40 nxënës të shkollës 9 vjeçare në fshatin Plasë të Maliqit kanë bojkotuar mësimin pasi kundërshtojnë klasat kolektive. Prindër e nxënës të shkollës u ngritën në protestë, duke e cilësuar të padrejtë vendimin e Drejtorisë Arsimore Maliq.
“Dje pjesa më e madhe e prindërve shkuam në Maliq, si përfaqësues të bordit as përgjigje, asgjë. Ne i kemi fëmijët jashtë pasi kështu vendosëm të gjithë prindërit pa u marrë vendimi, nuk do i lemë fëmijët të bëjnë mësim”, thotë një nga prindërit.
“Unë nuk dua që nxënësit të bashkohen, prej njërës klasë me klasën tjetër sepse ata janë në klasë të dytë dhe në qoftë se ata bashkohen me klasën e katërt ca vëmendje do kenë, ça shpjegimi do ketë”, thotë gjyshja e një nxënësi.
Të indinjuar për shkak të situatës dhe mësimit të cunguar të nxënësve të moshave të ndryshme prindërit kërkojnë zgjidhje nga institucionet arsimore dhe zhvillimin normal të procesit mësimor ose zhvendosjen e fëmijëve në shkolle tjetër.
“Kjo nuk është e drejtë. Shkolla përveç se këtë vit filloi dy javë me vonesë, dhe fëmijët ende nuk kanë mësuese, dalin jashtë rrinë pa mësim. Nuk i ndjekim dot , derisa të marrin vendimin që klasat të kthehen siç ishin ne si prindër nuk do i lejojmë dhe fëmijët nuk do zhvillojnë mësim”, shprehet një prind tjetër.
Nëse nuk gjejnë zgjidhje prindërit kërcënojnë me vijim të bojkotit.