Kioskat e artit dhe politikat kulturore

Kioskat e artit dhe politikat kulturore
Tranzicioni në Shqipëri pas rënies së diktaturës u shfaq simbolikisht me kioskat në kuptim të gjerë pothuaj në gjithë sferat e jetës. Përtej identifikimit të paligjshmërisë, zaptimit të ambienteve jo të duhura, efektit provizor apo dyzimit për mbijetesë, vetë arti funksionoi sinkron me shoqërinë në një sistem të tillë. “Kioskat artistike“ apo kulturore mbinë, lulëzuan, krijuan herë suksesshëm e herë zbehtë fizionominë e një klime të përkohshme, që krahas modernizimit apo nevojës për shkëputje nga e shkuara, me vështirësi krijuan premisa të një rruge të sigurt dhe të politikave të qëndrueshme kulturore.

Përpjekjet për aktivitete artistike në fusha të ndryshme të artit me zigzaket e tranzicionit u shfaqën si mbijetesë shpirtërore e materiale e krijuesve, individëve  përballë një situate kaotike. Aktivitetet  komentohen shpesh  për rëndësinë,  domosdoshmërinë, me justifikimin shqiptar  të terrenit të munguar, të nevojës për të tilla ngjarje, një lloj justifikimi gati infantil që të kujton parrullat e dikurshme, të tipit të vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal ! Si një mantel, kjo është veshja apo ngjyrimi që i bëhet çdo aktiviteti.

E mira e Shqipërisë, ajo që kish humbur ndër vite, e të tjera fraza të cituara, kjo mburojë e marrë nga koha e shkuar tashmë e perënduar, është fasada e rreme e një të vërtete. Individët  apo grupet e individëve në shoqëritë kapitaliste si kjo e sotmja, duke lënë mënjanë mbetjen tonë ideologjike nga e shkuara që është rrënjosur në mendësi, udhëhiqen kudo në botë nga interesa personale dhe monetare.

E thënë më thjesht, arti dhe aktivitete të tilla përfshihen në botën e sotme të individit, që ndonëse vjen  nga fusha e krijmtarisë ose interpretimit është pjesë e shoqërisë kapitaliste me përpjekjet për fitim, famë. Është e drejtë e gjithkujt të kërkojë të realizojë qëllimet, ëndrrat e gjithçka për të cilat ka të drejta, duke u përpjekur si kudo në botë për sukses. 

Kjo pjesë e artistëve që në Shqipëri përfshin jo vetëm anën menaxheriale, por artistë të përfshirë në interesa direkte me aktivitetet përfiton apo mundohet të përfitojë maksimimin e asaj që një shoqëri mund të ofrojë, që nga mbështetja e institucioneve shtetërore, e deri tek mbështetja financiare nga institucione  private, donacione , të huaj etj.

Gjithsecili niset nga interesa personale, është shteti me politikat kulturore ai që përkrah ato veprimtari në bazë të një strategjie të caktuar, në të mirën e përgjithshme dhe në të mirë të vendit dhe interesave të tij në politika afatgjata e më gjerë. Interesat personale dhe grupet e kufizuara të artistëve pranë kioskave artistike , nëse do i quanim kështu, krijuan një hartë sporadike veprimtarish që u shfaqën dhe zhdukën shpejt, pa mundur të krijonin vazhdimësi, pra traditë. Kjo politikë individuale duket se u thellua më tej, derisa arritëm në një moment kur kioskat artistike pushtuan vetë politikën shtetërore kulturore.

Shteti me politikat e tij nëpërmjet Ministrisë së Kulturës duhej të ish rregullatori i këtij sistemi të çakorduar, të një plani që ngjan me një plan ndërtimesh, ku aktivitet mbinë jo në bazë të nevojës së artit në Shqipëri, pra të rregulluar me politikat kulturore, po me nevojën e individit për të përfituar e vënë në shërbim të tij këto politika. Një grup individësh klientelistë të partisë në pushtet, siç ndodh rendom në gjithë qeverisjet tek ne, një grup artistësh më pranë politikës , për arsye klienteliste e nepotike, mbërthyen gjithnjë e më shumë politikat e shtetit për kulturën, më fuqishëm se më parë, duke i vënë në shërbim të interesave të tyre në art.

Kjo sferë, mund të jetë me të ardhura më të pakta se akseset e individëve të tjerë në të tjera fusha, po këtu flasim për politika kulturore që kanë impakt afatgjatë dhe lidhen me të mirën e Shqipërisë në spektër shumë të gjerë. Fondet e Ministrisë së Kulturës kanë qenë të shumta në periudha të caktuara, derisa u tkurrën në fund të mandatit të dytë të qeverisjes së fundit, pasi dhe rrethi i atyre që komandonin strategjitë kulturore në politika e përfitime individësh u kufizua në rrethe të ngushta, politika e aktivitete miqsh, të afërmish.

Teorive se nga lart komandohej gjithçka, i shkon më shumë ideja së në kulturë individët komanduan politikat shtetërore kulturore, duke u kufizuar në aktivitete të realizuara jo sistematikisht. Disa aktivitete rezistuan, u bënë të mërzitshme me të njëjtin format, individë artistë, madje dhe programe gati të njëjta, si pikënisje për realizimin e synimeve të organizatorëve.

Shteti nuk ishte i fuqishëm të drejtonte këtë valë aktivitetesh herë me nivele të suksesshme, e herë në nivele të dobëta, kënaqur me përmbushjen e misionit. Kjo politikë e individit përmbi politikat që do krijonin në Shqipëri traditën e aktiviteteve apo festivaleve afatgjata, që këtu akoma i gjen me vështirësi duket se nuk erdhi kurrë, duke na lënë në veprimtari të cunguara, peng të individëve dhe nevojave të tyre, të stafeve njëjta , të artistëve të njëjtë nga brenda dhe jashtë vendit.

Ngjashmërisht si mungesa e kritikës në art, pasi aktorët që duhet ta realizojnë atë përfshihen në aktivitete, dhe vetë shteti, apo ata që do drejtonin këto politika  u ngatërruan  në rrëmujën e tipit kioskë. Arti u sëmur me të njëjtat simptoma të fushave e tjera të jetës shqiptare, ndërsa ngjashmërisht si muzikantët shqiptarë që në çdo koncert interpretojnë premiera, pa patur mundësi për të tjera interpretime të të njëjtës vepër, aktivitetet tona artistike nuk mundën të fitonin qëndrueshmëri, mbetur në statusin privizor e improvizues, premierave momentale që lëvizën midis vështirësive dhe nevojës për përkrahje nga grupi apo individët pranë politikës në pushtet.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, dt.02.10.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024