Zëvendësministrja e Jashtme ukrainase Mariana Betsa ka deklaruar se SHBA-ja duhet të vijojë me negociatat midis Kievit dhe Moskës për arritjen e një armëpushimi mes dy vendeve.

"Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar njëfarë përparim. Ishte minimal, por megjithatë ndodhi. Është e rëndësishme për ne që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të ndërmjetësojnë dhe që këto negociata të vazhdojnë, sepse arritja e paqes është qëllimi kryesor që Ukraina po ndjek sot", tha zëvendësministrja e Jashtme ukrainase Mariana Betsa në një deklaratë në Konferencën Lennart Marti në Talin.

Betsa vuri në dukje se negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë aktualisht janë bllokuar për shkak të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, duke shprehur shpresën se interesi i Uashingtonit për paqen në Ukrainë do të rritet përsëri së shpejti.

Ndërkohë sulmet mes dy vendeve janë përshkallëzuar. Pas sulmit masiv ajror të Rusisë në Kiev në fillim të kësaj jave që la 24 të vdekur, Ukraina nisi me goditjet e saj: 600 sulme me dronë ndaj Rusisë, veçanërisht Moskës, duke rezultuar në katër viktima. Ukraina e përshkroi si "sulmin më të madh që nga fillimi i pushtimit".