Kisha e Shelcanit, degradojnë
afresket e Onufrit, i mbulon myku

Kisha e Shelcanit, degradojnë<br />afresket e Onufrit, i mbulon myku
TIRANE - Afresket e Onufrit në kishën e Shelcanit në Elbasan po shkojnë drejt degradimit. Duke parë veprat e piktorit të famshëm të Mesjetës, duket se e kuqja e tij okër është zbehur. Lagështira ka mbuluar me myk të bardhë dhe blu muret. Ngjyrat e pikturave sa vijnë dhe thërrmohen. Në mes të kishës në pjesën majtas nga hyrja vërehen se janë dëmtuar, jo vetëm pikturat ikonografike, por edhe shkrimet në mure të historive kishtare, të cilat sipas specialistëve janë pjesë nga Bibla.

Fragmentet e Biblës ku përfshihen historitë kishtare janë të skalitura në muret e kishës me një ortografi të rrallë nga dora e Onufrit. Por çarja e mureve ka bërë që këto shkronja të mos lexohen më. Lagështira që dëmton pikturat vjen prej mureve të plasaritura. Plasaritje të reja nga dita në ditë kanë nisur të shkatërrojnë elementët piktorikë dhe etnografikë me të cilat janë zbukuruar pikturat e shenjtorëve. Dihet që Kisha e Shelcës në Elbasan është një nga kishat më të rëndësishme, e cila prej vitesh është mirëmbajtur e vijon të mirëmbahet nga një famullitar, duke shërbyer si muze.

Por ky famullitar me gjithë përkujdesjen dhe rregullin që vë në pritjen e vizitorëve nuk mund të bëj punën e restauratorëve. Prej disa vjetësh famullitari pret e përcjellë besimtarë që ndezin qirinj dhe luten, si dhe qindra turistë të huaj. Turistët kanë treguar interes të madh për kishën e Shelcanit dhe pikturat. Dhe shkrimet shenjta në mur për ta janë tregues shumë interesantë të kulturës së krishterimit para 500 vjetësh në vendin tonë. Mësojmë se IMK-ja e ka lënë pa përkujdesje restauruese kishën, Monument Kulture dhe kjo po e çon drejt degradimit. Deri tani asnjë specialist nga Instituti i Monumentve të Kulturës nuk ka shkuar për të ndjekur dhe parandaluar lagështirën dhe degradimin.

Madje plasaritjet e para janë zënë me gëlqere dhe mjete rrethanore, pasi është vështirë restaurimi për shkak të ndarjes më mes të pikturave. Edhe në atë gjendje vizitorët sërish po tregojnë interes. “Këto ditë ka pasur bum vizitorësh dhe turistësh të huaj”, na kanë bërë të ditur nga bashkia e Elbasanit, ku konkretisht shpjegohet se “Interesin më të madh në këtë kishë vizitorët e kanë për pikturat e Onufrit të vitit 1554”. Megjithatë duke parë këto foto, ku dallohet zbehja e bojës dhe veprimi i agjentëve atmosferikë, nëse nuk parandalohen duke bërë restaurime në kishën e Kishën e Shelcës, nuk do të ketë më ç’t’ju tregohet vizitorëve.

Specialistët e restaurimit thonë se pikturat murale të Onufrit në kishën e Shelcës janë më të thjeshta se ato të kishave të tjera, sepse destinacioni i tyre ka qenë në funksion të shërbesave. Por, megjithatë pikturat e Onufrit mbartin tiparin dallues të stilit të tij. Edhe pse kanë kaluar 5 shekuj në to vërehen tiparet dalluese, ngjyrat e ndezura, e kuqja okër dhe natyrisht materialet që i rezistuan për 500 vjet klimës së lagësht të Shelcanit.

Pas dëmtimit pak muaj më parë të kishës se Vlashit, ku pikturat murale u shkatërruan me mjete të forta, të duket sikur Onufrit të madh po i “afrohet vdekja e ngadalshme”. Veprat e tij mbeten më të rrezikuarat në qarkun e Elbasanit, duke u lënë në harresë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe MTKRS-ja.
 
KISHA E SHELCANIT, NJË HISTORI
 
Përgjatë rrugës Elbasan-Gjinar, ndodhet kisha e Shelcanit, një godinë njëkatëshe në të cilën ruhen afreske të piktorit të famshëm Onufri. Kisha është ndërtuar shumë pranë rrugës kryesore, që shekuj më parë shërbente për të lidhur Elbasanin me qytetet e tjera në Jug, si Fierin, Beratin etj., dhe sipas historianëve, është një dëshmi e qartë e zhvillimeve social-ekonomike të kësaj zone. Këtë gjë e dëshmon edhe fakti se zona e Shpatit në shekujt XIII-XIV zinte një vend të rëndësishëm në organizimin kishtar të vendit, ku u krijua edhe peshkopata e Ispatisë (Shpatit).

Në pikturat murale të Onufrit, në kishën e Shelcanit, vërehet përfshirja e elementit etnografik në figurat e shenjtorëve. Pjesë nga Bibla dhe histori kishtare janë të skalitura në muret e kishës së vjetër, të cilët kanë marrë plasaritjet e para. Afresket në këtë kishë janë më të thjeshta se ato të kishave të tjera ku ka pikturuar Onufri, por si kudo, tipari dallues i tij janë ngjyrat e ndezura dhe plot jetë. Këto afreske i përkasin vitit 1554 dhe konsiderohen si krijime të papërsëritshme.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë