Ministri Naço paralajmëroi edhe gjyqtarin Gjin Gjoni, njëkohësisht anëtar i KLD-së, të shpëtojë pa u dënuar nga drejtësia falë rrugëve proceduriale. “Përgjegjësitë për sistemin gjyqësor dhe sistemin e drejtësisë nuk i ka qeveria, por i ka KLD. Pra gjyqësori sot ka fytyrën e KLD dhe të gjitha përgjegjësitë i takojnë këtij Këshilli, ndaj u bëj thirrje të gjithë anëtarëve që të tregojnë integritet duke zbatuar ligjin dhe rregulloren e KLD”, u shpreh Naço.
Ministri shprehu vendosmërinë për të vijuar me rrugën e reformave dhe me luftën antikorrupsion në sistemin e drejtësisë, ndihmuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa sa i takon vendimit të Kushtetueses për nenin 4, shtoi se mazhoranca respekton këtë vendim dhe se do ta korrigjojë atë. Mbledhjen e djeshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjodhi edhe kryetarët e gjykatave Administrative në Shkodër, Durrës dhe Korçë.
Në Shkodër, kryetare e kësaj gjykate do të jetë Valbona Duraj, në Durrës Genci Sinjari, ndërsa në Korçë, Sokol Ibi. Pavarësisht këmbnguljes së ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për të futur në rendin e ditës çështjen e emërimit të nënkryetarit të KLD-së, kërkesa është rrëzuar duke u lënë pezull. Të pyetur nga “A1 Report” anëtarët e KLD-së Flamur Kapllani dhe Albana Shtylla kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me vendimin për të mos e futur në rendin e ditës këtë çështje.
Anëtarja e re e KLD-së Albana Shtylla, ka deklaruar se për aq kohë sa kërkesa është bërë nga ministri i Drejtësisë, atributet për tu përgjigjur për të i takojnë atij. Ndërkohë që anëtari tjetër, Flamur Kapllani u shpreh se nëse do të ekzistoj vullneti për ta realizuar si proces ai do të realizohet. Përzgjedhja e nënkryetarit të KLD-së është bërë një çështje që ka krijuar edhe një përplasje tjetër të përfaqësuesve të mazhorancës me institucionin e presidencës. Presidenti Nishani, njëkohësisht nënkryetari i KLD-së nuk pranon pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të mazhorancës.
Naço-Nishanit: Emëro zv/kryetarin e KLD-së,zbato ligjin
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço kërkoi dje në mënyrë të përsëritur nga presidenti Bujar Nishani emërimin e nënkryetarit të KLD-së. Naço theksoi se pavarësisht se ka kërkuar edhe disa herë të tjera këtë emëri, kërkesa e tij ka rënë në vesh të shurdhët. “Ka rënë në vesh të shurdhër kërkesa ime. Presidentit i bëj thirrje të emërojë zëvendës kryetarin e KLD. Ky këshill duhet të funksionojë normalisht”, u shpreh ministri Naço. Vendimet e marra dje në mbledhjen e KLD-së për ministrin Naço kthyen integritetin e institucionit.
“Në këto vite në nuk kemi patur gjyqtarë në bankën e të akuzuarve. Jemi të vendosur që të vëmë përpara drejtësisë të gjithë ata që shkelin ligjin. Ne mendojmë që në çdo rast korrupsioni duhet të dënohet për çdo vlerë, qoftë e vogël apo e madhe. Po të shihni deklaratat e pasurive të këtyre gjyqtarëve do shihni se as shifrat se sa pasuri kanë nuk dinë ta plotësojnë", deklaroi ministri.
