KLD vendime të njëanshme
emërime e transferime gjyqtarësh

Teksa Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin e Vetingut, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, po nxiton duke marrë vendime të dyshimta, për vlerësim, emërim dhe transferim gjyqtarësh. Gjatë mbledhjes së djeshme, anëtarët e KLD-së, shqyrtuan dhe votuan kandidaturat për gjyqtarë, për plotësimin e vendeve vakant, në Gjykatat e Apelit Tiranë dhe Shkodër.

Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi të transferojë z. Andi Civici nga Gjykata e Apelit Vlorë në Gjykatën e Apelit Tiranë, si dhe t'i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin e gjyqtarëve znj. Elona Stavri, znj. Elbana Lluri, z. Fatri Islamaj, z. Asim Vokshi, dhe z. Artur Gaxha, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ndërsa për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën e Apelit Shkodër, Këshilli vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin e znj. Vojsava Osmanaj.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e KLD-së, shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në përfundim të procesit të votimit, Këshilli vendosi transferimin e gjyqtarit Artan Hajredinaj, njëkohësisht edhe kryetar i kësaj gjykate, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Në funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë u delegua për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit, gjyqtari Dritan Seci, si dhe shpalli vendin vakant për pozicionin e kryetarit të kësaj gjykate. Me miratimin e transferimit të dy gjyqtarëve të mësipërm u miratua më pas dhe kërkesa e Ministrit të Drejtësisë për shpalljen publike, të një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve". Në përfundim, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për 14 gjyqtarë. Në vijim Këshilli vendosi konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit, më datë 25.11.2016, të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, z. Lefter Jahja, si dhe miratoi propozimin e ministrit të Drejtësisë, për shpalljen e një vendi vakant për një gjyqtar pranë kësaj gjykate pas datës 25.11.2016. Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.​
 
 

 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve