Kinostudio, kujtimet e Endri Kekos
dhe këshilla e Enverit për të huajt

Kinostudio, kujtimet e Endri Kekos<br />dhe këshilla e Enverit për të huajt
Vijon që nga dita e djeshme ky dosier i Shqiptarja.com me rastin e gjashtëdhjetëvjetorit të inaugurimit të Kinostudios “Shqipëria e re” më 10 korrik të vitit 1952. Ditari i Endri Kekos dhe fotot e prezantuara për herë të parë në gazetën tonë kanë dhënë në një mënyrë të veçantë gjithë atmosferën e përgatitjes së kinoditarit të parë shqiptar dhe inaugurimit të saj. Kjo atmosferë është e riparo në këtë jubile nëpërmjet përpjekjes dhe emocioneve njerëzore ku lexuesi ka parapara syve autorin e këtij ditari regjisorin Endri Keko, Artist i Popullit, njëri prej themeluesve të kinematografisë shqiptare. Emrat e personazheve të tjerë Xhanfise Kekos, Jani Nanos, Petraq Lubonjës, Koço Tollkos dhe Mihal Çarkës që nisën punën si kineastë në një konostudioe ende të painaguruar vinë të gjallë nëpërmjet kronikave të 60 vjetëve më parë. Puna e tyre dhe operatorëve Hamdi Ferhati, Mandi Koçi, Sokrat Musha e Agim Fortuzi në janë prezantuar në kinoditarin e parë, që u shfaq më 10 korrik 1952, ditën e inaugurimit të Kinostudios. Si erdhi Enver Hoxha ne Kinostudio. Sa i emocionuar ishte ai dhe të tjerët që Shqipëria vetëm tetë vjet pas luftës do të kishte një kinostudio. Gëzimi i Hoxhës për këtë vepër duket i sinqertë, sicc del edhe nga fotot e Dosierit. Veshja e tij e veçantë dhe me një stil ekstravagant në atë kohë premtonte një liri të artit dhe kinemasë. Tek ai dallohte qartë një magjepsje gjatë ditës së inaugurimit. Ja dhe kinoditari në duart e tij, të cilën artistë e përgatitën netëve pa gjumë, siç tregohet në ditarin e Endri Kekos. Kino-ditari do të hynte në histori si i pari prodhim kinematografik shqiptar i realizuar tërësisht nga kineastët shqiptarë dhe ky ditar ka akoma më shumë vlerë kur protagonistët e kësaj ngjarjeje të shënuar janë ndarë nga jeta. Pra në faqet e këtij ditari do të ndjekim si u përgatitën dhe çfarë ngjau në ditën e përurimit të Kinostudios “Shqipëria e re”. Si hyri Enver Hoxha ne Kinostudio dhe si e përjetoi atë regjisori Endri Keko, autor i ditarit.

I
E Enjte, 10 Korrik 1952
Dola nga shtëpia pa lindur mirë dielli dhe mora rrugën për në Kinostudio.
Mëngjesi ishte me qiell të pastër dhe i freskët.
Anembanë, në shtylla telefoni dhe elektriku, në ballkone e në dritare, ishin varur flamuj e parulla. Përkujtohet dita e krijimit të Ushtrisë sonë Popullore.
Rrugës, takova dhe shumë nga ata që sot e tutje do të përbëjnë kolektivin e Kinostudios. Më duket si çudi që po e fillojmë punën me kaq pak njerëz, një pjesë e mirë fare të rinj, pesëmbëdhjetë - gjashtëmbëdhjetëvjeçarë. Edhe pse shumica nuk e kanë idenë e punës në kinematografi, tek të gjithë ndihet entuziazmi për punën që na pret në të ardhmen.
Kur hymë në Kinostudio ora po shkonte gjashtë. Çdo gjë shkëlqente. Më bukur as që mund ta imagjinoja. Edhe zogjtë sot sikur këndonin ndryshe. Një ndjenjë e thellë kënaqësie më pushtoi.
Disa minuta më pas erdhi Misto Treska me Fatmir Gjatën. U treguam kopjen e re të kinozhurnalit. Nuk patën vërejtje. Dolëm. Në ecje e sipër më kapi për krahu shoferi që i kishte sjellë ata.
- Megjithëse sot keni shumë punë, - më tha ai, - dua të të kujtoj që, kur të bëni ndonjë film për luftërat e para, mos harroni të më nxirrni edhe mua se kam qenë shofer i Fan Nolit sapo u bë kryeministër.
- Mirë, - i thashë, dhe mbajtja shënim emrin e tij: Kolë Beltoja.
Vetvetiu më erdhi ndërmend një porosi e pedagogut tim Ilia Petroviç Kopalin gjatë leksioneve në Moskë... Ajo që sot mund të duket e parëndësishme, nesër mund të vlejë shumë. Pa fakte, dokumentaristi nuk mund të bëjë asnjë hap. E tërë puna e tij është e ndërtuar mbi faktet.
Jashtë, në oborr, teknikët e Kinostudios dhe të Radio - Tiranës vazhdonin punën për vendosjen e mikrofonave dhe altoparlantëve. Pas disa minutash, dolën aty edhe kinooperatorët me aparatet e xhirimit.
Në orën nëntë rruga përpara Kinostudios ishte mbushur plot me njerëz që kishin ardhur nga qyteti më këmbë apo me biçikleta, karroca, kamionë, pajtonë. Kishte aty nëpunës e ushtarakë, punëtorë, nëna dëshmorësh, invalidë të luftës, nxënës, artistë, shkrimtarë.Ndërkohë, fshatarët që kishin ardhur nga ana e Dajtit lëviznin ngadalë përbri kangjellave të oborrit të Kinostudios dhe prej andej përpiqeshin të shikonin sa më mirë ato që i tërhiqnin më shumë në vështrimin e parë, statujat mbi hyrjen kryesore.
A kishte kënaqësi më të madhe për grupin e skulptorëve dhe piktorëve tanë që punuan këtu për muaj të tërë... Odise Paskalin, Llazar Nikollën, Janaq Paçon, Andrea Manon, Shaban Hadërin, Enver Toptanin, Vangjush Mihon, Abdurrahim Buzën, Nexhmedin Zajmin, Sadik Kacelin, Qamil Grezdën?...
Kur ora po afronte dhjetë dhe oborri i Kinostudios ishte mbushur plot, dikush porositi që të pakësoheshin lëvizjet e tepërta. Kaq u desh. Anembanë u hap lajmi se në inaugurimin e Kinostudios do të vinte vetë Enver Hoxha.Të mëndhenj e të vegjël filluan të shtyhen, të ngjeshen, të ndërrojnë vendet, të dalin përpara. Eshtë dëshira e të gjithëve për ta parë sa më afër udhëheqësin.
Shkova tek operatorët. Jani Nano me Mehmet Kallfën morën aparatin me gjithë stativ dhe e vendosën pranë hyrjes kryesore. Kjo lëvizje e bërë me shpejtësi hoqi nga njerëzit edhe atë pak dyshim që mund të kishte mbetur për ardhjen e Enver Hoxhës. Filluan këngët, parrullat, duartrokitjet. Dita e filmit po festohej si një nga ngjarjet më të mëdha të Shqipërisë.Jetoj me këtë atmosferë dhe mendja më shkon tek një i njohuri im i largët, Andrea Stamati. Sa mirë do të ishte sikur të ndodhej edhe ai sot këtu dhe të shikonte me sytë e tij se ç’është e zonja të bëjë Shqipëria jonë!...
Isha takuar me të fare rastësisht, në korrik të vitit 1951, gjatë një udhëtimi me tren nga Xhauxhikau, një qytet në jug të Bashkimit Sovjetik, për në Moskë. Nuk e di se si ndodhi, por, ai me ta marrë vesh se unë isha shqiptar, m’u afrua dhe m’u lut që ta vazhdonim rrugën bashkë. Ishte nga Thesalia e Greqisë, një djalë rreth të tridhjetave dhe shumë i përzemërt. Më tha se merrej me kinematografi dhe se kishte grumbulluar një material të bollshëm për të shkruar historinë e kinematografisë së vendeve të Ballkanit. E pyeta se çfarë dinte për kinematografinë e Shqipërisë. Hapi një fletore dhe filloi të më tregojë. Nuk po u besoja veshëve. Sipas shënimeve të tij, kinematografinë tonë e kishin krijuar në vitet e para të çlirimit, jugosllavët. Ata, duke u mbështetur gjoja në kërkesën e bërë prej nesh, kishin marrë përsipër të krijonin bërthamën e kinematografisë shqiptare dhe për këtë kishin dërguar në Tiranë dy operatorë, Lubisha Ivkoviçin dhe Nebosha Lolin. Këta, gjithnjë sipas tij, pas një pune të organizuar teorike që kishin bërë me disa nga njerëzit tanë dhe nga një aktivizim i gjithanshëm i tyre në disa dhjetëra filma kronikalë e dokumentarë që kishin xhiruar gjatë viteve që qëndruan në Shqipëri, kishin krijuar mundësitë që Shqipëria të kishte tashmë kinematografinë e saj...E tmerrshme!... Përballë këtij trillimi të pashembëllt, m’u desh t’i tregoja qetësisht bashkëudhëtarit tim se, jugosllavët (ndoshta operatorët Ivkoviç dhe Lolin) gjatë viteve 1946 - 1948 kishin realizuar një apo dy kinoreportazhe mbi Shqipërinë por jo të kërkuar prej nesh pasi nga viti 1946 gjithçka ka ndodhur aty i kanë xhiruar dy kinooperatorë shqiptarë. Kjo është “ndihma” jugosllave për të cilën ata kërkojnë që ne t’u njohim meritën e krijuesve të kinematografisë shqiptare... Pastaj i tregova se, para jugosllavëve në Shqipëri kanë xhiruar austriakët në vitet ‘30 dy filma dokumentarë, sovjetikët menjëherë pas çlirimit xhiruan një film dokumentar, pa folur për italianët që në vitet ‘20 - ’30 kishin xhiruar dhjetra kronika dhe kinozhurnale, megjithatë, askush nuk e ka pretenduar një gjë të tillë... Në fund, ju prezantova duke i thënë se, unë isha një nga gjashtë shqiptarët që po përgatiteshin në Moskë për të punuar në Kinostudion që do të hapej së shpejti në Shqipëri dhe se, ashtu si ne, ishin përgatitur edhe të tjerë shqiptarë në Pragë e Moskë...
Ja thashë bashkëudhëtarit tim të gjitha këto, që ai të mësonte të vërtetën dhe të ndahej prej meje i qartë se, krijues të kinematografisë shqiptare janë vetëm shqiptarët...
Në orën dhjetë, dikush thirri: “Erdhi!” Si të gjithë, edhe unë ktheva kokën andej nga pritej të vinte udhëheqësi. Pa kaluar disa sekonda, tek hyrja kryesore pashë të zbriste nga vetura Enver Hoxha i veshur me kostum të bardhë. Pas tij, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Omer Nishani, antarët e Byrosë Politike Hysni Kapo, Gogo Nushi, Beqir Balluku e Spiro Koleka dhe nënkryeministri Bedri Spahiu.
Oborri oshëtiu nga ovacionet e pandërprera.
Shikoja rreth e rrotull se si njerëzit s’përmbaheshin dot nga gëzimi dhe më vinte inat që këtë tablo të mrekullueshme, ne nuk ishim në gjendje ta xhironim në film me atë bukuri dhe ato emocione që krijoheshin nga çasti në çast. Dy aparatet tona marrës, ashtu si ishin, të mbërthyer në stativa, mund të fiksonin në film shumë gjëra, por ata nuk mund të fiksonin kurrsesi ato që flisnin këtu më shumë se çdo gjë tjetër: detajet. Këtë e kuptoj unë, këtë e kuptojnë edhe kinooperatorët të cilët sot për sot nuk mund të bëjnë më shumë.Me shqetësimin për të dokumentuar sa më mirë gjithshka po ndodhte, xhiruam mitingun ku përshëndetën kryetari i Komitetit të Arteve dhe Kulturës Fatmir Gjata, nënkryeministri Bedri Spahiu, një specialist sovjetik e një specialist shqiptar dhe shkuam vendosëm aparatet përpara hyrjes kryesore të kinostudios ku do të bëhej prerja e shiritit.
Pas disa çastesh shpërthyen duartrokitjet dhe drejt shiritit të kuq u afrua Enver Hoxha. Ai zgjati dorën dhe pasi mori gërshërët nga tabakaja që mbante në duar Xhanfise Çipi, shoqja dhe kolegia ime, preu shiritin duke uruar të gjithë të pranishmit “Ta gëzoni Kinostudion!”.
Ai kapërceu derën kryesore.
Në një moment, ndërsa po ecte nëpër holl, u paraqit nevoja të afrohem pranë tij. Më dha dorën dhe buzëqeshi.
- Puna e parë që ju duhet të bëni, - m’u drejtua Enver Hoxha, - është të mësoni të jini të thjeshtë dhe të mbani kurdoherë lidhje të ngushta me popullin, pasi vetëm kështu do të mund ta njihni mirë jetën e tij, hallet, gëzimet dhe përpjekjet e mëdha. Ju jini në hapat e para të punës, prandaj ato hidhini që në fillim mirë. Merrni nga të huajt atë që u duhet, atë që është më e mira, por para së gjithash, frymëzohuni nga historia e lavdishme dhe puna heroike e popullit tonë pasi vetëm kështu do të mund të pasqyroni me vërtetësi, përpjekjet e njerëzve të thjeshtë në të gjitha fushat e punës ndërtuese dhe krijuese dhe ndryshimet në jetën e tyre. Vetëm kështu do të bëni që filmat tuaj t’i shërbejnë kurdoherë popullit, ta edukojnë atë mirë dhe drejt, ta zbukurojnë jetën e tij.
Me këto fjalë, mbërritëm në repartin e zërit. Ishte vendi ku ne do të shfaqnim kinozhurnalin Nr.1, filmin tonë të parë shqiptar, ideuar, xhiruar, montuar, inçizuar dhe përpunuar, tërësisht me forcat dhe mjetet tona.Zemra filloi të më rrahë me të madhe. Shoh shokët: Hamdiun, Sokratin, Janin, Xhanon, Koçon, Petraqin, Mishën... Të gjithë janë po aq të shqetësuar sa dhe unë.
Në sallë u vendos qetësia.
Nga pulti u dëgjua zëri i Koços: Gati!
Lavdiu fiku dritat dhe shkeli butonin e aparatit të projeksionit.
U mbështeta në karrige dhe i mbërtheva sytë në ekran. Çdo gjë po shkonte shumë mirë. Shumë mirë projeksioni, shumë mirë zëri, shumë mirë reagimi. Kur në ekran dolën punëtorët të lidhur me litar në Shkëmbin e Shkopetit, Enver Hoxha duartrokiti. Duartrokiti edhe kur u nis karvani me grurë nga fshatrat e Lezhës për në depot e shtetit.
Pas dymbëdhjetë minutash dritat u ndezën dhe në sallë shpërthyen duartrokitje. Kishte mbaruar projektimi i kinozhurnalit Nr. 1, i të parit film të Kinostudios “Shqipëria e re”.Enver Hoxha u ngrit në këmbë dhe për disa sekonda nuk foli. Duket priste të afroheshin më afër se kushdo, ata që kishin punuar për realizimin e kinozhurnalit.
- Kinozhurnali ishte i bukur, kishte jetë, gjallëri. Mbi të gjitha, ai është një fillim shumë i mirë dhe i mbarë. Urime! - tha Ai duke na parë e buzëqeshur të gjithëve.
Disa çaste më vonë, tek dera kryesore, kur po ndaheshim, Nesti Zoto, drejtori i Kinostudios, i dhuroi Enver Hoxhës kopjen e kinozhurnalit Nr.1 të cilin ai e mori me një kënaqësi që i lexohej lehtësisht në fytyrë.
- Edhe një herë urime dhe punë të mbarë, - tha Ai dhe na shtrëngoi dorën me radhë, të gjithëve. Ora kishte shkuar dymbëdhjetë. Dielli shkëlqente në kupën e qiellit dhe Kinostudio “Shqipëria e re”, e bardhë si bora dhe e rrethuar prej trëndafilash të kuq, qëndronte si nusja në bash të odës.
Lum kush e ka e lum kush do ta gëzojë!

E Dielë, 29 Qershor 1952
Sot, që në mëngjes herët, me Hamdiun dhe Sokratin, shkuam në selinë e Kuvendit Popullor, ku do të mblidhej Kongresi i II - të i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Vendosëm përkohësisht dy kamerat në pikat bazë (tribunë - sallë) dhe u ulëm të bisedonim rreth planit të xhirimit. Ramë dakord të bënim një suzhet të karakterit informativ, pa hyrë në hollësira mbi raportin dhe pa dhënë me radhë çdo diskutim. Kryesorja do të ishte filmimi i entuziazmit të rinisë sonë.Qysh në minutat e para ndjeva se të dy operatorët kishin diçka që i shqetësonte. I shihja tek bisedonin me njeri - tjetrin ndryshe nga herët e tjera, kontrollonin vazhdimisht funksionimin e kamerave, bënin prova për fokusin (sidomos në drejtim të tribunës), tregonin një preokupim të madh për ndriçimin... Pesë prozhektorët nga pesë kilovatë dhe gjashtë të tjerë nga dy kilovatë që ishin instaluar, nuk përbënin as gjysmën e fuqisë ndriçuese, që i nevojitej sallës. Mbetej që ata të përdoreshin njëherësh kur të xhiroheshin pamje nga tribuna dhe po kështu kur të xhirohej salla. Por, që të mund të bëhej kjo, nevojitej që çdo prozhektor të kishte nga një njeri në dispozicion për ta lëvizur atë shpejt dhe në kohën e duhur. I thashë shokut Pipi Mitrojorgji që merrej me çështje të organizimit në kongres, dhe, ai aty për aty ngarkoi dhjetë të rinj nga të ftuarit, që të na ndihmonin. U duk sikur çdo gjë u zgjidh.Kështu ishte gjendja në orën tetë të mëngjesit. Ndërsa kur vajti ora nëntë pa pesë minuta dhe ne u bëmë gati të filmonim hapjen e Kongresit, ndodhi ajo që na la pa sy e faqe përpara qindra të rinjve delegatë, të cilët ishin ngritur në këmbë dhe përshëndetnin ardhjen në mes tyre të Enver Hoxhës. Prozhektorët nuk u ndezën!
Dola jashtë që të mos më shihte njeri. Pas meje, operatorët, dhjetë të rinjtë e ngarkuar për të qëndruar pranë prozhektorëve dhe disa shokë nga institucione të ndryshme që deshën të informoheshin ose të kërkonin llogari për atë që ndodhi. Të gjithëve u përgjigjej një elektricist i komunales i cili ishte ngarkuar të punonte me ne:
- Nga ngarkesa e madhe e prozhektorëve, u dogjën siguresat e linjës së ushqimit. Defekti nuk është i rëndë, - thoshte ai, - por nuk mund të ndreqet gjatë seancave, pasi rrezikohet djegia e llampave të sallës.
Të trembur se mos na ndodhte ndonjë gjë akoma më e papëlqyer, vendosëm të mblidheshim përsëri në sallën e kongresit gjatë pushimit të drekës.Në orën katër defekti elektrik u rregullua, dhe, në orën pesë, kur në sallën që buçiste nga këngët partizane hyri Enver Hoxha, çdo gjë shkëlqeu si asnjëherë. Na u duk sikur edhe ne, që merrnim pjesë me dritat tona në këtë festë të bukur pune të rinisë, po lanim fajin tonë me punë të mirë. Të pushtuar nga këto ndjenja, operatorët filluan nga xhirimi dhe unë shikoja se si ata filmonin delegatët me dekorata e shenja të sulmuesve në gjoks, të rinjtë me sytë që u shkëlqenin dhe zemrat që u rrihnin fort. Sa keq e nisëm këtë ditë dhe sa mirë e mbaruam! (Pavarësisht se e ndjej që nesër do të ha një dru të mirë). Pësimi le të bëhet mësim. Me kronikën nuk luhet. E kape momentin, e fitove. Të iku momenti, e humbe. Vetëm këtu nuk ka përsëritje.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë