TIRANE - Pas marrjes së pasaportës komunitare në Suedi dhe transferimit te ekipi i Lacios përsëri nuk mbarojnë problemet për Etrit Berishën që gjendet përballë një tjetër telashi të madhe këtë fillim edicioni që mund ta penalizojnë duke i hapur shumë punë në momentin më të mirë të karrierës së tij futbollistike. Ekipi i Kievos ka vendosur që të ankohet në FIFA për prishjen e njëanshme të kontratës së Berishës. Lojtari firmosi një kontratë me klubin veronez në fillim të korrikut, e cila më pas u cilësua si e parregullt nga ana e Berishës, që ditët e fundit vendosi të transferohet te ekipi i Lacios.

Por Kievo nuk tërhiqet duke i nisur një notë proteste FIFA-s. Sipas rregullores një futbollist nuk mund të firmosë një kontratë me një tjetër klub, pa hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës me ekipin aktual. Kievo shtrëngohet fort pas këtij fakti duke deklaruar se Berisha ka firmosur në qershor, ndërsa kontrata e tij me Kalmarin skadonte në 31 janar.

Në rast se Berisha vërteton që kontrata me Kievon është firmosur në korrik, kohë dhe kur është bërë e ditur atëherë futbollisti u shmanget të gjitha problemeve. Aktualisht futbollisti i ekipit kombëtar të futbollit është grumbulluar me ekipin për ndeshjen që Shqipëria do të zhvillojë përballë ekipit të Sllovenisë në Lubjanë më datë 2 shtator. Berisha është një pikë shumë e fortë e ekipit kombëtar të futbollit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)