vuçiç u përgjigj se “heqja e barrikadave nuk ka të bëjë me këtë çështje”.

“Kthimi në institucione kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Prej datës 10 dhjetor disa serbë në Veri të Kosovës ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo ishte përgjigja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa dje u dërgua në arrest shtëpiak, gjë që dyshohet se ka sjellë heqjen e barrikadave. Pantiç dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian thanë se presin që barrikadat të hiqeshin nga personat që i kishin ngritur ato. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priste që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largonte barrikadat në veri. Autoritetet serbe thanë se ishin tronditur “me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, u shpreh se “receta” për heqjen e barrikadave është “lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e njësive policore nga veriu dhe heqja e listave sekrete për vrasjen e serbëve”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:33
Osmani takohet me ambasadorin amerikan, flasin për zhvillimet në vend dhe mundësi bashkëpunimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier. Ata kanë diskutuar në lidhjet me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, siç janë heqja e barrikadave. Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve për vitin 2023.

Njoftimi i plotë:

Presidentja Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier më te cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend.

Në takim u diskutua për mundësitë dhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit bilateral në vitin 2023, gjersa Presidentja Osmani konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e institucioneve të Republikës për koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.

Ora 19:22
Ulja e tensioneve në veri të Kosovës, NATO: Të gatshëm të ndërhyjmë për të garantuar lirinë e lëvizjes

1672338209_14386519750ded41bc901b.jpg

Aleanca e Atlantikut të Veriut ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës me heqjen e barrikadave.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesco ka mirëpritur uljen e tensioneve në veri të Kosovës, ndërsa tha se  NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse cenohet liria e lëvizjes në Kosovë.

“NATO mirëpret përpjekjet për de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Ne presim që të gjitha palët t’u përmbahen detyrave të tyre.

“NATO dhe KFOR, po vëzhgon nga afër dhe është i gatshëm që të ndërhyjë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin nga OKB për ta garantuar lirinë e lëvizjes”, ”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.

Ora 17:37
Heqja e barrikadave në veri të Kosovës, reagon opozita akuzon Kurtin: Kishe bërë marrëveshje të fshehtë me Vuçiçin, papjekuri politike, po amnistoni grupet kriminale

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe madje fajëson qeverinë në pushtet për bashkëpunim me presidentin serb. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për amnisti të grupeve kriminale në veri. Sipas tij, ka ndodhur një marrëveshje e fshehtë mes Kurtit dhe Vuçiç-it, ku presidentit të Kosovës i është kërkuar lirimi i ish-policit serb, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për terrorizëm dhe në të njëjtën kohë ishte edhe shkaku i vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

“Është evidente se kryeministri Albin Kurti ka pasur një marrëveshje të fshehtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për heqjen e barrikadave, duke rënë dakord për lirimin e Dejan Pantiçit, i akuzuar për terrorizëm.

Krasniqi thekson se përveç lirimit të ish policit serb Pantiç është bërë i mundur gjithashtu edhe lirimi i Nikolla Nedelkoviç, i cili kaloi gjashtë muaj në paraburgim nën akuzat e Prishtinës për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës etnike.

“Por përveç tij janë liruar edhe të tjerë, po ashtu edhe Nikolla Nedelkoviç. Që ka negociata të fshehta është e dukshme. Lirimi i Pantiçit dhe Nedelkoviçit dje nuk ishte rastësi, nuk ishte rastësi as amnistia e grupeve kriminale, marrëveshja e kësaj qeverie për lirimin e banditëve të vendit tonë dhe mos ndjekjen e tyre, sepse duket se kjo ishte një shlyerje për largimin e barrikadat”, tha Krasniqi.

Krasniqi akuzoi Kurtin për papjekuri politike dhe vendimmarrje të nxituar në një situatë të tensionuar mes dy vendeve prej vitesh dhe jo vetëm në ditët ku barrikadat kanë qenë të vendosura.

“Qasja e gabuar në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha papërgjegjshmëria e tij për të përmbushur detyrimet e tij ligjore dhe kushtetuese, kanë sjellë një situatë të turpshme për vendin tonë, ku presidenti i Serbisë po na tregon nga Rashka se si dhe çfarë do të ndodhë në veri të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Ora 17:14
Deputeti gjerman reagon për tensionet në veri: Kosova urgjent të anëtarësohet në Këshillin e Evropës

1672330504_ggg.JPG

Deputeti i Bungestagut gjerman, Volker Ullrich ka reaguar për situatën e fundit në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se situata në veri të vendit nuk duhet të përkeqësohet më shumë dhe se Kosova urgjent të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, përcjell Nacionale.

Përmes një statusi në Twitter, Ullrich, ka shkruar se nevojitet një mesazh i qartë dhe i kordinuar nga Evropa për Serbinë.

“Ajo që nevojitet është një mesazh i qartë dhe i koordinuar nga Evropa për Serbinë. Kërkohet de-përshkallëzimi dhe stabiliteti. Një perspektivë evropiane është urgjente që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ai.

Ora 16:58
Tërheqja e barrikadave nga veriu i Kosovës, KFOR: Palët të shmangin çdo retorikë nxitëse

1672329523_Screenshot20221215121646Outlook780x470.jpg

KFOR-i ka mirëpritur pajtimin për largimin e barrikadave nga rrugët e veriut të Kosovës.

Përmes një reagimi, kjo forcë ka treguar se po monitorin nga afër situatën në atë pjesë të vendit.

“Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm. KFOR-i po monitoron nga afër zhvillimet. Ne mbetemi jashtëzakonisht vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë, nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të bazuar në Rezolutën 1244 të 1999”, është thënë në reagimin e KFOR-it.

Ora 16:35
'Anonymous' kërcënon Vuçiçin: Ndaloni veprimet e rrezikshme në Kosovë! Prishtina nuk është pa mbështetje

 

Grupi i hakerëve “Anonymous”, përmes një videomesazhi, ka “kërcënuar” presidentin serb Aleksandar Vuçiq lidhur me zhvillimet e fundit në veri.

Ata thonë se populli i Kosovës nuk është pa mbështetje, prandaj ata thonë se Vuçiqi duhet të ndalojë veprimet e rrezikshme, raporton Zeri.info.

“‘Anonymous’ nuk është një grup i vogël i pafuqishëm i njerëzve për ta injoruar. Ne jemi të organizuar, globalisht aktivë, kolektiv i individëve me mendësi të njëjtë dhe mesazhi ynë do të jetë i qartë. Nëse nuk i ndaloni veprimet e rrezikshme në Kosovë, njerëzit e Kosovës nuk janë pa mbështetje. Ne jemi ‘Anonymous’. Ne jemi Anonymous. Ne nuk falim. Ne nuk harrojmë. Na prisni”, thuhet në postimin e tyre në Twitter.

Ora 16:35
Heqja e barrikadave, Borrell: Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri, koha për formë urgjente dialogu

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Boreell ka reaguar pas nisjes së heqjes së barrikadave në veri të Kosovës, pas njëzet ditësh të vendosur në kufi. Ai ka thënë se është i lumtur që të dyja shtetet kanë diskutuar për të gjetur zgjidhjen më të mirë të situatës për popujt e tyre dhe se më në fund edhe pse pas njëzet ditësh, diplomacia triumfoi. Ai thekson se edhe pse është arritur një marrëveshje duhet që në vijim të gjetet një formë urgjentë për dialog, pasi situatat mes dy shteteve duhet të mos përkeqësohen sërish në të ardhmen dhe kjo mund të paraprihet në këto momente.

Josep Borrell, i kërkoi Serbisë dhe Kosovës që të ulin tensionet dhe të diskutojnë pasi dhuna e shtuar në veri të Kosovës nuk mund të ishte kurrë zgjidhje dhe e konsideroi të papranueshme, në shumë deklarata të tij.

“Diplomacia arriti të triumfonte dhe të zgjidhte situatën. Falënderoj presidentët e Serbisë dhe Kosovë që arritën një marrëveshje. Falënderoj të gjithë ndërkombëtarët që morën pjesë në zgjidhjen e konfliktit. Bëtë një punë të shkëlqyer. Tashmë ka ardhur momenti që të përparoj dialogu”, ka shkruar shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian në Twitter.

Pasditen e së enjtes ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit. Sipas informacioneve në terren, tërheqja e barrikadave ka nisur edhe në Mitrovicën e Veriut.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori. Janë dashur plot 20 ditë në mënyrë që të niste heqja e barrikadave nga veriu i Kosovës. Dy ditë pasi qëndroi e mbyllur, policia e Kosovës ka njoftuar se është hapur pika kufitare në Merdarë, e cila ishte bllokuar në anën serbë dy kilometra larg kufirit

Gjatë natës, disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur. Sipas Policisë së Kosovës, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar.

Ora 15:53
Studentët në Prishtinë protestojnë me qëllim të bojkotimit të produkteve serbe

1672325664_jjf.JPG

Sot, studentët e Universitetit “Hasan Prishtina”, kanë protestuar me qëllim të bojkotimit të produkteve serbe.

Ata marshuan për të bërë thirrje për të bojkotuar produkte serbe.

Studentët e Fakultetit të Edukimit kanë organizuar këtë protestë duke përdorur pankartat si “Duaje tënden”, “Ata barrikadojnë rrugët, ne barrikadojmë ekonominë e tyre”, “Mos e forconi armikun”.

Laurita Terpeza, një nga studentet e Fakultetit të Edukimit, ka bërë thirrje që të bojkotohen produktet serbe.

“Arsyeja që kemi organizuar këtë marshim paqësor është që të kujtojmë atë që ka kaluar populli ynë, ku ne deri më tani kemi ushqyer armikun tonë me duart tona. Andaj, i bëj thirrje gjithë shqiptarëve anë mbanë botës të bojkotojnë produktet e Serbisë. Më mirë të rrinë pa ngrënë se të ushqehemi nga helmi i tyre. Më mirë të fokusohemi te produktet vendore, të fuqizojmë shtetin tonë, ushtrinë tonë dhe jo atë të serbëve”, ka thënë Trepeza.

Në anën tjetër, edhe Yllëza Murtezi, po ashtu studente në Universitetin e Prishtinës, ka shtuar se blerja e produkteve serbe çon në fuqizimin e një shteti që përveç se kërcënon me luftë.

“Blerja e produkteve serbe çon në fuqizimin e një shteti që përveç se kërcënon me luftë… Patriotizmi në luftë që të dalim e të luftojmë për t’i dalë në krahë atdheut, ndërsa patriotizmi në liri është që të bojkotojmë produktet me barkod 860. Ne ju bëjmë thirrje popullit tonë të bojkotojnë produktet serbe… Historia që harrohet përsëritet”, ka deklaruar Murtezi./Nacionale

Ora 15:31
Tensionet në veri të Kosovës, nis largimi i barrikadave Rudarë, në komunën e Zveçanit

1672324317_batriknf.JPG

Pasditen e së enjtes ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Se barrikadat do të largoheshin bëri të ditur të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq takoi ata mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Ora 15:01
Heqja e barrikadave në veri, Haradinaj: Falë SHBA-së dhe BE-së u gjet zgjidhja për një situatë shpërthyese


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Ai thotë se falë SHBA-së dhe BE-së u gjet nj zgjidhje që situata në veri mos të përshkallëzohej.

“Deklarata e përbashkët SHBA-BE si përcaktim që problemet e hapura me Serbinë të zgjidhen me mjete politike, është udhërrëfyes që duhet ndjekur edhe ne si Kosovë.

Falë Amerikës dhe BE-së, edhe një herë u gjet zgjidhja për një situatë shpërthyese në veri të vendit.  Si gjithmonë edhe këtë herë u dëshmua se partneriteti me ShBA dhe BE nuk ka alternativë.”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ora 14:57
Heqja e barrikadave në veri, Kurti: Ata që i vendosën u lodhën dhe po i heqin

1672132649_ssasadsadd.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi serbët kanë filluar të heqin barrikadat në veri. Kurti ka reaguar në pritjen e organizuar për gazetarët me rastin e festave të fundvitit. Kurti tha se serbët vetë i vendosën barrikadat dhe vetë i hoqën pasi janë lodhur duke bllokuar veten.

“Barrikadat po hiqen, të dielen e thamë që është çështje ditësh se kur do të largohen, edhe më mirë që kjo do të bëhet pa ndërhyrjen e Policisë tonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato, me fjalë tjera janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” – u shpreh Kurti pa e përmendur fare rastin e Pantiçit.

Ora 14:18
FOTO/ Rihapet pika kufitare në Merdare, por mbesin barrikadat në veri

 

Megjithëse ishte paralajmëruar heqja e barrikadave në pjesën veriore, aktualisht nuk ka ndonjë lëvizje të shtuar pranë tyre për ti lëvizur.

Këto janë fotot në Rudar, segmentin që të çon në pikën kufitare Jarinjë, ku barrikadat ende nuk janë hequr.

Ora 11:25
Tahiri ngre pretendime: Kurti e pranoi Asociacionin, këtë e vërtetoi ambasadori Hill

Edita Tahiri, ish-kryesuese e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik në Bruksel, ka shkruar një status në të cilin ka komentuar tensionimet e fundit në veri.

Ajo ka thënë se pas secilit tensionim, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka bërë kompromise me Serbinë. Madje Tahiri ka bërë edhe një pretendim interesant, duke shkruar se Kurti ka pranuar edhe Asociacionin.

Madje, ai ka thënë se “këtë e vërtetoi ambasadori amerikan Hill”.

Ora 10:39
Mediat gjermane: Tensionet në veri, përshkallëzim i rrezikshëm

Jo vetëm politika gjermane ka reaguar pas ashpërsimit të tensioneve në veri. Edhe mediat gjermane i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në veriun e Kosovës.

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" në analizën e saj pas ashpërsimit të situatës në veri, shkruan se ajo që po ndodh aktualisht në veriun e Kosovës është një shkallëzim i rrezikshëm, të cilin perëndimi duhet ta marrë seriozisht. "Për shkak të konfliktit në Ukrainë [...] shumë kanë harruar, se lufta nuk është rikthyer këtë vit në Europë. Fuçia e parë e barutit, që shpërtheu pas Rënies së Murit ishte ish-Jugosllavia. [...] Por shumë më tepër se në Ukrainë, Brukseli dhe Uashingtoni kanë mundësi direkte të ndikimit në Ballkan. [...]Prandaj duhet këtë herë të jetë parimisht e mundur, që ta vendosin gjendjen sërish nën kontroll. As Serbia dhe as Kosova nuk kanë interes për dhunën apo kthime serioze pas në marrëdhënien me perëndimin. Për Moskën [...] kjo nuk vlen. Vetëm për këtë arsye është kaq urgjente, që europianët të kujdesen më fort për Ballkanin."

Kurse gazeta "Märkische Zeitung" reagon në lidhje me politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe Rusisë. "Megjithatë Vuçiqi pritet gati me përulje nga përfaqësues të Bashkimit Europian. Kjo politikë "appeasement" e qetësimit ka bërë që gjendja të shkallëzohet. Prandaj ka ardhur koha për ndryshim të politikës: Faktorët perëndimorë duhet të kërkojnë qartë nga presidenti serb t'i japë fund provokimeve dhe dëshirës për fuqinë e madhe serbe dhe të kontrollojnë kanalet e rrjedhjes së parave nga Rusia. Përveç kësaj BE duhet që ta kushtëzojë dhënien e parave tek Serbia dhe të kuptojë më në fund që Vuçiqi as nuk do të hyjë në BE."

Ndërsa "Welt" nën titullin "Loja e ndezjeve e Serbisë mund të përhapë zjarrin" shkruan se shumë të le të kuptosh, se është Rusia në sfond, që e nxit konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës, edhe për të shkaktuar pasiguri në perëndim. "Presidenti Putin e përdor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si ndihmësin e tij.[...] Në rastin më të keq grindja mund të dalë jashtë kontrolli dhe të shkaktojë një konflikt të zgjeruar në Ballkanin e brishtë, megjithë prezencën e NATO-s dhe këtë para derës së BE." "Welt" analizon më tej se përplasjet aktuale tregojnë, se marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE nuk ishte me shumë vlerë. "Marrëveshja ishte shumë miqësore ndaj serbëve kundrejt Serbisë  dhe nuk i zgjidhi problemet me detyrimin për qeverinë kosovare për të lejuar një asociacion të komunave serbe- Nuk është e kuptueshme pse BE këtë marrëveshje deri më sot e nxjerr atë kudo përpara."/DW

Ora 10:33
Tensionet në veri, ambasadori i Serbisë në SHBA thotë se kishte marrëveshje: Kosova liroi ish-policin serb, ne heqim barrikadat

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç ka hedhur dyshime se Serbia dhe Kosova kanë arritur një marrëveshje me njëra tjetrën për të largimin e barrikadave dhe lirimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç. Në një intervistë për televizionin publik serb, Gjuriç tha se me marrëveshjen e djeshme “u shkua një hap më tej në aspektin e mbrojtjes juridike të pozitës së serbëve në Kosovës” dhe se “Kosova ka humbur një mundësi të artë nga Amerika dhe ndërkombëtarët për shkak të sjelljes së tyre”.

“Ftoj qytetarët e Serbisë që të njihen me dy elementet e tjera të bisedimeve që u zhvilluan dhe marrëveshjen e arritur, e cila u materializua përmes deklaratës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së nga njëra anë dhe deklaratës së KFOR-it.

Kjo do të thotë që nga dje për herë të parë kemi garanci ndërkombëtare nga KFOR-i dhe NATO-ja që vlejnë për të gjithë që kanë të bëjnë me dërgimin e forcave të sigurisë së Kosovës në veri me obligim që të konsultohen me komunitetin serb. Ata që e njohin ligjin e kuptojnë se tani kemi shkuar një hap më tej në aspektin e mbrojtjes juridike të pozitës së serbëve në veri”, thekson Gjuriç.

I pyetur se kush ka marrë pjesë në bisedime nga pala amerikane, ai thotë se ka kontaktuar menjëherë me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe me ambasadorin e SHBA-së në Beograd, Christopher Hill dhe se kanë qenë në kontakt edhe me përfaqësuesi i SHBA-së në Prishtinë nga Geoffrey Hovenier.

“Por ne normalisht kemi komunikim cilësor, presidenti Vuçiç ka pasur një kontakt të jashtëzakonshëm në Nju Jork me Jake Sullivan, i cili është këshilltar për sigurinë kombëtare në SHBA”, thekson Gjuriç.

Ora 10:13
Kosovë, hiqet barrikada në Merdarë, hapet për qarkullim pika kufitare

Policia e Kosovës ka njoftuar se është hapur pika kufitare në Merdare e cila ishte bllokuar në anën serbe dy kilometra larg kufirit. Sipas policisë, që prej orës 09:50, është liruar për qarkullim.

“KOMUNIKATË PËR MEDIA - Shtesë Pika kufitare ”Merdare” lirohet për qarkullim Prishtinë, më 29 dhjetor 2022 Bazuar në informacionet e fundit, rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim. Andaj, njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tani se pikë kalimi kufitar “Merdare”, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë.”, thuhet në njoftim.

Ora 09:38
Djegia e kamionëve në veri të Kosovës, Policia: S’raportohet për lëndime

Policia e Kosovës, sot ka dhënë detaje lidhur me djegien e dy kamionëve gjatë natës në veri të vendit.

“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.”, është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.

Përveç dëmeve materiale, sipas Policisë, nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lushka: 30/12/2022 13:47

    Mos u nxisni o njerez nga politikat. Njerez Jan edhe serbet edhe maqedonasit edhe Shqiptaret si edhe kosovaret gjermanek polaket amerikanet... Njerez te ketij rruzulli Jan... Pse ne Shqiptaret jemi te kulluar!? Apo kosovaret!? Apo serbet apo gjermanet!? Mos nxisni urrejtje etnike politikat te reja njerez te rinj mos hecni me te shkuaren cfare ndodhi ndodhi skemi ci bejme as un asnjeri as ti qe komentoni e del ne proteste per produktet serbet! Nxisni it urrejtje sepse ska vlere njerez sic jetojne kosovaret ne serbi ashtu edhe sent do jetojne ne kosove doni apo nuk duan politikanet apo njerezit! Njerezit normale edhe me logjike e kuptoj e cfare do te thote njeri edhe nuk nxisin urrejtje etnike kundrejt nje minorance!behuni te logjikshmw si serbet si kosovoret kundrejt njeri tjetrit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen