Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pas 18 orësh në seancë plenare 1 akt normativ dhe 13 projektligje. Seanca u mbyll në orën 04:00.
Me 85 vota, u miratua dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, sipas udhëzimeve të Bashkimit Europian për procesin e integrimit.
Ligji shoqërohet me masa mbrojtëse për sigurinë e gazetarëve, duke dënuar ata që i kërcënojnë apo dhunojnë për shkak të profesionit. Lamallari e cilësoi një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar ka ndaj medias. Socialistët u shprehën kundër propozimit të PD-së që të hiqet shpifja si vepër penale për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë edhe burg deri në 1 vit për ata që parkojnë dysh. Po ashtu ashpërsohen dënimet për ndërtim të paligjshëm e zjarrvënie.
Për këtë pjesë, ministri i Drejtësisë theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm në raste kur kjo shkelje pengon qarkullimin e autoambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.
Taulant Balla në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kërkoi ndryshim të rendit të ditës, duke shtyrë kështu shqyrtimin e 4 projektligjeve të cilat ishin parashikuar për diskutim në seancën plenare. Kjo kërkesë u hodh në votim dhe u miratua nga deputetët me shumicë votash.
Një nga ndërhyrjet më kryesore është forcimi i rregullave për zgjedhjen e anëtarëve e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, nga avokatia, shoqëria civile apo bota akademike. Shqetësimi se anëtarët jo magjistratë nuk verifikoheshin para se të bëhen anëtarë të KLP e KLGJ, ku njëri prej tyre zgjidhet edhe drejtues, ishte shprehur në të paktën dy progresraportet e fundit të Bashkimit Europian për Shqipërinë.
Nisma parashikon që asnjë gjyqtar apo prokuror që ka marrë një masë disiplinore, nuk mund të vendoset në krye të gjykatave apo prokurorive përkatëse.
Deri sa të kryhet procesi i zgjedhjeve së drejtuesve të rinj, përmes një dispozite kalimtare, kryetarëve aktualë të gjykatave dhe prokurorive, që nuk kanë një emërim të rregullt, do të konsiderohen të zgjedhur për shkak të ligjit deri më 31 dhjetor 2027.
Me 83 vota pro, për herë të parë është ligjëruar lobimi në Shqipëri.
Votimet në seancë:
Akti Normativ nr. 11, datë 19.12.2025 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024, "Për buxhetin e vitit 2025", të ndryshuar, i cili u miratua me 85 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente", u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, bërë në Gjenevë, më 24 maj 2024", u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore "Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale", u miratua me 84 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore "Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë"", u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme në produktet e duhanit", u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, (nismë e Këshillit të Ministrave), u miratua me 85 vota Pro, 9 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, u miratua me 85 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", të ndryshuar, u miratua me 85 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Per parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna ne familje", u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për lobimin në Republikën e Shqipërisë", u miratua me 83 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve", u miratua me 84 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit", u miratua me 83 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 "Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, u miratua me 82 vota Pro, 1 Kundër, 0 Abstenim.

Gjatë votimit në Kuvend për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, grupi parlamentar i Partisë Socialiste abstenoi për amendamentin e propozuar nga Erion Braçe.
Braçe kërkonte që pas nenit 44 të projektligjit, të shtohet neni 45. Amendamenti i Braçes ka për qëllim kategorizimin “vepër penale” të shitjes, ofrimit falas, shitjes me ofertë për të miturit nën moshën 18 vjeç duhanit dhe produktet e duhanit.
Siç ai shpjegoi, amendamenti e kërkon këtë kur më parë ndaj personit janë marrë masa administrative. Sipas propozimit, parashikohet gjobë nga 100000 lekë në 300000 lekë ose burgim deri në 6 muaj. Gjithashtu parashikohet 4-8 vjet burgim për dëmtim të rëndë të shëndetit të të miturit dhe 8-16 vjet burgim në rast se shkakton vdekjen e tij.
Fjalën e mori kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili kërkoi shtyrjen e votimit.
“Në emër të grupit parlamentar të PS dua të sqaroj se nuk ka asnjë dyshim që mbështesim çdo lloj nisme të kësaj natyre, por sikurse u tha përgjatë gjithë procesit të diskutimit jo vetëm të këtij projektligji, por të gjithë kësaj pakete kemi përpara një paketë që është negociuar gërmë për gërme me Komisionin Europian, pra gjithë ndryshimet e sotme në Kodin Penal në rastin në fjalë, është negociuar me ta. Nuk është serioze për ne që të kalonim sot për nesër këto ndryshime. Kemi pasur një përpjekje gjatë gjithë këtyre orëve me komisionin, ua kemi dërguar materialin, por nuk kemi marrë përgjigje. I kërkoj kolegut Erion Braçe shtyrjen”, tha Balla.
Amendamenti i Braçes u votua me 2 vota pro, 82 abstenim dhe 0 kundër. Braçe nuk votoi në dy projektligje:
-“Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, i cili mori 83 vota pro, 0 abstenim dhe 10 kundër.
-“Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, i cili mora 84 vota pro, 0 abstenim dhe 10 kundër.
Komente












