Për shtatë nga tifozët ultras të PAOK-ut të Selanikut, transferta kundër Lyonit (nesër 21:00 në Francë) ishte e fundit në jetën tokësore, pasi aksidenti fatal i ndodhur të martën në rajonin e Timis në Rumani (pranë qytetit Lugoj), preu në mes jetën e tyre.

Furgoni i zi me të cilin ata e kishin nisur udhëtimin nga Selaniku nuk do mbërrijë kurrë në Lyon, pasi mesdita e djeshme për ta nisi një tjetër udhë, jo në këtë botë. Tre tifozë të tjerë fatmirësisht shpëtuan, duke treguar se mrekullitë ekzistojnë edhe pse përplasja "kokë më kokë" me kamionin ishte e tmerrshme dhe klithmat e vdekjes duhet të jenë dëgjuar në brendësi të furgonit.

Mes shtatë viktimave ishte edhe shqiptari Vasil Pilo, një tifoz që nuk kishte humbur asnjë ndeshje të ekipit të tij, ndërsa shqiptari tjetër, Genci Sadiku, ishte një nga tre tifozët me fat që shpëtuan për mrekulli me disa lëndime, por që janë jashtë rrezikut për jetën, sipas medieve rumune dhe greke.

'Protothema', duke iu referuar dëshmisë së mjekut grek Dimitris Koukoulas pasi kishte takuar dy nga tre të plagosurit që po marrin ndihmë mjekësore në Rumani, shkruan se njëri prej tyre i tha 'se timoni i furgonit ishte bllokuar për shkak të aktivizimit të asistentit të korsisë'.

"Timoni u bllokua gjatë parakalimit për shkak të aktivizimit të ndihmës së korsisë", thuhet se i tha i plagosuri mjekut grek për aksidentin fatal me makinë, siç e zbuloi vetë, duke folur për ERT.

Media greke 'Kathimerini' citon një ekspert rumun që analizoi përplasjen, duke thënë se brenda furgonit ka ndodhur diçka që ka bërë që shoferi të humbasë kontrollin, duke mos përjashtuar një sëmundje të papritur apo një sherr.

Sipas tij ekziston mundësia që brenda automjetit të ketë ndodhur diçka që nuk e ka lejuar shoferin të mbajë kontrollin, ndërsa ai theksoi se koha e reagimit, sapo hyn në trafikun përballë, është shumë e shkurtër për të shmangur përplasjen.

"Një mundësi është që shoferi të jetë ndjerë keq ose të jetë shpërqendruar, gjë që është e zakonshme edhe për shoferët profesionistë, në një masë të tillë sa nuk e ka kuptuar që automjeti kishte devijuar majtas. Një tjetër mundësi është që ai të ketë qenë i përfshirë në një bisedë ose një grindje ose të ketë parë telefonin e tij celular, është e vështirë të thuhet me siguri", thotë eksperti.

Furgoni që transportonte tifozët e PAOK-ut, pas aksidentit fatal me 7 viktima

Ky itinerar specifik, nëpërmjet Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë, ka qenë një zgjedhje e zakonshme për udhëtimet rrugore evropiane të tifozëve të PAOK-ut për vite me radhë, pasi këto janë vende anëtare të Bashkimit Evropian, gjë që u lejon atyre të shmangin pritjet e gjata në kufijtë e vendeve jo-anëtare të BE-së, si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja.

Pjesa e rrugës ku ndodhi aksidenti konsiderohet veçanërisht e rrezikshme dhe është përshkruar nga mediat lokale si "rruga e vdekjes" për shkak të aksidenteve të shpeshta serioze rrugore. Është një rrugë me dy korsi për pjesën më të madhe të gjatësisë së saj. Është mjaft e ngushtë dhe nuk ka ndarëse apo barriera sigurie për disa kilometra.

Selaniku në zi

Një trishtim i patreguar mbizotëron në Selanik për ngjarjen tragjike. Si një homazh i vogël për kujtimin e tifozëve të PAOK-ut që humbën jetën në aksidentin me makinë në Rumani, Bashkia e Selanikut ka shtyrë të gjitha aktivitetet e planifikuara deri të premten e ardhshme, më 30 janar.

Për më tepër, me vendim të kryetarit të bashkisë Stelios Angeloudis, flamujt e Bashkisë së Selanikut në hyrje të bashkisë do të ulen në gjysmë shtizë, në shenjë trishtimi për këtë tragjedi të papërshkrueshme dhe respekti për këta të rinj që donin vetëm të ishin në krah të ekipit të tyre të preferuar.

Dje, me lule në duar, trajneri Razvan Lucescu, lojtarët e PAOK-ut, anëtarët e ekipit të futbollit dhe qindra tifozë shkuan në stadiumin 'Toumba' për të dërguar një mesazh mbështetjeje për familjet e viktimave.

Tifozët e organizuar të ekipit grek vendosën ta mbanin sektorin mik në stadiumin e Lyonit të mbyllur dhe disa morën rrugën për t'u kthyer në Greqi, ndërsa të tjerë u drejtuan me makinë për në Timisoara për të mbështetur tre të lënduarit. Shumë ekipe, shoqata tifozësh dhe sportistë shkruan mesazhe ngushëllimi.

UEFA nuk dha leje që ndeshja e nesërme e vlefshme për Europa League të shtyhet dhe klubi grek do jetë në fushë, por PAOK-u pezulloi gjithë aktivitetet për ekipet e moshave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:21
Mjeku grek tregon dëshminë e tifozit të plagosur të PAOK-ut: Sistemi automatik i korsisë dështoi, timoni i makinës u bllokua

1769592223_paokselanik.jpg

Mjeku Dimitris Koukoulas raportoi se njëri nga të lënduarit i tha se timoni i furgonit ishte bllokuar gjatë parakalimit për shkak se ishte aktivizuar 'sistemi automatik i ndihmës për korsinë'.

Një dëshmi tronditëse nga një i mbijetuar rreth asaj që ndodhi në aksidentin fatal me makinë ku humbën jetën 7 tifozët e PAOK-ut u transmetua nga mjeku grek Dimitris Koukoulas në Rumani, i cili nxitoi në spitalin ku u dërguan të plagosurit.

"Timoni u bllokua gjatë parakalimit për shkak të aktivizimit të ndihmës së korsisë", thuhet se i tha i plagosuri mjekut grek për aksidentin fatal me makinë, siç e zbuloi vetë, duke folur për ERT.

"Fola me dy nga të tre të plagosurit. Pacienti, i cili është më mirë se të gjithë, ka disa fraktura në gjymtyrët e poshtme, më tha se diçka ka ndodhur me sistemin e ndihmës për korsinë. Pati një parakalim, sistemi hapi asistentin e korsisë dhe bllokoi timonin, iku, humbi kontrollin e makinës sepse diçka ndodhi me asistentin e korsisë. Ndihma për korsinë u aktivizua dhe shoferi nuk mundi të rivendoste kursin e makinës", tha ai.

Megjithatë, mbetet për t'u parë nga hetimi nëse një gjë e tillë ka ndodhur vërtet, pasi sistemi i ndihmës për korsinë çaktivizohet automatikisht nëse shoferi ndez sinjalin e kthesës. Në këtë rast, nga videoja është e qartë se shoferi e kishte ndezur sinjalin e kthesës, kështu që nëse asistenca e korsisë po funksiononte normalisht, nuk do e kishte futur shoferin në korsinë e gabuar.

Çfarë është asistenca për në korsi?

Ndihma për të ruajtur korsinë është një sistem ndihme për shoferin që ndihmon makinën të qëndrojë brenda korsisë së saj. Sistemi monitoron shenjat rrugore nëpërmjet një kamere dhe nëse zbulon se automjeti po del nga korsia, ndërhyn në mënyrë aktive në timon dhe e kthen atë në pozicionin "e saktë".

Shoferi mbetet përgjegjës për kontrollin, por sistemi ndihmon ndjeshëm, veçanërisht në distanca të gjata ose kur shfaqet lodhja. Ky sistem ndryshon nga një automjet në tjetrin, pasi ka raste kur e mban në mënyrë aktive makinën në qendër të korsisë, duke bërë korrigjime të vogla të vazhdueshme në timon.