“Ka mundësi që njerëzimi në të ardhshmen t’ia verë epokës sonë etiketën e gënjeshtarëve të nxituar. Njëra ndër dukuritë e tendencës së sotme të urryer është mania jonë që opinionin publik ta pajisim me gjoja informata mbi çështjet për të cilat nuk dimë njëmend gjë prej gjëje!”
Faik Konica
REFLEKSE NGA VITI 1991
(Fajtorët dhe kompleksi i fajit në postdiktaturë)
1. Na duhet një moral i ri
Shumë ngjarje rrodhën nga dhjetori i 90-ës e këtej. Askush nuk parashikonte që, për disa muaj, të rrëzohej ai sistem, Ai-kult, ajo mënyrë jetese (mbijetese) që shumëkujt – atyre që komandoheshin, atyre që udhëhiqnin dhe atyre që nënshtroheshin – nuk u shkonte pra ndërmend që Përmbysja do të ishte kaq totale. Një moral u rrëzua, u shemb, ndërsa një tjetër përpiqet të sendërtojë fytyrën e vet nëpër programe, fjalime, gazeta, artikuj, ethe afariste, biseda shtëpiake, përplasje e kërleshje inatçore midis grupeve, grupimeve e individëve. Në kaosin e sotëm kollajshëm bëhesh i shquar e akoma më kollaj mund të rrëzohesh nga piedestali gjysmëshekullor duke u bërë pluhur e hi. Nga qielli rrëzuam së pari fenë, Zotin. Breza të tërë u mësuan të mos besojnë tek asnjë fuqi tjetër, veç te fuqia e pushtetit të sekretarit të parë.
Burokrati kishte fenë më magjike në dorë: mund të të jepte diplomë, të emëronte ministër, të bënte profesor, të çonte në fshat, në internim, në burg, në “bllok” (duke të bërë anëtar të Byrosë Politike!), madje, mund të të linte edhe pa varr! Feja e pushtetit komunist u rrëzua dhe shqiptari u gjend papritur pa asnjë fe (shqiptari nuk u bë dot ateist, po i pafé, si përpara krijimit të botës). Shqiptari, si Adami, u lëshua të kërkonte Evropën, po s’qenkësh aq e kollajshme që Eva t’i jepej e, pas bashkimit të tyre, bota shqiptare të mbulohej nga mirëqenia biblike, nga pjellshmëria aq e ëndërruar pas errësirës aq të gjatë diktatoriale... Kërkohet një moral i ri, shtylla të tjera, më të qëndrueshme, që do të mund të stabilizojnë jetën tonë të hallakatur nga e vetmja fe që ka ngjizur shpirtin tonë e që mund të quhet: Feja e MOSBESIMIT.
Ndaj shtëpia e re e demokracisë ku dëshirojmë të hyjmë e të jetojmë të gjithë, ose duhet bërë krejtësisht e re, ose me parafabrikatet e vjetra, ose duhen shkulur themelet e së vjetrës, ose duhen larguar krejtësisht demagogët, hipokritët, zhonglerët e politikës së kaluar, si ustallarë-fajtorë të rrënimit tonë të pashembullt, ose... Ose le të shembet gjithçka e të vijnë këtu, në Shqipëri, ata që janë pa biografi, njerëz nga një planet tjetër, ndoshta nga Marsi, që të mos kemi mundësi t’u përmendim cenet e gjynahet e gjyshërve e katragjyshërve! Të përndjekur nga psikologjia e biografive të regjimit enverian, vazhdojmë të gjallojmë në një asfiksi politike, duke u përplasur me njëri-tjetrin në gërmadhat e së vjetrës. Pluhuri po na zë sytë. Askush nuk po hap dot themele të reja, le më pastaj të hedhë çatinë e shtëpisë së re, e cila nuk ka, hë për hë, as arkitekt, as investitor, as ustallarë me eksperiencë që mund të ngrenë një shtëpi (një politikë të stilit evropian), e të pëlqyeshme për shumicën e shqiptarëve!... Besimi te tri fetë akoma nuk po hyn bindshëm te njeriu shqiptar për ta rikthyer te morali i Zotit i cili nuk qenka (sipas moralistëve marksistë-leninistë), kundër moralit dhe besimit te njeriu, te forca e tij që mbështetet te Mirësia, te Mëshira, te Solidariteti dhe Humanizmi... Shumica, pas një mosbesimi tepër të gjatë, i afrohen Zotit, pa ditur pse, një pjesë për të shijuar “mollën e ndaluar”, që s’e kanë ditur ç’është, dikush nga “inati i sime vjehrre”, ndokush për të vajtur në Mekë, ose për të marrë ndihma të tjera, sepse kjo ose ajo fe, i duket më evropiane, më moderne etj.
Tani mund të thuash se botën shqiptare e ka përfshirë mosbesimi tërësisht. Krijimi i shumë partive dhe lufta midis tyre, dita-ditës më tepër krijon alergji për partitë (domosdo ndikon edhe alergjia gjysmëshekullore ndaj Partisë-shtet); se sa besimi se ndonjë parti mund të krijojë ndonjë moral social të qëndrueshëm e të besueshëm për një popull që e ka pasur për zakon e, ndoshta për instinkt t’i ndërtojë shtëpitë larg njëri-tjetrit, që të mos ketë mundësi komshiu të shohë në oborrin e tjetrit... Kulti i shqiptarit për Besën provon se ai ka pasur (ndoshta nga rrethanat historike) tepër frikë nga akti i pabesisë, i cili, për fat të keq, ka qenë përcjellësi më i pandarë i jetës së tij. Kësisoj, shqiptari ngjan në komunitetin e sotëm evropian me një fytyrë të veçantë, të egërsuar dhe inatçore, naive dhe njëkohësisht djallëzore.
Ndaj në portretin e në sytë e tij më shumë lexohet mosbesimi se besimi, pasiguria se shpresa, uria se ngopja, arratisja se ngulimi, inati se mirëkuptimi, rrëmbimi dhe tamahqarllëku për të rrëmbyer edhe atë që s’i takon, se puna e ndershme... Partitë, pra, duhet të ndihmojnë që të restaurohet shpirti i shkatërruar dhe i shkretuar i shqiptarit: që ai të besojë sinqerisht dikë, diku, në një Fe, një Besim, një Moral, të Vërtetën... I hallakatur, ai vërsulet udhëve të Evropës e të Shqipërisë, po shpresa e së nesërmes dhe siguria e jetës sa më modeste e normale (krahasuar me popujt e tjerë) mbeten ende larg... Udhëve të Evropës shqiptarin emigrant po e përndjekin, po e trajtojnë si qytetar të dorës së dytë, ndërsa këtu, në Shqipëri, dhuna dhe uria po e bindin se e nesërmja po vjen e mbaruar me shumë pikëpyetje të frikshme... e tepër e rrezikshme! Askush, që nga kryeministri e deri te kujdestarja e një çerdheje fëmijësh nuk ka më siguri tek e nesërmja.
Kriza e moralit po na mbërthen në prag të ëndrrës për një demokraci të vërtetë. Postdiktatura qenka periudhë tepër e vështirë...
Gjaknxehtë për gjëra meskine dhe të nënshtruar për kryesoret, të shtypur në lirinë e të drejtat themelore të njeriut, por kryeneçë në interesat e vockla, herë të besës, herë të pabesë, ne kemi krijuar (apo ndoshta na kanë krijuar?) një shpirt e një karakter-amalgamë të paaftë për të formësuar, në kushtet e një jetese pluraliste, një identitet dhe një unitet kombëtar që do të mund të përballojë sfidën e përçarjes si dhe të dallojë ç’është kombëtare e ç’është vetjake, ç’është interes i vockël apo i madh, ç’i leverdis të sotmes e ç’i duhet të nesërmes pra, ne nuk dimë të orientohemi në amullinë e përgjithshme për të gjetur rrugën e drejtimin në mes të udhëkryqit, ku s’punon as edhe një semafor, as edhe një sinjal i sigurt nga mund t’i shpëtohet konfrontimit-social; vëllai kundër vëllait!
Kush kërkon arsye e mirëkuptim te një njeri i uritur dhe i egërsuar nga frika e së nesërmes, ose është utopist, ose aventurier e karrierist, ose sharlatan, që kërkon të peshkojë në një det politik të turbullt ku peshqit e gjorë e kapin grepin me qejf...
Të vjen keq kur konstaton se popujt e tjerë të Lindjes, mbi të cilët u eksperimentua gati i njëjti sistem, po e marrin veten e po i kalojnë proceset demokratike me më pak dhembje, ndërsa ne, veç të tjerave, po kërcënohemi edhe nga uria e përgjithshme e mundësia e përplasjeve sociale...
Cilët janë fajtorët?
Të djeshmit, ata që zotëruan këtë vend për gjysmë shekulli, tashmë, dihen... Të paktën gjyqi moral ndaj tyre tashmë mund të quhet i kryer.
Po a mos ka edhe fajtorë të tjerë, të sotëm që na shfaqen herë me fytyra të reja, herë me emra të rinj, herë me kostume “evropiane”, herë me formulën magjike të pajtimit kombëtar të përcjellë nga teoria e “kompleksit kolektiv të fajit”?
2. Kërkojmë të vërtetën
Fjala duhet thënë në kohën e në vendin e duhur. Koha, sidoqoftë, na thërret: s’duhet qëndruar më gojëkyçur; vendi, më tepër se kurrë, është vënë në udhëkryq të historisë. Le të japim secili ndihmesën tonë. Gjykimin tonë të paanshëm le ta shtrojmë në sofrën publike, ku, siç po e provojmë të gjithë, urinë në stomak dhe intolerancën po e shuajmë hëpërhë me dehjen e përditshme nga gazetat, partitë, kronikën parlamentare, pritje-përcjelljet e liderëve nëpër aeroportet dhe ... thashethemet! ... Kërkojmë nga mëngjesi në darkë të vërtetën në detin e trazuar të thashethemeve, të pasigurisë, të etjes për informacion dhe dyshimit për këdo... Ushqehemi kollajshëm me shpifje, manipulohemi lehtësisht, jemi ende larg demokracisë, sepse atë që sot e quajmë të vërtetë absolute, nesër na del kallpë. Jemi, për fat të keq, aq të varfër, sa të mos e kuptojmë se ngazëllimi: e hëngri filani?
Ah, sa mirë! (edhe kur filanin nuk e njohim dhe s’e dimë ç’faje ka bërë), është një ngazëllim demoniak, që e mbillte diktatura për t’i zgjatur jetën vetes. Ndoshta besojmë kollaj, zhgënjehemi kollaj, entuziazmohemi e brohorasim kollaj, ngaqë jemi tmerrësisht të varfër, tmerrësisht të proletarizuar: për më tepër, tani s’kemi as pranga – të vetmen “pasuri” që mund ta humbasim, sipas klasikëve të marksizmit... Njeriu për njeriun qenkësh ujk tek ne, derisa bënim grimasën e popullit më të lumtur në botë... Mos ballë diktatura na ka deformuar të gjithëve në indet e shpirtit e të karakterit aq sa ne s’do të mund të dallojmë fajtorët e së keqes sonë, duke vazhduar t’i hamë kokën njëri-tjetrit qoftë edhe pa shkak? Të egërsuar, të çnatyruar, mos vallë ne do ta kemi tepër të vështirë të rifitojmë vlerat morale pannjerëzore?
Të rrëzosh diktaturën, nuk do të thotë të thyesh xhamat, të shkatërrosh shkollat, të djegësh kulturën kombëtare e të hedhësh në udhëkryq fatin e kombit tënd... Kush është fajtori? Populli jo se jo, megjithëse koncepti popull nuk duhet përftuar më si një masë e ngrirë, amorfe, e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe e destinuar të hiqet për hunde nga mendja dhe dora e Njëshit. Populli është një shumësi njëshash ligjërisht të barabartë, moralisht të bashkuar, por edhe të aftë për t’u shpërbërë e shprishur kur normat morale që bëjnë unitetin kombëtar marrin rrokullimën... Shqiptarëve dhe Shqipërisë le të shpresojmë se nuk ka për t’i ardhur kjo ditë ogurzezë ... e prapëseprapë, për këtë le të hapim sytë e të gjejmë fajtorët e djeshëm, por edhe të sotëm, që po na hedhin në kaos e në dëshpërim.
Gjithsekush le të përgjigjet për atë që thotë, për atë që ka bërë e bën jo për atë që thonë ose paramendojnë të tjerët, nisur nga zilia, cektësia, vështrimi partiak ose interesi i ngushtë i çastit e vetjak. Vetëm dhe vetëm e Vërteta do të na japë dritën e shpresës e të shpëtimit. Por Diogjeni që doli me kandil në dorë për të kërkuar të vërtetën do të ish çmendur në këtë kohën tonë kur për të Vërtetën dhe për Kombin po përbetohen njëlloj të gjitha partitë, të gjithë liderët, të djeshmit e të sotmit, të gjithë demagogët, kameleonët, hajdutët, përdhunuesit, matrapazët, të korruptuarit dhe prostitutat politike!... Ku ta gjejmë pra të vërtetën? Kujt t’i besojmë?
Përçarja dhe lufta e klasave, fryma krahinore, mercenarizmi dhe prirja për kapadaillëk e bajraktarizëm, zilitë e vockëla dhe mosbesimi shekullor ndaj pabesive, mbijetesa në një territor të vogël e të vetizoluar, ngujimi në një hapësirë tepër të ngushtë, leja me anë të ligjit për pasaportizim, banimi në apartament-kuvli, adhurimi i tejzgjatur ndaj kultit të udhëheqësit, shpronësimi absolut dhe varfërimi moral i organizuar dhe i instrumentalizuar e bënë shqiptarin një individ të depersonalizuar, të tjetërsuar, të paqëndrueshëm, të komplikuar dhe të paaftë për të mbrojtur interesat vetjake e sidomos ato gjithëkombëtare. Sistemi socialist e detyroi atë të vjedhë, të mashtrojë, të dyzohet, të përdorë maskat për të mbijetuar, të njohë e të pranojë pra edhe prostitucionin politik.
Periudha e postdiktaturës shërben për shpëlarjen e të gjithë këtyre gjynaheve, mëkateve e fajeve të diktaturës. Kjo periudhë do të zgjasë aq sa e meritojmë, domethënë, aq sa ka mundur të na çnatyrojë diktatura. Sa më të gjatë, më dramatike dhe më të mundimshme ta bëjmë posdiktaturën, aq më kollaj do ta kenë të fshihen fajtorët e vërtetë, aq më lehtësisht opinioni publik do t’i besojë (nesër) një prostitute që hiqet e shtiret sot si virgjëreshë!
3. Të gjithë janë kundër. Të gjithë kanë qenë
e domosdo janë “opozitë”
Pasi rrëzohet diktatura dhe monumentet e kulteve të saj, dalin shumë njerëz që nguten të dëshmojnë se kanë qenë opozitarë, demokratë, martirë, luftëtarë, filozofë të botës së re, politikanë etj. Të krijohet përshtypja se diktatura s’ka qenë gjë tjetër, veç një balonë me formën e një tigri prej letre, të cilën, çudi si e paskemi duruar dhe pasur aq frikë... Nuk gjen më njerëz që kanë pas qenë shtylla e sistemit, teoricienë të tij, mbrojtës dhe instrumentistë të diktatorit. Të gjithë nxitojnë drejt demokracisë të gjithë paskan qenë ithtarë të saj. Madje, tek ne po ndodh një çudi tjetër: të gjitha gaztat flasin “kundër”, pra, të gjithë kanë pas qenë, e, domosdo, edhe janë opozitë. Askush nuk flet me gjuhën e “pozitës”.
Të përkëdhelurit qahen më shumë se të munduarit, kështu që ai që është me sedër e dinjitet preferon të heshtë, qoftë edhe ish i burgosur politik ose ish i burgosur me ... harrim. Askush nuk e pranon për të vetën atë pozitën tashmë kundërshtare: pozitën e mbrojtësit të ideologjisë dhe politikës së djeshme, pa të cilën (atmosferën e dypalësisë) s’mund të ketë pluralizëm të vërtetë. Ne akoma nuk kemi një gazetë të qeverisë apo një buletin të Parlamentit. Rrezik, edhe po të hapet një gazetë e qeverisë, ajo me siguri do të kërkojë të jetë opozitare me qeverinë, për të qenë interesante dhe e shitur(!). Mungojnë në shtyp dy palët kundërshtare: pluralizëm i vërtetë nuk do të thotë vetëm dy: siç e kemi tani parlamentin, por shumë; aq më keq kur edhe pse shtypi është bërë tepër interesant dhe ka merita të jashtëzakonshme, nuk po kuptohen dot taktikat dhe strategjia e tij.
Synohet: a) shkatërrimi total i së djeshmes nga pozitat e Neronit; b) dënohet e djeshmja për t’u vetedukuar e bindur se ajo që ishte s’do të duhet të ringjallet kurrë më në as edhe një formë; apo c) shkatërrojmë për të ndërtuar e rindërtuar? Shaj, përçmo, mbill farën e dyshimit, bëhu me çdo kusht opozitar, fyej dhe rrëzo, sidomos ata që kanë vlera morale për shoqërinë – ja cili duket dhe është në fakt morali i sotëm i disa gazetave dhe gazetarëve të padëgjuar në monizëm.
Periudha historike e një kombi, qoftë e dështuar, qoftë e keqe, është, prapëseprapë, pjesë e tërë historisë, ndaj, si e tillë, duhet t’i nënshtrohet analizës, argumentit, shkencës dhe qëllimit për t’i shërbyer jo politikave partiake të çastit, por qëllimit afatgjatë kombëtar, ruajtjes së dinjitetit kombëtar dhe dinjitetit të individit. Historia nuk konservohet, nuk mund të shuhet si shiriti i magnetofonit, nuk glorifikohet dot përjetësisht, nuk përbuzet; vetëm partitë fashiste e komuniste e udhëheqësit e tyre e trajtojnë historinë si plastelinë ose si tryezë makijazhi për portretet e tyre; ndaj historia hakmerret ndaj tyre. Në qoftë se vepra teorike e praktike e E. Hoxhës u kthye kundër E. Hoxhës, ne nuk duhet të lejojmë që E. Hoxha, edhe pas vdekjes, të vazhdojë të na përçajë, të na vërë kundër njëri-tjetrit, të na shkatërrojë besimin tek e sotmja dhe e ardhmja me veprën e tij “të pavdekshme”.
Le të marrim shembull dy Gjermanitë e ndara e të munduara. Imazhi i Hitlerit që shkaktoi miliona viktima dhe që solli jo vetëm shkatërrimin ekonomik dhe njerëzor të Gjermanisë, por edhe ndarjen e saj më dysh; madje edhe vënien e këtij vendi të madh në “bankën e të akuzuarit” – nuk i bëri gjermanët të bjerrin besimin te Gjermania, te bashkimi, nuk i kaploi urrejtja për njëri-tjetrin, nuk e lejuan kombin të bjerë në anarki, në shkatërrim dhe humbje të perspektivës. Dështimi i nazizmit që nuk u bë me rrugë paqësore, as emri i Hitlerit, nuk solli në këta 50 vjet urrejtje kombëtare edhe pse Gjermaninë e ndarë më dysh tentuan ta bëjnë arenën kryesore të ballafaqimit të dy ideologjive, të Luftës së Ftohtë dhe të lojës me nervat e njerëzimit për mundësinë e shpërthimit të së tretës luftë botërore...
Gjermanët nuk ranë më në grackën e lojërave politike të të tjerëve dhe e realizuan rimëkëmbjen ekonomike dhe bashkimin, rrëzuan Murin e Berlinit dhe u bënë simbol jo vetëm i uljes së tensioneve dhe i shkatërrimit të Luftës së Ftohtë, por edhe i bashkimit të kombeve...
Për fat të keq, ky shembull nuk po hyn në moralin tonë të sotëm politik, në lojën e sotme të partive dhe në ndërgjegjen tonë vetjake, jo vetëm pse trysnitë partiake mbi shqiptarin janë tejet të ngarkuara me interesa të ngushta e imediate, por edhe pse cilido individ, qoftë ky fshatar, punëtor, intelektual, madje edhe deputet, lider partie, ose ministër është aq i varfër e i zhveshur materialisht sa ... sapo të mbetet 30 ditë pa rrogë e pa tallon, ai e familja e tij janë vetvetiu të rënë në grevë urie...
Nuk ka si shpjegohet korrupsioni që po ndodh me ndihmat dhe ilaçet. Kam frikë se sulmet ndaj depove që po bëjnë disa turma të egërsuara njerëzish nuk kryhen vetëm nga paniku i urisë, por edhe për të mbuluar korrupsionin që ndodh në tërë piramidën e sotme shtetërore. Bakshishet për dhënie licencash të huajve dhe lejet për dhënie trualli janë vetëm një pjesë e këtij korrupsioni.
Shkrimi u publikua sot (18.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)