TIRANE - Gjyqtari i Gjykatës së Durrësit Neritan Tabaku jo vetëm ka vonuar zbardhjen e vendimit për lirimin e Ilir Xhakes, autorin e vrasjes së kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, por dhe të 60 dosjeve të tjera gjyqësore, duke sjellë pasoja të rënda për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë.

Gazetari i Shqiptarja.com Habjon Hasani informon se inspektorët e KLD-së kanë verifikuar se në këto 60 dosje afati kohor i arsyetimit të vendimeve varionte nga 84 në 500 ditë nga 10 ditë që është afati i përcaktuar me ligj për zbardhjen e një vendimi gjyqësor. 

Kjo është bërë publike mga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i cili votoi sot unanimisht propozimin e ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor dhe shkarkoi gjyqtarin Tabaku. Vetë gjyqtari i Gjykatës së Durrësit nuk ishte i pranishëm por u përfaqësua nga një avokat mbrojtjës. 12 anëtarët e KLD-së dhanë votën pro.

"Presidenti i Republikës theksoi se është e papranueshme për standardet që kemi qëllim të vendosim në sistemin gjyqësor, ekzistenca e rasteve të tilla, ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë dhe privojnë palët nga ushtrimi i të drejtave të tyre kushtetuese", -thuhet në njoftimin për shtyp të KLD-së

Nga ana e tij Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa deklaroi si "të papranueshme neglizhencën e gjyqtarit në mos zbardhjen e vendimeve dhe mos dorëzimin e mbi 60 dosjeve gjyqësore, duke sjellë pasoja të rënda për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë. Por ajo çka është më e pa tolerueshme në këtë çështje, vijoi Zëvendëskryetari, është diskreditimi i rëndë i figurës së gjyqtarit dhe prishja e imazhit të gjithë trupës gjyqësore, nga qëndrimi i mbajtur nga z. Tabaku, përpara, gjatë dhe pas inspektimit të rastit", -vazhdon njoftimi i KLD-së

Ndërkohë që më 4 dhjetor Prokuroria e Tiranës i komunikoi akuzën për shpërdorim me pasoja të rënda të detyrës.

TABAKU I DHA PAFAJËSI ILIR XHAKJAS
Gjyqtari tashmë është nën akuzë për shpërdorim detyre, pasi ka zbardhur vetëm pak ditë pas vrasjes së kryekomisarit të policisë Adem Tahiraj, vendimin e marrë prej tij që çoi në lirimin nga burgu të Ilir Xhakjes, autor i kësaj vrasje. Vendimi i marrë nga trupi gjykues i kryesuar nga Tabaku më 9 shkurt të vitit 2011u bë publik, pas më shumë se një viti, vetëm pasi prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj gjykatësit Tabaku, me arsyetimin se ka shpërdoruar detyrën duke mos respektuar afatin ligjor prej 10 ditësh për zbardhjen e vendimit. Në këtë vendim të firmosur nga 3 gjyqtarët, kryetari Neritan Tabaku dhe anëtarë të trupit gjykues Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, theksohet se nuk provohet që Xhakja të ketë kryer vrasje. Kjo pasi dëshmitarët në vendngjarje të familjareve të viktimës, kanë deklaruar se ekzekutimin e bënë 2 persona të panjohur, pra nuk identifikuan të akuzuarin, edhe pse e kanë fqinj dhe e njohin mirë atë. Një tjetër argument i trupit gjykues të kryesuar nga Neritan Tabaku është fakti se prova e vetme që lidhte Ilir Xhaken me vendin e krimit është gjurma e gishtërinjve të tij e gjetur në një gëzhojë në vendngjarje, por sipas gjykatës kjo provë është ë pavlefshme. Kjo për faktin se gëzhoja në vendngjarje nuk është bllokuar nga oficerët e policisë gjyqësore në kohën që ka ndodhur ngjarja, por është gjetur dhe sekuestruar 4 vjet pas vrasjes së shtetasit Qerim Maloku. Një tjetër pikë ku është bazuar gjyqtari Neritan Tabaku për vendimin e lirimit të Ilir Xhakes është edhe pretendimi i të akuzuarit se në atë kohe ndodhej ne Gjermani. Këtë fakt, thuhet në vendimin e gjykatës, e ka pohuar inspektori i zonës, i cili ka dëshmuar se ka folur në telefon me të pandehurin.

MBLEDHJA E KALUAR E KLD-se
Seancën e kaluar nuk ishte i pranishëm pasi paraqiti raport mjekësor "Zoti Tabaku ka risjellë raport mjekësor dhe kërkon shtyrjen e shqyrtimit të propozimit. Raportin e parë e paraqiti më 5 nëntor, sot raporti me 15 ditë të tjera. Sipas ligjit KLD është i detyruar ta ketë prezent kur shqyrtohet masa prandaj shtyhet mbledhja të premten. Nëse mbledhjen e a ardhme nuk vjen të marrë masa të dërgojë përfaqësues të tij të mbrojtjes”- tha presidenti Nishani mbledhjen e kaluar.

Këshilli zhvilloi ceremoni e betimit të gjyqtarit të sapo emëruar, Z. Artan Lazaj, si dhe konstatoi mbarimin e ushtrimit të detyrës së gjyqtares së Apelit Vlorë, Sashenka Jonuzi dhe shpalli vendin vakant në këtë Gjykatë.

(sg/shqiptarja.com)