Pas ngritjes së Komisionit Hetimor, mazhoranca duhet të fillojë të mendojë për dy anëtarët që do të zëvendësojnë Çefën dhe Lelçajn në KLD. Deri tani dy janë emrat më të përfolur për të marrë postin e nënkryetarit të KLD-së ku më të spikaturit janë Sokol Çomo dhe Ina Rama.

Sokol Çomo aktualisht mban postin e anëtarit të Këshillit të Lartë  të Drejtësië çka e favorizon atë për t’u bërë numri dy i KLD-së. Veç kësaj ai plotëson edhe kushtin ligjor pasi është zgjedhur nga Kuvendi dhe me ligjin e ri për KLD-në, nënkryetari i këshillit duhet të jetë një i zgjedhur nga Kuvendi. Por duke parë zhvillimet e fundit në emërimet në postet e larta drejtuese futet në lojë edhe emërimi i Ina Ramës si nënkryetare e KLD-së.

Celibashi: Nuk kam plan të kandidoj për nënkryetar  të KLD-së
Sakaq, ish-minsitri i marrëdhënieve me Kuvendin, Ilirjan Celibashi, i përfolur në media si kandidaturë e mundshme për postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, thotë se nuk ka asnjë plan për të kandiduar për një post të tillë, duke shtuar se nuk i është bërë asnjë propozim.