Një nënë e re 27 vjeçare mbylli sytë përgjithmonë në Shkodër, pak ditë pas lindjes së dy binjakëve të saj. 

Bëhet fjalë për Migena Salihin, një grua e re me sytë e shkruar që kishte shumë ëndrra për jetën dhe fëmijët e saj të sapolindur.

Ajo u bë nënë për herë të parë vetëm pak ditë më parë, por për shkak të komplikacioneve shëndetësore të shkaktuara nga një hemoragji e rëndë u shtrua sërish në spitalin e Shkodrës.

Migena kishte nevojë urgjente për gjak të grupit 0 negativ.

Apeli për ndihmë u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe media, duke mobilizuar dhjetëra qytetarë që u nuk hezituan që të dhuronin gjak.

Por pavarësisht dhurimeve dhe përpjekjeve të mjekëve, 27-vjeçarja nuk arriti t’i mbijetojë gjendjes kritike dhe mbylli sytë duke shkaktuar një dhimbje të pamasë për familjarët e saj dhe partnerin, Noelin me të cilin ishte fejuar vetëm 4 vjet më parë.

 Migena kishte pasion gjeografinë dhe ishte një avokate e kauzave mjedisore që i kishte fort për zemër në bashkëpunimin me shoqatën Eko Mendje . Ajo ishte diplomuar për mesuesi në këtë lëndë, në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ku edhe ushtronte profesionin e saj.

Miqtë e saj e përshkruajnë si një vajzë energjike dhe një shembull.

“Sot humbem nji prej vajzave ma energjike, nji prej vajzave fantastike te ktij qyteti. Nji super vajze aktive, familjare dhe shembull ne shoqni. Jena pa fjale, nuk na besohet! Migena, te dona shume fort, gjithmone…”  shkroi aktivisti Mirsad Basha në Facebook, ndërkohë që miqëtë e saj nga shoqata kanë mbjellë edhe një pemë në kujtim të saj, një gjest simbolik për një jetë që u ndërpre kaq herët.

 Në këto momente të vështira, Shqiptarja.com shpreh ngushëllime familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën dhe e deshën Migenën