Kledi Kadiu dhe Anbeta
Toromani rikthehen në Tiranë

Kledi Kadiu dhe Anbeta<br />Toromani rikthehen në Tiranë
TIRANE- Kledi Kadiu dhe Anbeta Toromani, balerinë mjaft të famshëm në Itali, do të rikthehen në Tiranë për të prezantuar në skenën e TKOB një shfaqje me numra koreografikë. Shfaqja titullohet “Hera e parë”. Projekti pritet të konkretizohet në skenë gjatë pranverës. “Hera e parë” është një nga shfaqjet e planifikuara për këtë sezon artistik. E ideuar nga Kledi Kadiu dhe Anbeta Toromani shfaqja e baletit vjen në skenën e TKOB me koreografi të Gentian Dodës.

Nën drejtimin e tij artistik do të performojnë balerinët shqiptarë Toromani, Kadiu, si dhe Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, Claudia Veçhi, Beatriz Uhalte Cisneros. Përmes këtyre numrave koreografikë balerinët do të sjellin në skenë pjesët e tyre më të arrira. Jo vetëm artistët e njohur shqiptarë Kadiu dhe Toromani, por edhe kolegët që do t’i bashkohen trupës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Tiranës janë të gjithë të angazhuar me kompani baleti ndër më prestigjiozet në botë si Hofesh Shechter Company, The Forsythe Company, Aterballetto, Balletto di Roma, Teatro san Carlo di Napoli, Compania Nacional de Danza, Balletto Classico Cosi Stefanescu, Balletto di Montecarlo.

Kledi Kadiu dhe Anbeta Toromani, të cilët prej dy dekadash e zhvillojnë jetën e tyre artistike janë shprehur se ndihen shumë të kënaqur që do të jenë në skenë së bashku me trupën e TKOB. Ata do të marrin me vete për këtë shfaqje edhe kolegët e tyre Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros.

Rikthimi i balerinëve shqiptarë në skenën ku kanë hedhur hapat e para të karrierës së tyre të suksesshme është mjaft premtues për suksesin e shfaqjes, shprehet koreografi Gentian Doda. Kledi Kadiu e fillon karrierën e tij qysh nga viti ’91 në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe në 1993 bëhet balerin i parë.

Në vitet e mëvonshme emigron në Itali dhe bie shpejt në sy të ekspertëve e kritikëve të artit që vlerësojnë talentin, forcën dhe thjeshtësinë e tij, si në baletin klasik ashtu edhe në atë modern. Në 1998 fillon të marrë pjesë në programe të ndryshme televizive. Përveçse një karriere të rëndësishme si në teatër ashtu edhe në televizion ai ka bërë koreografinë e shumë shfaqjeve të dëgjuara.

Gjithashtu, edhe Anbeta Toromani, balerinë klasike, u bë menjëherë e njohur për publikun e gjerë italian pas konkurrimit në edicionin e dytë të “Amici”, ku u rendit e dyta. Spikati menjëherë mbi të gjithë të tjerët për zotësinë dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm. Para se të shkonte në Itali ajo ishte balerinë e parë dhe e suksesshme e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.  

Shkrimi u publikua sot (22.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar