Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektorati Vendor në Vlorë kanë ndërhyrë sot për prishjen e një objekti që shërbente si lokal në lagjen “24 Maji”, ndërtuar në strukturën e pallatit 1300.

Objekti kishte krijuar probleme në strukturën e pallatit, duke penguar për një kohë të gjatë nisjen e rikonstruksionit.

Pas një procesi të gjatë shpronësimi nga Bashkia e Vlorës, u mor vendimi për shembjen e tij, duke i hapur rrugë investimit për restaurimin e pallatit.

Ky veprim vjen pas shqetësimeve të përsëritura të banorëve, të cilët prej vitesh kërkonin ndërhyrje për përmirësimin e kushteve të banesës dhe sigurisë së godinës.

Prishja e objektit konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rikualifikimit urban të zonës dhe garantimit të sigurisë për banorët e pallatit 1300.