Udhëheqësi suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, raportohet se ka një “plan arratisjeje” që parashikon largimin drejt Rusisë, nëse protestat mbarëkombëtare aktuale vazhdojnë të përshkallëzohen. Kështu raportoi të dielën gazeta britanike The Times.
Plani, i quajtur “Plani B” nga raportimi britanik, do të përfshinte Khamenein 86-vjeçar dhe rreth 20 persona të afërt, përfshirë anëtarë të familjes dhe bashkëpunëtorë të tij.
Ai parashikon gjithashtu një mënyrë për transferimin e rrjetit të tij të gjerë të aseteve, i cili – sipas një hetimi të Reuters të vitit 2013, të cituar nga The Times – vlerësohet rreth 95 miliardë dollarë. Ky rrjet përfshin organizatën Setad, një nga organizatat më të fuqishme në Iran, si edhe sistemin e fondacioneve gjysmë-shtetërore bamirëse të Ajatollahut, të njohura për mungesë transparence financiare. “Plani B është për Khamenein dhe rrethin e tij shumë të ngushtë të bashkëpunëtorëve dhe familjarëve, përfshirë djalin e tij dhe trashëgimtarin e propozuar, Mojtaba”, shkruan The Times, duke cituar burime të inteligjencës.
Raporti shton gjithashtu se, sipas ish-zyrtarit të inteligjencës izraelite Beni Sabti, Khamenei do të nisej drejt Rusisë, pasi “nuk ka vend tjetër për të”. Khamenei ka deklaruar më herët se “e admiron Putinin dhe se kultura iraniane është më e afërt me kulturën ruse”, thekson raporti.
Plani i Khameneit imiton arratisjen e al-Assadit nga Siria
Plani i zbuluar nga The Times duket se i ngjan atij të përdorur nga ish-diktatori sirian Bashar al-Assad, i cili u largua nga Siria drejt Moskës kur regjimi u rrëzua në nëntor 2024.
Assad tani jeton në luks në Rusi dhe po “rifreskon njohuritë e tij në oftalmologji”, raportoi The Guardian më 19 dhjetor, duke cituar burime pranë familjes.
Një mik i familjes Assad i tha The Guardian se “ai po studion rusisht dhe po i rikthehet sërish oftalmologjisë. Është pasioni i tij; padyshim që nuk i duhen paratë”, duke lënë të kuptohet se klientela e tij e synuar do të ishte elita e pasur e Moskës.
Llogaria në persisht e SHBA-së: ‘Presidenti Trump është njeri i veprimit’
Ndërsa protestat vazhdojnë të përhapen në Iran, administrata Trump po vijon fushatën e saj të “presionit maksimal” ndaj Republikës Islamike.
Mesazhi i presidentit amerikan Donald Trump për mundësinë e trajtimit të regjimit iranian në një mënyrë të ngjashme me atë që bëri të shtunën ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duket se ka ndikuar në protestat.
Të dielën, llogaria në persisht e Departamentit Amerikan të Shtetit publikoi një fotografi të Presidentit Trump me mesazhin: “Presidenti Trump është një njeri i veprimit. Nëse nuk e dinit, tani e dini.” Më herët po atë ditë, i njëjti postim u publikua edhe në llogarinë e përgjithshme të Departamentit të Shtetit, me një foto të Trumpit krah Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe të Dërguarit Special të SHBA-së Steve Witkoff.
Trump u tha gjithashtu gazetarëve të dielën, në bordin e Air Force One, se “nëse ata vrasin njerëz, siç kanë bërë në të kaluarën, do të goditen fort nga Shtetet e Bashkuara”.
Komente






