Vendimi erdhi pas votimit të ditës së djeshme me 328 vota pro për t’i hequr Viktor Janukoviçit funksionin si President i Ukrainës.
Parlamenti ukrainas po ashtu votoi që t’i merret rezidenca presidenciale Yanukovych-it e t’i dorëzohet shtetit.
"Ende nuk dihet se ku ka shkuar Yanukovych pas largimit të tij të shtunën nga kryeqyteti Kiev. Arsen Avakov, i cili u zgjodh nga parlamenti dje si ministër i Punëve të Brendshme, konfirmoi se kufitarët kishin parandaluar Yanukovych që të largohet nga shteti përmes aeroportit në qytetin lindor Donetsk."- shkruan "Europa e lirë".
Parlamenti gjithashtu votoi për të larguar nga detyra, Ministrin e Jashtëm Leonid Kozhara. Ndër projektligjet e tjera për t’u miratuar nga parlamenti pritet të jenë shpallja e jashtëligjshme e partisë së ish-presidentit Janukoviç, partia e Rajoneve, partinë Komuniste ukrainase, si dhe të gjithë zyrtarët e lartë të qeverisë së vjetër dhe të presidentit Janukoviç.
Megjithëse kërkesat e opozitës u plotësuan të gjitha me largimin e Presidentit, të kryeministrit, si dhe rikthimin e Kushtetutës së vitit 2004, protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Pavarësia”. Ditën e djeshme ish-kryeministria Julia Timoshenko u bëri thirrje protestuesve të mos largohen nga sheshi dhe ta çojnë deri në fund protestën e nisur.
Timoshenko kërkon dhe ndjekjen penale të të gjithë përgjegjësve të vrasjeve gjatë ditëve të fundit.
Vetëm gjatë kësaj jave, më shumë se 100 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 600 të tjerë mbetën të plagosur nga përleshjet me forcat e rendit. Protestat në Ukrainë nisën në muajin nëntor, kur ish-Presidenti Janukoviç refuzoi të firmosë një marrëveshje tregtie me BE.
URDHEROHET ARRESTIMI I KRYEPROKURORIT
Parlamenti në seancën e sotme votoi edhe për një urdhëresë me të cilën kërkohet arrestimi i ministrit të të ardhurave dhe taksave Oleksandr Klimenko dhe ish-kryeprokurorit të shtetit Viktor Pshonka.
Kryeprokurori në detyrë i Ukrainës, Oleh Makhnytsky, tha se “një hetim është hapur, ndërsa në të po punonë një grup operacional hetuesish, për t’i kapur të dyshuarit dhe t’i sjell para drejtësisë”. Ministri i ri në detyrë ukrainas, Arsen Avakov, i tha parlamentit të dielën se policia është duke punuar me zyrën e prokurorit të shtetit për të hetuar “krimet e rënda kundër popullit ukrainas, përfshirë edhe ish-krerët e shtetit”
ZGJEDHJET E 25 MAJ
Me zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në 25 maj të këtij viti mbetet për t’u zgjidhur vetëm çështja e kryeministrit të ri. Një ndër kandidatët kryesorë është Vitali Klitçko, kryetar i partisë Aleanca Demokratike Ukrainase për Reforma.
Ish-kampioni i botës në boks Klitçko ishte figura kryesore e opozitës gjatë protestave në vend duke zbritur shpesh herë në sheshin Pavarësia së bashku me protestuesit.
Rival i tij, njëkohësisht dhe aleat në opozitë është dhe Arseni Jatsenuk. Ish-presidenti Janukoviç një muaj më parë i ofroi atij postin e kryeministrit të vendit, me Klitçko si zv. Kryeministër, ofertë kjo e refuzuar nga opozita.
SHBA PERSHENDET LIRIMIN E TIMOSHENKOS
Shtetet e Bashkuara të Amerikës monitorojnë nga afër zhvillimet në Ukrainë.
“Populli duhet të vendosë vetë për të ardhmen e tij”- bën të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një njoftimi për shtyp ku ka përshëndetur lirimin nga burgu të ish kryeminstres Julia Timoshenko, duke i uruar edhe shërim të shpejtë.
Mbrëmë, pas lirimit nga burgu, Julia Timoshenko ka vendosur kurora me lule për të nderuar viktimat e sheshit ‘Maidan’, në Kiev ku u shpreh, gjatë intervistës së parë për një televizion të huaj, ”Itv”, ”ata janë heronjtë e mi”.
“Heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse do të jenë gjithmonë frymëzimi ynë”, u shpreh Julia Timoshenko duke përshëndetur turmën e mbështetësve të saj në sheshin ‘Maidan’ në Kiev.
Redaksia online
(ed/sg/shqiptarja.com)