Historiku i kishës së Shën Marisë në Përmet. Le t’i shikojmë ngjarjet e faktet tani paska më me qetësi. Historia zë fill qysh nga shek.XVII. Atëherë u ngrit në qendër të Përmetit kjo kishë dhe shumë njerëz, në kohë të ndryshme, bënë përpjekje që ta shkatërrojnë atë dhe e dimë se ç’ndodhi në kohën e pushtimit gjerman, kur disa bashkëpunëtorë të tyre, i ndihmuan për të bërë pikërisht këtë gjë.
 
Faktet, ngjarjet janë të njohura. Pra, këtë kishë të Tërëshenjtës e shkatërruan dhe thanë më pas që bënë një Vatër kulture, një Shtëpi kulture. Qoftë edhe sikur ta bënin këtë gjë,  Qeveria shqiptare e di mjaft mirë se çfarë kishash ka marrë e konfiskuar në kohën kur u bë persekutimi. 
 
Dhe ata nuk kishin nevojë as për të bërë hetime, as për të bërë komisione, për të marrë vesh se çfarë kishin konfiskuar ata vetë.
 
Ka foto të qarta që tregojnë kishën e Hyjlindëses aty në qendër të këtij qyteti.  Ishte shumë e lehtë që ata të na kthenin në mënyrën më të lehtë këtë vend të shenjtë dhe bënë ligje të veçanta ku thoshin se nëse shteti ka vënë 5 gurë më shumë në atë vend,  Kisha nuk mund ta marrë mbrapsht, ligje që ishin të pamenda dhe mjerane në vetvete.
 
Në fund fare, në vitin 1998, vendosën që të na e kthejnë kishën përsëri  e ne paguam 700 mijë lekë të reja për gjoja disa punime që ata kishin kryer vetë brenda në ndërtesë.
 
Më vonë, nisën vënien në dyshim të kësaj të drejte dhe gjyqet.  Ata që donin ta përdornin këtë vend në qendër si truall për të ndërtuar pallate dhe bërë para për veten e tyre,  paguanin shumë njerëz që të vinin në pikëpyetje se ky vend kishte qenë dikur një kishë.
 
U bë një gjyq, u bë dhe një gjyq i dytë dhe na dhanë të drejtë. Pastaj u bë edhe një gjyq tjetër që sipas dëshmive të disa personave - gjoja autoktonë aty - thanë se kjo nuk kishte qënë kurrë kishë.
 
Pra, gjetën dëshmitarë të gënjeshtërt që deklaruan e vunë në pikëpyetje ato gjëra që sot janë të kuptueshme dhe të ditura. Ata thanë se të gjitha muret e kishës ishin shkatërruar.
 
Kushdo që do, sot mund të shkojë dhe të shikojë muret e stërmëdha të kishës së vjetër që ende ndodhen brenda ndërtesës së sotme ekzistuese. Po nuk duan të dinë cila është e vërteta, nuk u intereson.
 
Ata jetojnë, lëvizin brenda gënjeshtrës dhe në vitin 2002 morën një vendim. Por e dinin se kjo ishte diçka e gënjeshtërt, prandaj për gjithë këto vite nuk guxuan të zbatojnë ndonjëherë këtë vendim të tyrin të marrë në mënyrë të padrejtë.
 
Dhe shikoni: Këtu nuk bëhet thjesht për një truall, për disa degë ulliri. Bëhet fjalë për një vend të shenjtë ku prej shekujsh të tërë kryhet mesha hyjnore e sikurse ka theksuar Asambleja e Kishave të Evropës, që të gjitha vendet e shenjta, çfarëdo qofshin ato, kisha, xhami, teqe duhet t’iu kthehen komuniteteve fetare që iu përkasin.
 
Kjo Asamble, në mënyrë zyrtare, dy herë e ka bërë një deklaratë të tillë dhe,  që të lehtësonim situatën , shkova unë personalisht e u thashë atyre që ne nuk jemi kundër  Qendrës kulturore; kemi për tju ndihmuar ne që të bleni një seli tjetër dhe ta kthejmë atë në një Qendër kulturore të qytetit kur iu dhanë Shtëpinë që kishin oficerët.
 
Ky vend për ne është një vend i shenjtë. Pra, është diçka e pakonceptueshme që këta do të vazhdojnë ta ndosin dhe ta përdhosin. Vunë në lëvizje shumë njerëz dhe madje edhe intelektualë të njohur që të thonë gënjeshtrën e madhe se Kisha jonë Ortodokse dhe Kryepeshkopi, jemi kundër Qendrës kulturore!
 
Ne jemi kundër Qendrës kulturore brenda kësaj kishe-katedrale?! Poshtë saj ne kemi bërë një Qendër kulture;  Kisha Ortodokse ishte ajo që mbështeti qytetërimin, kulturën këtu në Shqipëri dhe të gjitha ato që shfaqen në botë si trashëgimi kulturore, si elementë kulture janë  ortodoks. e Kisha jonë Ortodokse qenka kundër Qendrës kulturore, siç thonë ata?!
 
Kush e ka kultivuar më shumë  kulturën, arkitekturën, muzikën, pikturën, ndihmën reciproke të ndërsjellë nga njeri-tjetri sesa Kisha jonë?!
 
Pra, çfarë qytetarimi, kulture kanë ndërmend këta?! Që të luajnë kumar dhe bilardo aty brenda?!
 
Këto janë ngjarje të hidhura dhe të gjitha me vendim,  se gjithë ortodoksët marrin pjesë në këtë fyerje që na është bërë.
 
Mendoni diçka që është shumë e thjeshtë:  Në rast se një grup ortodoksësh - diçka që kurrë nuk mund të shkojë në mendjen tonë se mund të ndodhë – do të merrte Kuranin e një xhamie dhe ta flakte atë në një kamion, nuk do të ndodhte revolucion?! Dhe kjo gjë do të bëhej me të drejtë, kurse neve na thonë përse protestoni! Sigurisht që kemi për të protestuar! Dhe e përsëris: problemi është se këtu nuk bëhet fjalë për një ndërtesë, por se kemi të bëjmë me një përdhosje, me një sakrillegj. Në të gjitha vendet e qytetëruara, sakrilegjin e quajnë vepër penale të dënueshme.
 
Pra, cilët janë janë ata që duan të na kthejnë mbrapsht në kohëra të tjera apo në vende të tjera ku nuk ka qytetarim fare?
 
Në këto vite që kam ndërmjetësuar, kemi thënë diçka shumë të rëndësishme: Kjo marrëveshje që është bërë midis Kishës dhe Këshillit të Ministrave, u bë dhe ligj e u votua nga parlamenti, nga Kuvendi i Shqipërisë.
 
Në këtë ligj të 22 janarit 2009 thuhet me shumë qartësi se Qeveria do të kthejë mbrapsht të gjitha monumentet që i takojnë Kishës Ortodokse dhe thuhet qartë se shteti garanton lirinë fetare, ushtrimin e kultit madje e mbron diçka të tillë.
 
A nuk është ky një ligj i shtetit?! Po gjykatat, komisionet a nuk janë të shtetit, a nuk i ka caktuar shteti?!
 
 Ligjet që mbrojnë komunitetet fetare dhe Kishën tonë, nuk paskan vlerë dhe paskan vlerë urdhrat që japin disa për të përfituar disa të tjerë? !
 
Këtu nuk bëhet fjalë për një truall dhe edhe pse dua që ta dini që trualli ku ndodhet ndërtesa, 6 dynymë, i takojnë Kishës me dokument.
 
Ne nuk diskutojmë fare për truallin, ne diskutojmë për vendin e shenjtë, lartësojmë zërin tonë, protestojmë për sakrilegjin që është kryer kundër jo vetëm ortodoksëve, po kundër çdo njeriu besimtar në Zot, kundër ortodoksëve dhe gjithë të krishterëve në mbarë botën.  Të gjithë respektojmë vendet e shenjta të komuniteve të tjera në botë.