Klosi: 2 grupe pune për çështjen
 e pensioneve të ushtarakëve

Klosi: 2 grupe pune për çështjen<br /> e pensioneve të ushtarakëve
Qeveria do të rishikojë të gjithë procedurën e rillogaritjes së pensioneve të ushtarakëve në rezervë dhe të liruar, të miratuar nga qeverisja e mëparshme. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mirëqenies, Blendi Klosi, gjatë një takimi që ai dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë bërë sot me përfaqësues të shoqatave të ushtarakëve në rezervë dhe në lirim.

Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi evidentoi se falë ndryshimeve ligjore të bëra nga qeveria e mëparshme në rillogaritjen e pensioneve të ushtarakëve, më shumë se 6800 ushtarakë përfitonin në mënyrë të paligjshme dhe u shpallën debitorë ndaj shtetit, duke i krijuar atij një borxh të përvitshëm, të cilin po e shlyejnë në mënyrë të vazhdueshme. “Gjatë kësaj periudhe janë bërë ndryshime të paarsyeshme të ligjit, ndonëselegjislacioni i ri hyri  në fuqi në vitin 2011, duke i dhënë fuqi prapavepruese me efekt që nga viti 2009. Gjatë procesit të rishikimit të pensioneve rezultuan debitorë mbi 6800 ushtarakë, të cilët kanë vijuar të shlyejnë detyrimet e tyre.

Aktualisht figurojnë debitorë edhe 5234 ushtarakë, si dhe mbi 1 mijë ushtarakë të tjerë, të cilët akoma nuk kanë paraqitur dokumentacionet për procesin e rillogaritjes së pensionit. Për këtë arsye, një numër ushtarakësh të liruar detyrohen që një pjesë të pensionit të reduktuar nga ky akt ta kthejnë gjithsesi mbrapsht, për të paguar debinë e krijuar më parë. Kjo për arsye se organet shtetërore të ngarkuara nga ligji për të bërë rillogaritjen nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë në kohë detyrimet e tyre. Në këtë mënyrë, barra e dështimit të administratës ka kaluar padrejtësisht mbi ushtarakët”, - tha ministri Klosi.

Pikërisht për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate emergjente, por edhe për të zgjidhur përfundimisht çështjen e trajtimit të ushtarakëve në rezervë dhe atyre në lirim, ministri Klosi bëri të ditur se qeveria ka urdhëruar ngritjen e dy grupeve pune, të cilat do të trajtojnë këto situata. Konkretisht, ai bëri me dije se njëri grup do trajtojë çështjen e debitorëve të shpallur si pasojë e ndryshimeve të bëra nga qeveria e mëparshme në legjislacion dhe grupi i dytë do ndërmarrë ndryshimet ligjore për të zgjidhur përfundimisht çështjen e ushtarakëve. 

 “Për të vënë në rrugën e zgjidhjes të gjendjes së krijuar me ushtarakët në rezervë dhe në lirim, qeveria shqiptare, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, kërkon të ngrihet një grup pune, i përbërë nga specialistë të institucioneve të specializuara në këtë çështje, me qëllim për të përcaktuar hapat ligjorë dhe institucionalë për eliminimin e debitorëve me përgjegjësi konkrete dhe po ashtu, afatet e përcaktuara qartë. Së dyti, ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional me pjesëmarrjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Rendit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, që kanë lidhje me këtë çështje, i cili do të hartojë bazën e nevojshme ligjore për një trajtim të drejtë, të ndershëm dhe realist të ushtarëve të liruar nga Forcat e Armatosura. Në këtë proces të rëndësishëm do të angazhohen plotësisht dhe ekspertë, përfaqësues nga organizatat ushtarake në rezervë apo në lirim”, - tha Klosi në fjalën e tij.

Ja fjala e ministrit Klosi
Kryeministri Edi Rama më ngarkoi që të kem një kontakt të parë me ju, për të parë në mënyrë tëvazhdueshme dhe për të ndjekur çështjen e disa problematikave që janë ngritur shpesh nga shoqatat tuaja. Dhe sot, së bashku me këshilltarin për Çështjet e Mbrojtjes, z. Sandër Lleshi dhe me përfaqësues të lartë të Institutit të Sigurimeve, jemi së bashku me ju në këtë bisedë, për të pasur mundësi që të reflektojmë disa nga shqetësimet që janë ngritur në vazhdim.
 
Së pari, dua t’ju falënderoj që jeni këtu së bashku me ne për të marrë pjesë në këtë takim. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama e kanë konsideruar përherë trajtimin dinjitoz, të drejtë dhe të ndershëm të ushtarakëve në rezervë dhe në lirim si një detyrë shumë të rëndësishme. Gjatë periudhës së qeverisjes sonë janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Takimi i sotëm, i cili zhvillohet në zbatim të një detyre të kryeministrit, ka për qëllim të informoj përfaqësuesit e organizatave dhe shoqatave të ushtarakëve për progresin e bërë, si dhe për të gjetur rrugë më të përshtatshme për përfshirjen e tyre aktive edhe në këtë proces bashkëpunimi.
 
Gjatë këtyre 25 viteve, asnjëherë nuk është gjetur një zgjidhje e plotë dhe e qëndrueshme në mënyrën e trajtimit të ushtarakëve të liruar nga Forcat e Armatosura. Praktikat më të mira të vendeve që janë detyruar të futen në një rrugë reformash të thella ashtu sikurse vendi ynë, tregojnë se shtetet i kanë kompensuar ushtarakët, të cilët për shkak të reformave të domosdoshme kanë hequr dorë në njëfarë mënyre nga ushtrimi i profesionit të tyre aq shumë të nderuar dhe të vlerësuar. Veçanërisht në periudhën 2005-2013, janë ndërmarrë shumë masa, të cilat e kanë rënduar deri në diskriminim dhe absurditet pozitën reale dhe ekonomike të ushtarakëve të liruar nga shërbimet aktive të Forcave të Armatosura.Gjatë kësaj periudhe janë bërë ndryshime të paarsyeshme të ligjit, ndonëse legjislacioni i ri hyri në fuqi në vitin 2011, duke i dhënë fuqi prapavepruese me efekt që nga viti 2009.
 
Kjo për ne ka krijuar një situatë të papranueshme për këtë shtresë ushtarakësh, pasi në shumë raste, në të njëjtat kushte kanë masa të ndryshme pensione dhe disa prej tyre kanë edhe detyrime si pasojë e rillogaritjes së pensioneve për shkak të ndryshimit të legjislacionit. Gjatë procesit të rishikimit të pensioneve rezultuan debitorë mbi 6800 ushtarakë, të cilët kanë vijuar  të shlyejnë detyrimet e tyre. Aktualisht figurojnë debitorë edhe 5234 ushtarakë, si dhe mbi 1 mijë ushtarakë të tjerë, të cilët akoma nuk kanë paraqitur dokumentacionet për procesin e rillogaritjes së pensionit. Për këtë arsye, një numër ushtarakësh të liruar detyrohen që një pjesë të pensionit të reduktuar nga ky akt ta kthejnë gjithsesi mbrapsht, për të paguar debinë e krijuar më parë. Kjo për arsye se organet shtetërore të ngarkuara nga ligji për të bërë rillogaritjen, nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë në kohë detyrimet e tyre.
 
Në këtë mënyrë, barra e dështimit të administratës ka kaluar padrejtësisht mbi ushtarakët. Natyrisht, ne e njohim situatën dhe kemi një angazhim të plotë për të zgjidhur problematikat e krijuara për ushtarakët në rezervë dhe në lirim. Programi i qeverisë i miratuar në Kuvend për vitin 2013-2017, ka parashikuar shprehimisht zgjidhjen e gjendjes të paligjshmërisë së krijuar, ku përcaktuar se: ne do të ripunojmë kuadrin ligjor që rregullon e veprimtarinë e Forcave të Armatosura dhe përmirësimi i Statusit të Ushtarakut, me synim rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur dhe kthimin e besimit të tyre te shteti. Po ashtu, në këtë program qeverisës rishikimi i kuadrit ligjor për përmirësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve aktivë është një domosdoshmëri për mbajtjen dhe tërheqjen e burimeve njerëzore cilësore në forcat e armatosura për të ardhmen por edhe për trajtimin e denjë të ushtarakëve në rezervë apo në lirim.
 
Për të vënë në rrugën e zgjidhjes të gjendjes së krijuar me ushtarakët në rezervë dhe në lirim, qeveria shqiptare nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, kërkon të ngrihet një grup pune i përbërë nga specialistë të institucioneve të specializuara në këtë çështje,  me qëllim që të përcaktojë hapat ligjorë dhe institucionalë për eliminimin e debitorëve me përgjegjësi konkrete dhe po ashtu afatet e përcaktuara qartë. Së dyti, ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional me pjesëmarrjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Rendit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, që kanë lidhje me këtë çështje, i cili do të hartojë bazën e nevojshme ligjore për një trajtim të drejtë, të ndershëm dhe realist të ushtarëve të liruar nga Forcat e Armatosura.
 
Në këtë proces të rëndësishëm do të angazhohen plotësisht dhe ekspertë përfaqësues nga organizatat ushtarake në rezervë apo në lirim. Nëpërmjet këtyre masave, qeveria synon që në zbatim të programit të saj qeverisës të miratuar në Kuvend, të rivendosë standardet më të drejta ligjore për trajtimin e ushtarakëve të larguar nga Forcat e Armatosura, në kuadër të reformave të thella të ndërmarra në këtë sektor të rëndësishëm të jetës së vendit. Por trajtimi i drejtë dhe i ndershëm financiar do jetë vetëm një aspekt i masave që qeveria do të zbatojë në këtë fushë. Masa të tjera në drejtim të përfshirjes së ushtarakëve në rezervë dhe në lirim, në shërbim të forcave të Armatosura në veçanti, do të zhvillohen gjithashtu në të gjithë vendin, duke u dhënë mundësi të parashikohen në një të ardhme të afërt disa masa që ne do t’i bëjmë me dije shumë shpejt, pasi të kemi dakordësinë edhe të vetë shoqatës. Natyrisht, për të gjitha këto masa ne do të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe do të përpiqemi shumë që ky dialog të jetë i vazhdueshëm dhe transparent dhe kjo edhe në kujdesit të veçantë të këshilltarit të Kryeministrit për Sigurinë, gjeneral Sandër Lleshi.
 
 
 

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria