A do të ketë sezon turistik këtë verë? Në një intervistë për Report Tv me gazetaren Aida Tancica, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, beson se turizmi mund të nisë të marrë frymë përgjatë muajit qershor, kur pritet të hapen sipas tij aktivitetet e para. Ministri tha se me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, është duke u përgatitur plani për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social. Avantazhet e turizmit në Shqipëri, tha ministri Klosi, janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mos ditjen se kur do të rinisin,vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka.
"Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet. Duke parë mënyrën shumë të mirë menaxhuar të koronës besoj do të kemi një sezon realtivisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë. Ne kemi një turizëm që menaxhohet nga struktura hoteliere të vogla, investime me pronarë që marrin vendime të drejtpërdrejta, turizëm familjar. Po të shikosh vendet e rajonit kanë struktura të stërmëdha që kanë marrë vendim të jenë mbyllur për gjithë sezonin. Ne kemi turistë që vijnë nga toka në Shqipëri dhe nuk janë shumë të lidhur me botën e fluturimit. Nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës besoj do të kemi një sezon që do t'i shpëtojë katastrofës në vendin tonë Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit.
Edhe pjesa e fluturimit nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluar,a për të hapur mundësi për udhëtime charter", tha ministri.
I pyetur nga gazetarja Aida Tancica, nëse "qershori mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues?", - ministri i Turizmit dhe Mjedisit tha se me rregulalt e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina.
"Hapja e kufijve nuk mund të jetë vetëm shqiptare, është rajonale, europiane, botërore. Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet", theksoi ministri Klosi.
Lajmi kryesor: