Klimë e mirë për të shkruar ‘horoskopin’ e SPAK

Klimë e mirë për të shkruar ‘horoskopin’ e SPAK

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion

Pas një lloj apatie dhe kritikash, SPAK duket se ka nisur seriozisht hetimet për çështjet e korrupsionit në nivele të larta. Është kjo një rutinë normale të sistemit të ri të drejtësisë, apo edhe SPAK mbetet nën trysninë ndërkombëtare dhe qytetare për ndëshkimin e pushtetarëve dhe ish pushtetarëve që kanë shkelur ligjin?

Pritshmëritë nga SPAK, qoftë të optimistëve që pretendojnë çrrënjosjen totale të korrupsionit, qoftë të pesimistëve që janë të bindur se sa më shumë ndryshon aq më shumë është e njëjta gjë, nuk mund të kenë marrëdhënien e teshtimës me urimin “shëndet”! Eshtë e pamundur që sapo të gjykohet se është kryer krimi, të vijë ndëshkimi nga SPAK. Ai është vetëm një hallkë që akuzon, nevojitet dhe një proces i drejtë ligjor që të përcaktojë fajësinë. Ka një keqkuptim që vjen kryesisht nga padija që mendon se SPAK-u ndëshkon në mënyrë direkte dhe se akuza e tij është e barabartë me të vërtetën. Duhet pritur edhe gjykata, pra. Dilema nëse po ndodh ndryshimi i madh e mban të vërtetën diku në mes të dy skajeve që ndajnë në distancë pesimistët dhe optimistët. Eshtë një proces shumë më i gjatë, shumë më i ndërlikuar që ka kundërshtarët dhe aleatët e tij. Raporti mes këtyre dy faktorëve, shto edhe traditën, faktin që Shqipëria është një vend shumë i vogël, burimet njerëzore të kufizuara, por edhe vullnete të limituara për të luftuar realisht krimin e korrupsionit, janë kushtet që shkruajnë horoskopin e nesërm të SPAK-ut. Duhet thënë se klima është më e mira e mundshme për të vepruar. Opinioni publik është i dëshiruar të shohë fundin e pandëshkueshmërisë së njerëzve që kanë vendosur për fatin e tij. Mbështetja amerikane është në kulm dhe, sa për të rinënvizuar një fakt, akti politik i konsiderimit ‘Non Grata’ të Doktor Berishës, është simboli që ata do të jenë jo thjesht me SPAK në këtë përpjekje, por do të jenë “bashkëdrejtues” të tij. Duke goditur zotin Berisha ata shënjuan stekën më të lartë të mundshme dhe rrëfyen se tashmë askush nuk ka për asnjë arsye “imunitet”. Njëlloj si Xhejms Bekeri dikur vinte një vizë të kuqe për Shqipërinë pothuaj postdiktatoriale në 91-shin, një tjetër sekretar amerikan i shtetit, zoti Blinken shënjoi targetin e betejës së tyre në Shqipëri. Shqipëria është “efekti i lumtur anësor” i rikthimit të vëmendjes amerikane në rajon, i strategjisë së tyre për ta konsideruar Evropë dhe aleat euroatlantik këtë pjesë të trazuar të Evropës. Vakumi i krijuar në vitet e fundit është shfrytëzuar për fuqi jo miqësore me SHBA-në, fuqi të cilat si kriter dhe parim kanë bashkëpunimin me politikanë vulnerabël. SHBA po i afron Shqipërisë shansin që të qeveriset nga personazhe të cilët nuk kanë hije në karrierën e tyre dhe mbi të gjitha, që të mos jenë të shantazhueshëm nga askush për asnjë arsye. Kjo është me pak fjalë klima rreth SPAK-ut që është instrumenti i duhur, në kohën e duhur. Eshtë koha që drejtësia e re të kërkojë dhe po kërkon revansh ndaj mëkatarëve.

Dosja më e fundit është arrestimi i krybashkiakut Fatos Tushe, ndërsa kreu i SPAK ka paralajmëruar “se ky është fillimi”. A jemi përpara një revanshi ligjor ndaj personave të implikuar në korrupsion?

Absolutisht që po. Eshtë momenti i revanshit të ligjshmërisë përballë atyre që kanë bërë ligjin në këtë vend. Ka një kuriozitet të pafundëm për një listë që mendohet se është shumë e gjatë me personazhe të fuqishëm politikë dhe në politikë që do të goditen. Më mirë se edhe vetë SPAK-u, e dinë vetë mëkatarët nëse janë në “listë pritjeje” apo jo. Me shumë gjasë do të shohim shumë shfaqje të ngjashme si ajo me zotin Tushe, kryesisht në Tiranë. Ka ide dhe sinjale të pilotuara në media, edhe që shumë kohë më parë, se janë zbuluar llogari bankare jashtë vendit dhe prona të konsiderueshme po jashtë vendit të personave të lidhur me politikë. Ka ide që shtyhen edhe më tej që flasin për ekzistencën e një liste si ajo që u zbulua vite më parë për politikanë e biznesmenë grekë, e quajtur lista Lagarde, që përmbante të dhënat për qindra milionë euro evasion fiskal e vjedhje, të lidhura me llogari në bankën zvicerane HSBC në Gjenevë. Politikanë shqiptarë me llogari të dikurshme në Qipro apo në Itali janë përmendur edhe në të shkuarën, por askush nuk ka lëvizur gishtin. Tani duket se amerikanët kanë kanë thyer drynat e tyre. të paktën kështu shpresohet. Sepse të vjedhësh është vetëm një hap. Të fshehësh paratë e vjedhura është shpesh një maratonë e pamundur në këtë botë gjithmonë e më të vogël.

Nëse rritet numri i zyrtarëve të lartë të proceduar penalisht a ka kjo ndikim politik edhe në qeverisjen e vendit?

Korrupsioni në nivele të larta dëmton direkt cilësinë e qeverisjes. Nëse një politikan i lartë fut dorën në xhepin publik, vartësit e tij i shqyejnë fare ato. Por korrupsioni luftohet vetëm nga lart poshtë. Goditet kupola për të mbërritur pastaj tek themeli, tek një skotë e tërë njerëzish që jetojnë dukshëm me një standard jetese që nuk jua lejon paga. Nuk mund të ketë çrrenjosje të plotë të së ligës, por mund dhe duhet të ketë kufizim të saj sepse siç thuhet në zhargon rruge, e kanë bërë mullar të ligën!

A do të shkojë paralelisht çështja “non grata” nga SHBA dhe ndëshkim nga drejtësia e re, dhe a do arrijë ndëshkueshmëria deri në nivelet më të larta?

Shpresa është e madhe. Me shumë gjasa, beteja epike e Italisë kundër mafias në vitet 90-të, sa për të marrë një shembull, nuk do të ndodhte pa asistencën direkte amerikane. Dhe aty ku ishte fare e lehtë të dështonte dhe të nënshtrohej edhe një demokraci tradicionale perëndimore si demokracia italiane, në Shqipërinë hibride ku për shkak të tangërllikut dhe traditës, e keqja që bërtet duket sikur është gjithmonë në shumicë përballë të ndershmes së padukshme dhe të urtë, pa SHBA-në, ky është një mision i pamundur. Lista ‘Non Grata’ e tyre që me shumë gjasa do të zgjatet me emra domethënës në Tiranë, që ka kulmuar me zotin Berisha, është prova se goditja nuk do të kursejë askënd. Kjo do të jetë shpresa që të ketë një cikël shumë më të shkurtër koncesioni kriminal, PPP-ja dramatike që afron klasa politike në vend: me politikanë që kanë zgjedhur të jenë të Pandëshkueshëm, të Paparashikueshëm dhe të Përjetshëm. Shqipëria do të marrë frymë vetëm në momentin kur njerëzit që bëjnë ligjin dhe ligjet për të përditshmen e saj të jenë përfundimisht të ndëshkueshëm nëse gabojnë, të parashikueshëm në aktet që ndërmarrin dhe të përkohshëm në ciklin e tyre politik./ Fjala.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë