Studentët shqiptarë të filmit do të mund të studiojnë në disa nga shkollat më prestigjioze të kinemasë në Europë me bursa të plota, falë bashkëpunimit që Qendra e Kinematografisë ka nisur me akademi filmi në Itali, Francë dhe vende të tjera për të rritur nivelin profesional të kineastëve të rinj.

I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, drejtori i Qendrës së Kinematografisë, Jonid Jorgji, tha se janë lidhur marrëveshje me disa nga institucionet më prestigjioze të filmit, ku kineastët shqiptarë mund të ndjekin studime dhe specializime.

Mes tyre janë FAMU në Çeki, La Femis në Francë dhe akademia e kinematografisë në Romë. Studentët shqiptarë mund të ndjekin gjithashtu kurse profesionale edhe në institucione si shkolla e RAI-t në Perugia.

Sipas Jorgjit, mundësia është e hapur si për studentët që kanë përfunduar studimet bachelor në Shqipëri, ashtu edhe për profesionistë të rinj që duan të specializohen më tej në fusha të ndryshme të kinemasë. Ata që pranohen në këto programe do të përfitojnë mbështetje të plotë financiare.

“Ajo që ndërmorëm me Qendrën e Kinematografisë ka qenë që të bëjmë marrëveshje me shkollat më të mira të filmit që ndodhen në Europë dhe botë, siç është FAMU në Çeki, La Femis në Francë, Cinematografia në Romë dhe shkolla të tjera apo kurse shumë profesionale që lidhen me media e shtëpi produksioni siç është shkolla e RAI-t në Perugia ku mund të çojmë studentët tanë dhe ata që kanë mbaruar një Bachelor në Shqipëri ose ata që janë profesionistë të rinj dhe duan të edukohen më tepër në fusha të ndryshme të kinemasë, po u japim mundësi që të shkojnë në shkollat më të mira të filmit duke u paguar bursën e plotë. Përveç tarifës së shkollës paguhet edhe jetesa që të bëjnë një dyvjeçar të plotë në këto shkolla të mira. Ndërkohë po i bashkangjitemi edhe disa programeve ekzistuese në Shqipëri siç është ai i Ambasadës Britanike apo i ADF-së për masterat në Amerikë ku po mundohemi të injektojmë profesionistë nga kinemaja që duan të zhvillohen në shkollat më të mira në Angli dhe Amerikë që janë të vështira për t’u aksesuar”, tha ai.

Përzgjedhja e kandidatëve bëhet përmes konkurseve që organizojnë vetë shkollat e filmit. Studentët shqiptarë duhet të kalojnë të njëjtin proces aplikimi dhe vlerësimi si çdo kandidat tjetër ndërkombëtar.

“Të gjitha këto shkolla janë me konkurs. Ndaj studentët tanë, kineastët tanë të rinj, do të kalojnë atë konkurs që kanë shkollat. Në momentin që pranohen nga shkolla si çdo student tjetër, ne jemi dëshirë plotë dhe të gatshëm të paguajmë çdo shpenzim që do kenë sa i përket edukimit dhe jetesës. Çdo program zgjat nga 3 muaj në 2 vjet”, tha ai.

Jorgji tha se aktualisht po rritet mbështetja për projektet kulturore dhe për industrinë e filmit, ndërsa janë ndërmarrë edhe disa hapa ligjorë që synojnë të sjellin më shumë financime për artin dhe kulturën.

“Projekte të ndryshme kulturore po mbështeten dhe subvencionohen. Është një gjë e mirë. Ka ardhur koha për të investuar tek kultura. Kinematografia ka një potencial shumë të madh ekonomik dhe po investohet në disa elementë të kinematografisë. Elementi i parë është ligji i ri i kinematografisë, i dyti është ligji për sponsorizimet në art, kulturë dhe sport që do t’i japin një frymëmarrje të re të gjithë buxheteve që lidhen me filmin, artin dhe kulturën dhe kemi një ligj tjetër që ka të bëjë me artin në anë të tenderave. Pra paratë që kursehen nga tenderat publikë të shkojnë në aktivitete artistike. Ky moment është shumë i përshtatshëm për ta parë kinemanë si një potencial ekonomik por edhe për të ngritur këtë industri që ka kaluar vështirësi të mëdha deri më sot. Shkalla e parë që duhet të arrijmë është niveli profesional i kineastëve të rinj që dalin nga shkollat. Kjo bëhet nëpërmjet një mbështetjeje kryesisht tek edukimi”, tha ai.

Sipas tij, paralelisht me investimin te edukimi i të rinjve, synohet edhe zgjerimi i infrastrukturës së kinemasë në vend.

“Ne duam të edukojmë brezin e ri, të sjellim investitorët që duan të investojnë në infrastrukturë kinemaje dhe të ndërtojmë sallat e kinemasë që filmat të shkojnë sa më pranë publikut”, tha ai.

Në këtë kontekst, Jorgji njoftoi se gjatë këtij viti pritet të hapen edhe 7 kinema të reja në Shqipëri.

“Do kemi 3-fishin e atyre që kemi. Ky numër do shumëfishohet në vitet në vazhdim”, tha ai në Report TV