HONG KONG - Ai është në qendër të vëmendjes. Bëhet fjalë për ish-teknikun e CIA-s, Edward Snowden, për të cilin është realizuar një film me metrazh të shkurtër. Videoja 5-minutëshe me titullin "Verax", e hedhur në YouTube është realizuar nga katër miq kineastë në Hong Kong, të cilët janë treguar më të shkathët se Hollywoodi.

"Dëshira e të qënit të parët që prodhonin diçka mbi këtë çështje, ishte tejet stimuluese",-tha Edwin Lee, kineasti dhe montazhieri i filmit.

Filmi flet për historinë e ish-konsulentit amerikan i cili zbuloi nëpërmjet intervistës së tij me të përditshmen britanike "The Guardian", programin e përgjimeve të komunikimeve eletronike të qytetarëve amerikanë.

Snowden ndodhet aktualisht në aeroportin e Moskës. Ai ka kërkuar azil politik në 21 shtete.