Një parcelë e mbjellë me 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa është zbuluar në fshatin Kodërbojë të Pukës, ndërsa në pranga ka përfunduar 58-vjeçari Tonin Lleshi, i dyshuar si kultivuesi i tyre.
Sipas Policisë, ai u kap në flagrancë në parcelën e ngritur në tokë publike, ku ishin kultivuar bimët narkotike. Pas ndërhyrjes së efektivëve, e gjithë sasia e bimëve u asgjësua në vend me djegie.
Kontrollet vijuan më pas në banesën e 58-vjeçarit, ku uniformat blu gjetën një armë zjarri pistoletë, së bashku me një krehër me fishekë. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Goditja e këtij rasti erdhi pas disa javësh hetime të zhvilluara nga Komisariati i Policisë Pukë, të finalizuara në kuadër të operacionit të koduar "Gjurmimi", që çoi në zbulimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".










Komente
Komento