Harta politike po mbushet dita-ditës me parti politike. Vetëm se opinioni shqiptar, deri tani, nuk po e mëson dot se kush po i financon partitë dhe gazetat e tyre! Sa u jep shteti dhe ç’kontroll ushtron mbi financat e partive? Në fund të fundit ky shtet (më saktë: ky popull i varfër sa s’mban më, pse u dashka të mbajë mbi kurriz partitë e administratat e tyre, në një kohë, që, siç po na thuhet, arkat janë bosh? Pa asnjë diskutim dhe pa asnjë përjashtim, partitë dhe gazetat duhet të vetëmbahen me kuotat e anëtarëve dhe të gazetave të tyre! Por deri më sot në këtë transparencë verbuese që po na rrethon, ne po shohim vetëm errësirë në shpenzimet jo të pakta që bëjnë liderët e ndryshëm nëpër botë, në një kohë kur privilegjet po sulmohen më egërsisht se kurrë!
Akoma nuk po shohim që PS-ja të deklarojë pasuritë e veta të trashëguara nga PP-ja e të vihet edhe ajo në pozita të barabarta me partitë e tjera! Askush nuk është kundër daljeve jashtë shtetit të udhëheqësve, të cilat kanë dhënë rezultate, por, ama, duhet thënë në gazetat partiake e në shtypin në përgjithësi: nga dalin këto fonde në valutë? Apo ua akordon shteti për qëllime partiake, gjë që (po qe kështu), s’është aspak e drejtë?! Ndërkohë opinioni publik po dehet ne fjalën: transparencë. Kam frikë se kamerierët e hotel “Dajtit” dhe të mjediseve të tjera të standardit të lartë si p.sh. Pallati i Brigadave etj., po shohin, po dëgjojnë e ndoshta dinë më shumë nga ne, njerëzit e thjeshtë, që presim transparencë në kronikën e lajmeve e të Kuvendit Popullor në ekranin e televizorit... Informacioni publik hë për hë nuk po ushqehet me transparencë, por me transmjegull, me transkonfuzion, me transmanipulim...
E paskemi dashur shumë botën, se nuk u la shoqatë pa u ngritur, vetëm se shumica, të njëanshme, vetëm shqiptaro-X. S’është çudi që dikujt i leverdis, por nuk merr guximin të krijojë shoqatën: “shqiptari kundër shqiptarit”, sepse praktikisht drejt kësaj udhe po na çon anarkia dhe destabilizimi i vendit... Gazetat gjithashtu po derdhen mbi lexuesin shqiptar me një dëshirë marramendëse për të zbuluar të vërteta të pathëna deri më sot, në një kohë, kur, siç po ndodh realisht, letër nuk ka as edhe një gram për kulturën kombëtare, për librin artistik e shkollor. Më shumë po mbjellim urrejtje e mosbesim te fëmijët se sa gëzim dhe harmoni, gjë që mund ta bënte, veç mjedisit familjar, mjedisi shkollor dhe institucionet kulturore kombëtare që prej muajsh janë të paralizuara.
Fëmijët s’kanë jo vetëm xhama në dritaret e shkollave, as ngrohje, por as fletore! Buka e mëngjesit që merret për punë, mbështillet me gazeta, por brenda nuk ka as djathë, as vezë, as gjizë... asgjë! Me bukën-gazetë e thatë nën sqetull njeriu shqiptar niset për në punë në këmbë (se autobusë nuk ka) duke e ditur që nuk do të punojë, por rrogën ama, do ta marrë! Por kur të na mungojë edhe copa e bukës thatë? Në debatin politik të gazetave të ditës e të opinioneve që e trysnojnë në rrugë, nëpër radha e në qendrën e punës, njeriu i thjeshtë ose e ndien, ose e kupton se filan drejtues është i tillë e i këtillë, ky ka atë të metë e këtë biografi! Nuk mund të gjesh më dy njerëz të mendojnë afërsisht njëlloj për një lider, për një parti...
Të gjithë jemi kundër, pra jetojmë në një kundërshti totale që s’ia gjejmë dot as shkakun, as ilaçin. Në parlament deputetët u zunë e thanë kështu e ashtu, liderët e partive qenkan të dyshimtë, presidenti ka këto e ato të meta, filani me matrapazllëk u bë i pasur, një tjetër vuri pasuri, sepse i biri është refugjat: ndihmat në X qytet u rrëmbyen (u vodhën), çmimet u rritën e s’dihet ku do të venë në dimër... Kthehesh në shtëpi e duhet të presësh disa orë në radha, e, pasi grindesh kot më kot me bashkëshorten, mbetesh më në fund para ekranit të dëgjosh lajmet...
Televizioni thotë se diku kanë vrarë një njeri, kanë përdhunuar një vajzë të re, u vodhën magazinat e... shumë shpejt mund të mbetesh pa punë, pas reformës... Një lajm tjetër thotë se së shpejti do të bëhet konkursi “Mis Shqipëria”! Ç’të bëjë ky njeri? Të flejë? Atë bëri, por trembet se diku pranë dëgjon të shtëna armësh... Askush, asnjë parti nuk po i jep dot zgjidhje kaosit që sa vjen e tensionohet deri në marrëzi kombëtare! Mos ardhtë kurrë kjo orë e ligë!...
Kujt duhet t’i besojë njeriu shqiptar? Kriza e besimit është nga dilemat themelore të njeriut shqiptar. I tjetërsuar nga kultet fetare, shqiptari u detyrua me dhunë t’i besojë vetëm kultit të udhëheqësit politik, qoftë ky Njëshi i shtetit, qoftë instruktori i Partisë, shefi i kuadrit, ose operativi i lagjes (i sigurimit). Këtij kulti i besonte nga frika, ngaqë s’kishte alternativë tjetër. Qarku i kulteve të tjera ishte i mbyllur. Edhe po t’i drejtohej Njëshit, zgjidhja do të bëhej nga ingranazhi i numrave të tjerë rendorë, ndaj ai qe i detyruar t’i nënshtrohej kultit të udhëheqësit, qoftë ky edhe i vogël ose i madh. Kulti i bajraktarit, i beut, i mbretit, i udhëheqësit të Partisë, pavarësisht nga ngjyrat dhe nga shkalla e shtrëngesës së pincës, e ka shoqëruar shqiptarin historikisht duke e detyruar psikologjikisht të jetojë me mendësinë e vasalit dhe ndjenjën e nënshtrimit ndaj kultit ushtarak, administrativ ose politik.
Kjo, sepse shqiptari, asnjëherë s’e ka shijuar plotësisht ose pjesërisht demokracinë në jetën shoqërore, por edhe familjare. Parulla magjike: liri, barazi, vëllazërim, që u bë altari i të gjitha demokracive evropiane, për shumë arsye nuk arriti të bëhej moral mbarëshoqëror tek ne as në Rilindje, as në fillim të shekullit, as pas Luftës së Dytë Botërore, kur fuqinë e morën komunistët dhe këtë parullë e quajtën borgjeze! Në kushtet e reja të pluralizmit, një pjesë e mirë e popullit pa se qenkësh e mashtruar; kultet politike, ata që patën premtuar barazinë e drejtësisë sociale dhe që shumica e shqiptarëve u pati besuar për 45 vjet rresht, qenkëshin mostra! I zhgënjyer, i tradhtuar, ai rrëzoi monumentet si asnjë popull tjetër, pa e ditur se shpirti i tij nuk mund të jetonte dot pa kulte të reja...
Me sinqeritet dhe pa paragjykime, ai krijoi kulte të reja udhëheqësish e partish. Por, ama, duhet kuptuar, se pas një diktature tepër të gjatë, ky njeri nuk mësohet dot t’i shuhet menjëherë kulti i udhëheqësit të vjetër, por edhe i atij të ri e i Partisë së re që ai fillimisht kujton se i beson sinqerisht (me, ose pa të drejtë, kjo s’ka rëndësi) – dhe ai prapë vazhdon të besojë e t’i ndjekë pas, veçse kësaj here, jo pa dyshime e syçeltësi. Feja e Mosbesimit, si e vetmja fe “në pushtet”, për gati 50 vjet, e rrënjosur thellë teorikisht e praktikisht në shpirtin e çdo shqiptari, në postdiktaturë u jep krahë e argumente apostujve të vet të vjetër e të rinj, të cilët, duke u përbetuar për kombin, tinëz e shkatërrojnë atë me shembullin e jetës së tyre private të dyshimtë e pa moral të ndershëm politik. Shembulli i virtytit të udhëheqësit të ri në postdiktaturë luan rol parësor, vendimtar, sepse vetëm ky shembull e mban gjallë shpresën e popullit... Por, a po ndodh kështu?
Njeriu shqiptar në këtë fazë të shtirë të postdiktaturës nuk e kupton dot se lufta midis partive, midis liderëve, midis fraksioneve, duke qenë e ashpër dhe duke u prirë nga morali: qëllimi justifikon mjetin – së shumti shoqërohet me shpifje, me sharje, me intriga e me poshtërsi të paskrupullta, gjë që, për njeriun e thjeshtë, s’bën gjë tjetër, veç e amplifikon fenë e Mosbesimit që është në fakt feja më e parapëlqyer e çdo diktature. Kur shahen e poshtërohen gjithë liderët pa përjashtim, kujt duhet t’i besojë populli e kë të ndjekë pas? Njeriu i thjeshtë, pra, nuk e përfytyron dot modelin e udhëheqësit të tij me të meta njerëzore, metaltë në fytyrë e me duar të papastra, sepse deri më sot ai ka parë mermerin e bardhë të udhëheqësit dhe jo fytyrën e tij të gjallë... Ëndrra e barazisë sociale nuk zëvendësohet pa tension me realitetin e egër të pabarazisë sociale që ofron ekonomia e tregut dhe sidomos tregu i zi i postdiktaturës.
Kësisoj, ai ndihet sërish i zhgënjyer, i traumatizuar, i hutuar dhe pa rrugëdalje, sepse nuk arrin dot të kuptojë se mermeri në portretin e udhëheqësit është material kozmetik i diktaturës dhe se lufta midis sekteve të një feje (ose partie) është më e egër se midis dy feve të ndryshme dhe se, në demokraci, debati për të vërtetën dhe ligji i konkurrencës janë motorët kryesorë që do ta çojnë shoqërinë përpara. Veç kësaj, njeriut të thjeshtë gabimisht i është thënë se, sapo të rrëzohet diktatura e monizmi, liderët e partive do të jenë heretikët e martirët e demokracisë, se mirëqenia do të vijë vu, ndihmat janë duke ardhur e se demokracia do të japë frytet e saj shumë shpejt... I paduruar ai pret e pret, por vjen një ditë dhe e gjen veten me gisht në gojë...
Një politikë e mençur do të duhej të na kishte përgatitur që ne qiellin s’do ta kapnim dot me dorë dhe se Shqipëria, hermetikisht e mbyllur s’do të mund të bëhej brenda 24 orëve si Evropa! Popullit i duhej shpjeguar se për të kaluar nga diktatura në demokraci duhen kaluar domosdoshmërisht disa faza: e para, postdiktatura, e cila është faza më e vështirë e më e rrezikshme: kjo fazë, ose të siguron rrugën për një shoqëri demokratike, ose të kthen në diktaturë, në një diktaturë ndoshta më të egër se ajo pararendësja. Duhet shpëtuar Shqipëria dhe ky popull që është, pa asnjë diskutim, më tragjiku, më i varfri, më i rraskapituri dhe më i çorodituri në Evropë! Në qoftë se partitë politike nuk e kuptojnë këtë për arsye të mungesës së arsyes që sjell lufta politike, atëherë duhet ngritur një institucion mbipartiak me njerëzit më të shquar e më të devotshëm të të gjithë kombit, për të nxjerrë kombin nga kaosi dhe rrënimi total.
Fëmijët e fëmijëve të diktaturës
Dihet formula që doli nga Revolucioni francez: revolucioni u ha kokën fëmijëve të vet. Shembuj të shujtë mund t’u jepen sidomos tek ne, diktatura u hëngri kokën dhe besnikëve të vet; madje, asnjë ministër i Brendshëm nuk mbeti pa u dënuar me pushkatim, ose, së fundi, me “mënjanim”. Çështja, nëse këta “fëmijë” janë viktima të luftës pushtet, apo opozitarë, kohët e fundit është bërë një kurth, ku kanë rënë jo vetëm gazetat, por edhe personat e ish-rangut të lartë që kanë mbetur gjallë dhe po japin intervista. Ngutja për të rrëmbyer flamurin e demokracisë e të luftës për të, më shumë po ngjan me një hapje varri, se me këputje dafinash për t’i varur, edhe pse me vonesë, në qafën e vetes.
Por në këtë maratonë drejt binishit për t’u bërë i shquar, më të nguturit, më fanatikët, më radikalët, më të papërballueshmit dhe më të persekutuarit – madje këta po ua kalojnë edhe të burgosurve politikë, të cilët po tregohen më të arsyeshëm – po na dalin disa nga fëmijët e “fëmijëve” të diktaturës, të cilët po bëjnë më në fund aktin heroik: po e “tradhtojnë” klasën e të privilegjuarve dhe po na tronditin me herezitë e tyre!
Të mësuar me vila, brenda oborrit-bllok, me rrugë të siguruara e të vazhdueshme jashtë shtetit, me gjuhë të huaja, me biblioteka të pasura, a me njohje të gjera me gazetarë të huaj, personalitete, artistë, afaristë, politikanë, sociologë, shkencëtarë, pa atë ndjenjën e poshtër të inferioritetit që e kemi pasur të gjithë ne si intelektualë shqiptarë, që kemi ardhur nga prindër punëtorë, fshatarë e gjysmanalfabetë, ata po japin intervista jashtë shtetit, ndërsa brenda zhvillojnë veprimtari e spektakle oratorike duke u shfaqur si antikomunistë të vendosur e të pakompromis. Është e drejta e gjithsecilit të kontribuojë për demokracinë. Është luftë klasash të dënosh të birin për gjynahet e të atit, ose, ca më keq, të gjyshit. Këtë as duhet ta diskutojmë: secili të matet me hijen e vetes. Ndryshe, demokracia është vetëm fasadë.
E,megjithatë, në moralin njerëzor nuk u shpëtuake dot disa pyetjeve të cilave, asnjë prej këtyre fëmijëve të përkëdhelur të baballarëve të diktaturës nuk u përgjigjet: Për ç’merita ju jeni këta që jeni sot: intelektualë të “shquar”, të “pavarur”, mbrojtës të flaktë të disidencës shqiptare? Nga vetja jo se jo. Atëherë, nga atësia, gjyshëria, apo ngaqë e njohët “oborrin” nga brenda dhe privilegjet ju patën ardhur në majë të hundës? Kur e kuptuat ju që populli jeton keq, tani që u rrëzua komunizmi dhe u ça blloku, apo më përpara? Po qe se e paskeni kuptuar shumë kohë më përpara, pse s;u bëtë disidentë e në vend të specializimeve të stërzgjatura të zgjidhnit burgun e stërzgjatur? Pse, të paktën, pse nuk erdhët të jetonit si ne, intelektualët e tjerë, që “njohja me bazën” na degdiste kantiereve, fshatrave dhe qyteteve periferike e na ngujonte në një dhomë e një kuzhinë, vetëm pasi na lindte fëmija i dytë? Pse i pranonit emërimet dhe studimet jashtë shtetit, ngaqë ishit talente të vërteta e të vyera të kombit, apo nga mbiemri, nga ndërhyrjet e babait, të dajës apo nga krushqia me oborrin?
Pse nuk distancoheni publikisht nga etërit tuaj, që kanë qenë jo vetëm instrumentet, por edhe ekzekutorët e diktaturës? Nga ju vjen ky zell i shfrenuar të sulmoni totalisht inteligjencien shqiptare për të provuar se në Shqipëri “të gjithë intelektualët qenkan të korruptuar?” (veç jush, sigurisht). Morali shoqëror nga “kontribute” të njerëzve të tillë në vend që të kthjellohet, pështjellohet më tepër. Por problemi është më kompleks. Dashuria e zjarrtë dhe “e papritur” e këtyre “fëmijëve” për disidencën dhe sidomos radikalizmi i tyre është i rrezikshëm pasi gjen, në çastet e tanishme, auditorë të leverdishëm brenda vendit, por sidomos jashtë. Një pjesë e “fëmijëve” të tillë nguten të sigurojnë kapital ekonomik (duke u lidhur me firmat e huaja), pjesa tjetër, më të “talentuarit”, sulmojnë kapitalin politik (gazetat, partitë e reja dhe agjencitë e huaja).
Ata arrijnë të shkëlqejnë jo vetëm pse dinë perfekt disa gjuhë të huaja, por kanë pasur mundësinë të kulturohen që në vogëli duke pasur informacion (jo talent) më të madh nga moshatarët e tyre të izoluar e konkretisht të persekutuar nga pamundësia e horizonteve të kulturave botërore... Për t’u bërë të “shquar” ata i ndihmon jo emri i tyre, por mbiemri, dhe në fazën e parë, mbiemri dhe lidhjet fisnore iu garantojnë trampolinën prej nga do të bëjnë kërcimet e “guximshme” në pellgun politik. Duke krijuar iluzionin e rremë se janë kundër edhe baballarëve të tyre, ata bëhen interesantë, ndjellës, origjinalë, të pakompromis dhe nuk e kuptojnë dot se demokracia nuk bëhet dot mburojë (si diktatura), për të garantuar (ekonomikisht dhe famërisht) fisin tuaj, sepse, ju, në fakt, po mohoni gjithçka për të siguruar vazhdimësinë e privilegjeve tuaja familjare nga të cilat ju nuk shkëputeni dot, pasi jeni dhe doni të mbeteni akoma fëmijë të përkëdhelur.
Duke jetuar deri dje brenda oborrit, ju ndoshta vërtet besoni se kombi e fatet e tij s’mund të jenë në duar të tjera, veç në tuajat. Ndoshta sinqerisht nuk besoni (edhe s’ka se si) se në të vërtetë jeni të sëmurë nga deliri i madhështisë, nga patriotomania – infeksion i rëndomtë i çdo lloj oborri mbretëror! Kjo, në fakt, është Sida që shpërndan çdo diktator te klanet e këlyshët e tij. E po qe se shoqëria dhe morali ynë shoqëror s’është në gjendje të lexojë ç’fshihet pas kornizave të portreteve tuaj, aq më keq për ne, aq më zi për demokracinë, aq më e komplikuar do të na bëhet postdiktatura. Por shenjat janë të mbara, derisa për ju asnjë parti e opozitës s’po e hap derën, ndaj ju mallkoni dhe opozitën dhe tani shpresoni se mos... një tjetër, më radikale, do të lërë një mikrofon të hapur edhe për ju.
Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)