Klodi Kadillari, aktorja që i dha
jetë në skenë Nënë Terezës

Klodi Kadillari, aktorja që i dha<br />jetë në skenë Nënë Terezës
TIRANE- Atë natë që pashë në Teatrin e Metropolit shfaqjen “Shtëpi Kukulle” të Ibsenit, të sjellë ndryshe nga Klodi, nuk mund ta besoja kurrsesi, se ajo ishte vajza që kishte interpretuar Nënë Terezën në filmin dokumentar të realizuar mjeshtërisht nga i ndjeri Fahri Hysaj. Klodiana Kadillarit i besohet nga profesori i saj roli i madh i Nënë Terezës.

M’u krijua ndjesia se ajo vajzë është e lindur për të interpretuar atë rol, ku fjalët janë të pakta, por shprehja e brendshme dhe mërmërimat shpirtërore e bëjnë vajzën një Gonxhe të vërtetë. Dokumentari mjaft i arrirë, përcjell edhe mesazhin e rëndësishëm, se shenjtorja botërore me origjinë shqiptare Nënë Tereza, nuk ishte një shenjtore e rënë nga qielli, siç shfaqen shpesh shenjtorët, porse ishte kultivimi i saj në një mjedis shoqëror dhe shpirtëror shqiptar, ku gjyshi i saj Lazer Bojaxhiu, babai i saj Kol Bojaxhiu, ishin tregtarë të pasur, njerëz të artit dhe kulturës, ata që ndërtonin katedrale, shkolla dhe teatro shqiptare ku flitej shqip, kishin krijuar orkestrën shqiptare “Zani i Maleve”, e cila jepte koncerte falas.

Babai i saj Kola, që ishte këshilltar në Komunën e Shkupit dhe patriot i çështjes shqiptare, u helmua nga bandat e mbretërisë serbe. Bojaxhinjtë kishin dhjetë shtëpi, ku nëntë prej tyre ishin kthyer në strehë për të vobektit. Gonxhja e vogël që nuk kuptonte pyeste: se kush ishin gjithë këta njerëz që banonin në shtëpitë e tyre? Nëna Drane, do të kultivonte tek e bija humanizmin, sakrificën në emër të jetës, të mos i harronte kurrë të varfrit dhe të vetmuarit. Dhe ashtu ndodhi, Gonxhja u bë një nënë e madhe, që i shërbeu humanizmit në botën mbarë.

Klodi nuk do të ndalet, suksesi i saj në interpretimin e Gonxhe Bojaxhiut, nga ku do të merrte shumë urime dhe fjalë të ngrohta: se ajo “ngjante shumë me të” dhe se roli “i shkonte së tepërmi karakterit të saj”. Madje aq shumë e ndjeu atë, sa një ditë vendosi të mos ndahej nga roli. Ajo do të thurte vetë një monodramë për Nënë Terezën, pikërisht për atë moment kur Nënë Tereza do të kthehej përherë të parë në Shqipëri dhe do të qante mbi varrin e nënës, që nuk e pa shumë vite me radhë. As  kur e ndjera nëna e saj u nda nga jeta, regjimi nuk e la të shkonte të përcillte nënë Dranen në banesën e fundit.

Librat që ka shkruar dhe rolet e ndjera të Klodit
Klodiana guxon fort, ajo jo vetëm shkruan, por dhe interpreton me sukses rolin e heroinës. Monodramës së thurur dhe interpretuar prej saj i jep titullin “Pikëllim dhe dashuri”. Ajo fiton në vitin 2010,  projektin e Ministrisë së Kulturës në Festivalin për regjisorët e rinj. Me gjithë` peripecitë e që dihen në këto raste,  fiton çmimin inkurajues, ndërsa u vlerësua si projekti më i mirë. 

Monodrama “ Pikëllim dhe dashuri” u përzgjodh edhe në festivalin e teatrit ndërkombëtar “Aktori i Europës” i cili u zhvillua në Prespë të Maqedonisë, ku Klodi mori fjalët më të mira për interpretim origjinal të rolit. Monodrama mori pjesë edhe në festivalin “ MonoAkt”, në qytetin e Pejës dhe më pas në Festivalin Ndërkombëtar të Dramës në Kumanovë. Klodi e ndjen së brendshmi rolin. Dhe Klodiana nuk ndalon këtu, ajo krahas teatrit, shkruan bukur edhe libra.

“Kodi i Trëndafilit” e ka emrin libri i saj i parë, të cilin më pas do ta kthej në një skenar filmi me metrazh të gjatë. Nga titulli mendon se ke në dorë një histori dashurie, e ç`mund të ketë brenda një kod trëndafili? Në fakt është një libër më së shumti psikologjik. Flet për sakrificën në emër të lirisë. Ndërsa në proces botimi ka romanin “ Borxhi”. Mendimi i saj filozofik është se: çdo ditë për një grua është një stuhi, një stuhi që nuk të jep kohë për t’u kthyer pas, sepse sërish të pret një tjetër stuhi që të duhet të shtosh forcat për t`i bërë ballë, pa menduar më për të parën.

Në dorë ka librin e dytë, kushtuar heroizmit dhe vuajtjeve të grave Kosovare gjatë luftës së gjenocidit serb. Ajo ka fakte ngjarje dhe përjetime të dhimbshme, nga lufta e popullit shqiptar të Kosovës për pavarësi dhe këto i hedh në letër me shumë dashuri dhe dhimbje. Klodiana Kadillari flet pak për veten, edhe pse kur ishte në Akademinë e Arteve ajo luante në skenën e Teatrit Kombëtar krahas aktorëve të mirënjohur shqiptarë, si Lazër Filipi, Tinka Kurti, Agim Qiriaqit dhe Drita Pelingut, duke iu besuar rolet e Vasiliqisë tek drama për Ali Pashë Tepelenën, etj. Në festivalin e dramës “Flaka e Janarit” në Gjilan të Kosovës, ajo fiton çmimin si aktorja më e mirë profesioniste.

Këtu qe mbreti, rastësia! Regjisori Fahri Hysa e përzgjedh për të ndjekur Artin Dramatik në qytetin e Tetovës. Gjatë studimeve ajo shkëlqeu me rolet dhe krahas Artit Dramatik ajo përfundon edhe studimet për Psikologji. Dhe arti ka nevojë për psikoanalizën në çdo rast.   

Unë do të përpiqem përsëri nesër...
Guximi dhe mendimi pozitiv është zëri i brendshëm i Klodit: “Unë do të përpiqem përsëri nesër”. Ajo në fund të shtatorit të vitit 2012, ishte ftuar në Festivalin ndërkombëtar të monodramës “Albamono” në qytetin e Korçës nga Dhimitër Orgocka. Klodiana atje fitoi çmimin e parë si aktorja më e mirë femër në rolin e Norës. Ndërsa me 28 Prill 2013 u duartrokit në skenën e Teatrit të Vlorës dhe këto ia shtuan emocionet.

Drejtori artistik i festivalit të monodramës, aktori Albert Verria, e vlerësoi lart interpretimin e Klodit. Tek e sheh Klodianën të interpretojë Norën e Ibsenit, një rol që e ëndërruan shumë nga artistet, vëren se aktualizimi që ajo i bën veprës është krejtësisht origjinal. Monodrama që ajo ndërton dhe e interpreton vetë, të befason me monologjet e ndjera, zërin e fortë dhe melodioz të Klodit. Nora e monodramatizuar nga Klodiana Kadillari, me regji të Sokol Plakollit, duhet t’i mbijetojë çdo sfide.

Klodi, u përpoq që kjo dramë t’i shërbejë edukimit emancipues të shoqërisë. E nesërmja ka një ftesë tjetër, pasi ajo është shembulli më i mirë i një artisteje të re, që identifikohet çdo ditë duke guxuar dhe menduar denjësisht… Urime Klodi!    

Shkrimi u publikua sot në gazetën “Shqiptarja.com”
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj