KKRT: TVSH, 50 % të kohës -
për Berishën, 1.5% Topit

KKRT: TVSH, 50 % të kohës - <br />për Berishën, 1.5% Topit
TIRANE- Që presidenti Bamir Topi kishte të drejtë dje kur atakoi Televizionin Publik Shqiptar, si një televizion që paguhet me taksat e gjithë shqiptarëve, por që u shërben vetëm qeveritarëve, kjo nga shifrat e monitorimit të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, nuk ka më asnjë dyshim.

Por kjo "revoltë" publike e Presidentit të republikës nuk ka qenë pa shkak. Në datën 28 nëntor, festën e Pavarësisë, në TVSH nuk u dha asnjë sqarim se pse nuk u pasqyruan në edicionet informative aktivitetet e kreut të shtetit. Nga Vermoshi në Konispol, në zona fushore apo malore, atje ku shkon sinjali i Televizionit Publik shqiptar, askush nuk mori vesh nëse Presidenti i Republikës, si kreu i lartë i shtetit, kishte shkuar apo jo në Vlorë, apo pati ndonjë mesazh, apo ndonjë pritje, apo nëse kishte marrë ndonjë telegram urimi ashtu sikurse në fakt ndodhi, telegrame nga Presidenti i SHBA Barak Obama, e deri tek presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Por asgjë nga këto, ditën e 28 nëntorit, nuk u transmetua në ekranin e TVSH, në të gjitha edicionet e lajmeve.

Presidenti shfrytëzoi rastin në takimin e fundvitit me gazetarët për të dhënë dy lajme: e para, pranon faktin se ai vitin e ardhshëm nuk do të jetë President i Republikës, dhe e dyta, kërkoi përpara gjithë gazetarëve, një TVSH profesionale dhe larg ndikimeve politike.

"Njerëzit sot kërkojnë një media vërtet të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, Radio-Televizioni Publik Shqiptar. Është hera e parë ndoshta që unë e marr në konsideratë këtë fakt, nuk do të bëj absolutisht asnjë lloj kritike, sepse në këtë atmosferë patjetër ne duhet që të përshëndesim njëri-tjetrin, por një element edhe mund ta hedhim për t'i shërbyer më shumë vitit që vjen që ky Televizion, i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e emrit, por edhe infrastrukturës, por edhe i kontigjentit të gazetarëve, të cilët i përshëndes, duhet që të bëhet më i besueshëm për publikun. E kanë detyrim kushtetues, por nga ana tjetër duhet ta demontrojnë që ëshë një televizion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga orientimi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë për dikë, pra, të jetë një radiotelevizion që duhet të jetë në një farë mënyre edhe pikë referimi për të tjerët" ishte mesazhi i fortë i kreut të shtetit, drejtuar, jo gazetarëve të RTVSH-së, por drejtuesve të këtij institucioni publik që mbijeton me paratë e shqiptarëve.

ÇFARE NDODH?
Nuk është e vështirë të kuptohet se në çfarë gjendje është katandisur sot televizioni kryesor i shqiptarëve. Shifrat e mbledhura nga Këshilli Kombëtar i Radiove e Televizioneve, në monitorim të vazhdueshëm që u bën televizioneve që kanë licensë kombëtare, tregojnë se më së pari, këtij televizioni duhet tia heqin "licensën".

Presidentit të Republikës, dhe institucionit të presidentit, duke nisur nga qershori i këtij viti, por edhe më parë me një vështrim të shpejtë të të dhënave që dalin nga vëzhgimi i kohës në këtë TV, i është lënë afërsisht 1.5 përqind e minutazhit të kohës së edicionit të lajmeve. Ndoshta më mirë kështu, për të folur sa më pak pushtetarët në ekranin publik, e për të folur qytetarët më shumë.

Nëse do të ishte ky variant, do të ishte OK, por duket qartazi se që nga qershori, deri në nëntor, në kohën e monitorimeve që janë bërë, kryeministri merr 22 përqind të kohës së edicionit, deri në 43 përqind, pra gjysma e edicionit të lajmeve, vetëm me lajme me Berishën, për muajin nëntor të këtij viti. Ndoshta është e "pabesueshme" që shqiptarët të kenë parë gjysmën e edicioneve të lajmeve në TVSH vetëm figurën e kryeministrit Berisha në muajin nëntor, por ja që në të vërtetë, ka ndodhur pikërisht kështu.

Për të mos folur më pas për kohën e qeverisë, apo partive politike. Në TVSH, sipas të dhënave të marra në qershor-nëntor PD merr nga 7 deri në 17 përqind të kohës së edicioneve të lajmeve; ndërsa për PS, apo edhe liderin e opozitës Edi Rama, llogariten 5 deri në 6 përqind të kohës së edicionit të lajmeve.

Dhe denoncimi nuk vjen nga operatorët privatë. Por një organ institucional, i zgjedhur nga parlamenti i Shqipërisë, i kontenstuar në mënyrë të vazhdueshme edhe nga opozita për përbërjen e tij. Askush nuk mund të ndryshojë dot, përqindjen e lajmeve që jepen për Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha e kryetarin e opozitës Edi Rama, ndarje e thellim që në muajin nëntor të këtij viti, ka qenë i jashtëzakonshëm.

(Shkrimi u botua sot në gazetën "Shqiptarja.com")

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?