Dy shqiptarë janë arrestuar në afërsi të portit të Vigos në Spanjë, si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë.
Në një operacion të përbashkët nga Garda Civile dhe Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore të Agjencisë Tatimore, autoritetet kapën një ngarkesë prej më shumë se 80 kilogramësh kokainë të fshehur në një kontejner nga Ekuadori, shkruajnë mediat spanjolle.
Ngarkesa u përzgjodh për kontroll nga Njësia e Analizës së Rrezikut në Doganën e Vigos dhe iu nënshtrua skanimit me rreze X, ku u konstatuan anomali në strukturën e sistemit të ftohjes së kontejnerit.
Agjentët zbuluan 61 pako kokainë, si dhe materiale logjistike që dyshohet se do të përdoreshin për të nxjerrë drogën nga kontejneri, si çanta sportive, një shkallë të palosshme, mjete pune dhe telefona celularë.
Një kontroll i dytë me pajisje radiologjike portative zbuloi edhe nëntë pako të tjera të fshehura në sistemin e ftohjes, duke e çuar sasinë totale mbi 80 kilogramë.
Ky është sekuestrimi i dytë i madh i kokainës në portin e Vigos këtë vit, duke nënvizuar vigjilencën e shtuar ndaj rrjeteve transnacionale të trafikut të drogës.
Komente





