Klosi: Diplomat e marra në mënyrë
të pavlefshme nuk i shërbejnë askujt

Klosi: Diplomat e marra në mënyrë<br />të pavlefshme nuk i shërbejnë askujt
TIRANE­-Diplomat e marra në mënyrë të pavlefshme nuk i shërbejnë askujt. Kjo sipas ministrit të mirëqënies sociale dhe rinisë Blendi Klosi duhet tu shërbejë të gjithëve që të kuptojnë se për të qenë lider i së nesërmes duhet një diplomë e vlefshme.Këtë deklaratë Klosi e bëri gjatë prezantimit të sondazhit “Liderët e ardhshëm në tregun e punës” ku e pranishme ishte edhe ministrja e arsimit Lindita Nikolla.

 “Ne kemi një histori 20 vjeçare në Shqipëri ku njerëzit u orientuan drejt diplomave pa vlerë, që mbasi kanë vajtur 30 vjeç kuptojnë se diplomat e marra në rrugë jo të ndershme janë të panevojshme dhe tani kthehen te arsimi profesional për të marrë zanat”, - tha Klosi. Për këtë arsye, theksoi ai, është e nevojshme që të ketë më shumë orientim drejt arsimit profesional, drejt zejeve apo drejt zanateve që të rinjtë shqiptar të fillojnë që në moshën 18 vjec  të keni mundësi të jetojnë me punë të denjë.

Ministrja e Arsimit theksoi edhe njëherë se ligji i ri i arsimit të lartë që hyn në fuqi vitin e ardhshëm është një ligj që rrit cilësinë e arsimimit.


Nisur edhe nga të dhënat e sondazhit, ministri i MSR-së, Blendi Klosi në fjalën e tij u përqendrua kryesisht tek Arsimi Profesional, i cili sipas tij duhet të konsiderohet gjithnjë e më shumë si një alternativë serioze nga të rinjtë shqiptarë. “Unë mendoj se ka ardhur koha që ne të mos jemi dhe aq të kënaqur nga kërkesa e të rinjve për të pasur lidership, pasi është vërtetë e nevojshme për të drejtuar një shoqëri, një komunitet apo një biznes, por së pari çdo njeri duhet të ketë lidership për të drejtuar dhe mbajtur familjen e vet. Ndaj ne mendojmë që është shumë e nevojshme që të rinjtë të drejtohen nga profesionet dhe punët të cilat do ta bëjnë atë lidership të mirë, por në radhë të parë lidership të mirë të familjes së tij”, - tha Klosi në fjalën e tij.
 
Ai gjithashtu bëri një panoramë të punës së kryer vitet e fundit për ta reformuar Arsimin Profesional sipas modelit dual gjerman, ku studimi bëhet paralelisht me praktikën pranë një biznesi. “Kur flasim për arsimin profesional, bota moderne dhe sidomos shtetet e zhvilluara, e kanë zgjidhur. Që në moshën 15-16 vjeçare, nxënësit që futen në arsimin profesional e kanë të orientuar vendin e punës dhe kanë një kontratë të drejtpërdrejtë me biznesin ku do të punësohen pas arsimit profesional dhe po ashtu, kanë një kontratë pune që i detyron ata që për një afat kohor të shkojnë të punojnë te ai biznes që i ka paguar studimet. Ne jemi akoma larg momentit që biznesi shqiptar të kuptojë që për të pasur punëtor të kualifikuar do duhet të ketë dhe shpenzime. Akoma zëri i shpenzimeve për kualifikimeve te biznesi shqiptar është pothuajse zero”, - u shpreh ministri Klosi ndërsa theksoi se ky lloj arsimi garanton edhe një të ardhme më të mirë ekonomike për vendin.
 
Edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në ndërhyrjen e saj ka theksuar se kthimi i vëmendjes së qeverisë drejt arsimit profesional është gjëja e duhur për t’i orientuar të rinjtë drejt marrjes së një zanati apo profesioni që do t’u japë një mundësi më shumë për punë. “Fakti ka qenë  që 80 për qind e atyre që mbaronin një shkollë profesionale i drejtoheshin sërish universitetit dhe ndoshta në degët që s’kishin asnjë lidhje me atë shkollë që kishin bërë më parë. Besoj që edukimi dual është komplet një vektor i ri që do të mundësojë jo vetëm formimin profesional gjithnjë e më shumë afër biznesit, por edhe biznesi, vet do ofrojë mbështetje për të mundësuar formimin e profesionistëve që ai kërkon. Ndërsa nga ana tjetër do të shmangë dhe marrjen e një diplome që s’të çon askund”, - tha Nikolla.
 
Sondazhi i Deloitte, është një studim që zhvillohet në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe kryhet çdo dy vite. Ai synon t’u bëjë me dije punëdhënësve, politikbërësve dhe institucioneve akademike të vendit, aspiratat e brezit të ri. Këtë vit për këtë sondazh janë pyetur 259 studentë, 79 për qind e të cilëve kanë qenë femra. Ndër gjetjet e këtij studimi është që të rinjtë shqiptarë kanë prirje më të madhe për të qenë lider dhe kjo në fakt ndryshe nga të gjitha vendet e  Evropës Qendrore.
 

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shijak/ Përfshihet nga flakët Komisariati i policisë! Dyshohet për shkëndijë elektrike, zjarrfikësit bëjnë të mundur shuarjen e zjarrit

Shijak/ Përfshihet nga flakët Komisariati i policisë! Dyshohet për shkëndijë elektrike, zjarrfikësit bëjnë të mundur shuarjen e zjarrit