Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, tha në një intervistë për Shqiptarja.com se shteti helen ka mbështetur gjithmonë vendin tonë dhe pritet të ndryshojë qëndrim. Ministrja e Integrimit shprehet me miratimin konsensual të reformës, nuk ka më kthim mbrapa.
Ajo nuk pranoi të komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të marrë ditën e djeshme, por tha se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet. Sa i takon situatës së kanabisit në vend, Ministrja e Integrimit tha se “as në Bruksel nuk janë indiferentë ndaj kësaj situate”.
Znj. Ministre, fillimi i nëntorit do të jetë i rëndësishëm për procesin tonë të integrimit. Shqipëria kësaj radhe me kartën e reformës në drejtësi, është këmbëngulëse më shumë se asnjëherë tjetër për hapjen e negociatave. Çfarë prisni ju si ministre e linjës nga ky progres raport?
Raporti i nëntorit do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi siç ju e përmendni, ne kemi pasur një arritje historike për vendin. Reforma në drejtësi jo vetëm është një gur themeli për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, i rikthen besimin qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, por ka qenë dhe kusht i pa negociueshëm që Shqipëria të ecë përpara me procesin e integrimit. Me miratimin konsensual të kësaj reforme, ne plotësuam këtë kusht dhe kemi kërkuar një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian. Unë e kam thënë edhe me herët. Procesi i integrimit është një proces i bazuar mbi meritën. Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e BE-së, pa plotësuar kushtet dhe standardet e kërkuara, por nga ana tjetër besoj fort se përpjekjet tona reale duhet të vlerësohen po realisht nga vendet anëtare. Shqiptarët treguan se kanë vullnetin të bëjnë një reformë kaq madhore sa ajo në drejtësi, mendoj se ka ardhur moment që Komisioni Europian të mbajë gjithashtu premtimin që u ka bërë shqiptarëve. E theksoj këtë, pasi në vetë kushtet në të cilat ndodhet Europa sot, ky do të ishte një sinjal i qartë që vendet anëtare janë gati të afrojnë çdo shtet aspirant që i përmbahet parimeve të tij, për një demokraci më të konsoliduar dhe për një shtet të së drejtës sa më të fortë. Reforma në drejtësi i mundëson të gjitha këto. Ne duam ta implementojmë këtë reformë përmes kapitujve 23 dhe 24 të cilët lidhen ngushtësisht me shtetin e së drejtës, marrja e një rekomandimi pozitiv në 9 nëntor do t’i hapte rrugën çeljes së negociatave dhe përmes tyre Shqipëria do të hyjë në një fazë të re dhe me konkrete me vetë BE-në, në funksion të procesit të integrimit. Ne shpresojmë që raporti të jetë pozitiv dhe të ndezë këtë dritë jeshile për Shqipërinë, pas hapave përpara të merituara.
Teksa më reformën në drejtësi kemi bërë progres të dukshëm, çfarë shihni ju si prioritet me të cilin nuk është aq sa duhet dhe mund të rrezikojmë?
Puna jonë ka qenë e fokusuar në plotësimin e 5 prioriteteve dhe siç e dini, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar apo reformimi i sistemit gjyqësor, kanë qenë të lidhura ngushtësisht me reformën në drejtësi. Sigurisht që janë bërë hapa përpara, por mund të them se pas kësaj reforme rezultate më të dukshme dhe të matshme për këto prioritete do të jenë të pashmangshme. Prandaj ne insistojmë në një rekomandim pozitiv, në mënyrë që edhe zbatimi i reformës të jetë më i monitoruar.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar një ndër ligjet më themelore të reformës në drejtësi: vetingun. Si mendoni, a mund të ndikojë ky vendim i gjykatës në rekomandimin e nëntorit? A rrezikojmë prej tij?
Ne jetojmë në një vend demokratik, dhe vendimet që marrin gjykatat nuk mund të komentohen. Ajo që mund t’ju them, është se gjykata e ka pezulluar këtë ligj, dhe tani i takon Komisionit të Venecias të shprehet mbi ligjin e vetingut. Ne jemi të vendosur që pasi ky komision të shprehet, të vazhdojmë me implementimin e reformës në drejtësi.
A keni marrë sinjale shqetësuese nga Brukseli për situatën e kanabisit në Shqipëri?
Situata e krijuar me kanabisin është një sfidë shumë e madhe dhe mendoj që duhet të jetë patjetër një prioritet i qeverisë shqiptare për të luftuar këtë fenomen. Nuk është e mjaftueshme vetëm puna që bën policia për të kapur dhe asgjësuar të gjithë rrënjët e kanabisit të mbjella në Shqipëri, por ajo çka është shumë e rëndësishme është që të evidentojmë personat përgjegjës për këtë çështje. Sigurisht që as në Bruksel nuk janë indiferentë ndaj kësaj situate.
Së fundmi, mes Shqipërisë dhe Greqisë është tendosur debati për çështjen çame. Kjo është një çështje e fqinjësisë së mirë. A mund ta përdorë influencën e saj Athina në këtë rast për të penguar hapjen e negociatave?
Greqia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk besoj se Greqia do të ndryshojë këtë qëndrim të sajin. Besoj gjithashtu se çdo problematikë e krijuar mund të gjejë një zgjidhje konstruktive dhe bashkëpunuese mes vendeve tona.
Ju keni zhvilluar një sërë takimesh me eurodeputetë. Çfarë qëndrimesh ju kanë përcjellë për progresin e Shqipërisë? Si është klima evropiane për vendet pretendente pas Brexit?
Mund t’ju them me bindje të plotë se pas reformës në drejtësi, përgëzimet në të gjitha takimet që kam zhvilluar kanë qenë maksimale. Klima për Shqipërinë është pozitive, ashtu sikurse ka një vëmendje të madhe për atë çka do të bëhet më tej me reformën, rezultatet e pritshme, zbatimin e saj. Në lidhje me politikën e zgjerimit, mund t’ju them se Europa sot nuk është në momentin e saj më të mirë, zërat euro-skeptikë janë prezentë brenda saj. Por nga ana tjetër, ne kemi edhe një frymë të re e cila ka nisur me procesin e Berlinit në 2014. Është mbështetja reale që po i jepet vendeve të Ballkanit perëndimor, për të përshpejtuar procesin e integrimit, përmes projekteve të përbashkëta infrastrukturore, të energjisë apo rinisë. Mendoj se është përgjigjja më e mirë që mund t’i jepet sot të gjithë zërave dyshues se e ardhmja e vendeve tona është vetëm brenda BE-së. Jam e bindur se kjo na shërben ne, por i shërben gjithashtu vetë Europës.
Nëse progres raporti do të rekomandojë hapjen e negociatave, cila është procedura për zyrtarizimin e këtij qëndrimi?
Në dhjetor do të jenë vendet anëtare që do të marrin një vendim mbi bazën e këtij rekomandimi, nëse do Shqipëria do t’i hapë apo jo negociatat. Nëse ky vendim është pozitiv, më tej kalohet në procedurën e zyrtarizimit të këtij procesi, që është një procedurë më teknike.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com