KLSH alarm në Kuvend: Dëmi
ekonomik 1 miliard euro 

KLSH alarm në Kuvend: Dëmi<br />ekonomik 1 miliard euro 
Buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik prej më shumë se 1 miliardë eurosh. Alarmi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të sjellë në Kuvend, të cilën Shqiptarja.com e disponon. Sipas këtij raporti, “për shkak të parregullsive dhe shkeljeve financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, dëmi ekonomik i shkaktuar arrin shumën totale prej 125.763.051 mijë lekë, ose 919.9 milionë euro.

Po ashtu, për shkak të shkeljeve të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, arrijnë koston totale prej 35.312.076 mijë lekë, ose 257.7 milionë euro”-thuhet në raportin e KLSH-së. Treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit, është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2015. Nga 52 lekë për njësi që ka qenë në vitin e shkuar, sipas KLSH ky indikator është 2 fishuar, duke arritur në vlerën e 109 lekëve për njësi.

“Nëse do të analizonin dëmin e konstatuar ndër vite do të shikonim një rritje të konsiderueshme të këtij treguesi gjatë vitit 2015, tregues i cili është në rritje për shkak të dëmit të konstatuar nga Marrëveshja me CEZ, por jo vetëm”-thuhet në raportin vjetor të KLSH-së. Sa i takon nivelit kaq të lartë të dëmit ekonomik dhe shkeljeve, KLSH i rekomandon qeverisë të ndërmarrë politika të qëndrueshme me treguesit fiskalë. “Projekt buxheti duhet të jetë sa më realist në mënyrë që të eliminojë ndryshimet që i ndodhin atij gjatë vitit me anë të akteve normative. Kemi kërkuar hartimin e një kuadri rregullator fiskal, i cili të synojë reduktimin e nivelit të borxhit publike në nivelet e përcaktuara, në mënyrë që brenda një periudhe disavjeçare të sigurohet indikatori i borxhit publik në nivelin 60 % të PBB-së”-thuhet në raport. Sipas këtyre të dhënave, ngrihet shqetësimi serioz i nivelit të lartë të borxhit publik në perspektivën tonë financiare.

“Nisur nga nivelet shqetësuese të borxhit publik është kërkuar ndërhyrje e kujdesshme lidhur me menaxhimin e borxhit publik në koordinimin e plotë me Politikat Makroekonomike. Lidhur me përgatitjen e pasqyrave të konsoliduara financiare të shtetit, kemi konstatuar mungesën e një baze të unifikuar të mbajtjes së kontabilitetit, adresime të ndryshme të përgjegjësive për përgatitjen e pasqyrave financiare të konsoliduara të qeverisë”-thuhet në raport. Një vërejtje themelore i bëhet administratës sonë shtetërore, të cilën KLSH e quan të dobët. “Administrata jonë publike, me gjithë përpjekjet, është ende larg standardeve dhe praktikave më të mira të fushës në drejtim të menaxhimit financiar dhe kontrollit”-thuhet në raportin e KLSH-së.
 
Rekomandimet
Borxhi
“Nisur nga nivelet shqetësuese të borxhit publik është kërkuar ndërhyrje e kujdesshme lidhur me menaxhimin e borxhit publik në koordinimin e plotë me Politikat Makroekonomike”.

Buxheti
“Projekt buxheti duhet të jetë sa më realist në mënyrë që të eliminojë ndryshimet që i ndodhin atij gjatë vitit me anë të akteve normative. Të arrihet borxhi në nivelin 60 % të PBB-së”

Administrata
 “Administrata jonë publike, me gjithë përpjekjet, është ende larg standardeve dhe praktikave më të mira të fushës në drejtim të menaxhimit financiar dhe kontrollit”-thuhet në raport.
 
 
Marrëzia ekonomike në OSHEE, 32 milionë euro dëme në një vit  

Energjia e blerë me çmime më të larta se tregu, OSHEE 21 mln euro
Sektori i energjetikës përbën kupolën e dëmeve ekonomike në buxhetin e shtetit. Vetëm OSHEE sipas KLSH ka shkaktuar brenda vitit 2014 një dëm prej 32 milionë eurosh, nga të cilat 21 janë vetëm abuzime në blerjen e energjisë me çmim më të lartë se vlera e tregut. “Nga auditimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, kemi konstatuar përkundër angazhimit të kësaj kompanie për uljen e shpenzimeve dhe rritjes së të ardhurave, konstatojmë shkelje të akteve ligjore dhe dëm ekonomik në buxhetin e shtetit me vlerë 4.467.003 mijë lekë, ose  32 milionë euro.

Kemi konstatuar mungesë të ardhurash për shoqërinë OSHEE dhe për buxhetin e shtetit, të krijuar nga eksporti i energjisë nga KESH dhe importi i energjisë nga OSHEE në vlerën 124.388 mijë lekë, ose 891.096 euro. Kemi konstatuar dëm në fushën e blerjes së energjisë elektrike në vlerën 2.959.350 mijë lekë, ose 21.2 milionë euro, shkaktuar si rrjedhojë e blerjes së energjisë elektrike me çmime më të larta se ato të tregut.  Nga autditimi i blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike nga shoqëria rezulton një dëm ekonomik prej 4.4 milionë eurosh, të shkaktuar nga shkelja e procedurave të tenderimit, si dhe blerjes në disa raste të materialeve dhe pajisjeve elektronike pa zhvilluar procedura tenderimi”-thuhet në raportin e KLSH-së. Në gjendje jo të mirë financiare është edhe Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare.

“Gjendja debitore dhe kreditore është në shifra shqetësuese për shoqërinë KESH, ndërkohë nga organet drejtuese të saj nuk është analizuar dhe shqyrtuar me përgjegjësi, si dhe nuk janë marrë masat e duhura për reduktimin e tyre.  Nga auditimi konstatuam shkelje të akteve ligjore me një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit me vlerë 139.839 mijë lekë, si dhe një të ardhur të munguar për shoqërinë “KESH” në vlerën e 5.726.096 mijë lekë”-thuhet në raportin e KLSH-së për këtë sektor.
 
Blerjet
“Kemi konstatuar dëm në fushën e blerjes së energjisë elektrike në vlerën 21.2 milionë euro, shkaktuar si rrjedhojë e blerjes së energjisë elektrike me çmime më të larta se ato të tregut.”  

Albpetrol nuk kursen, 32 miliardë lekë dëm ekonomik
KLSH-qeverisë: Nëse e privatizoni, jepuani SHBA-së, Anglisë ose Gjermanisë
 
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur në shkelje edhe sektorin e hidrokarbureve, ku vetëm Albpetrol rezulton me shkelje që shkaktojnë dëm ekonomik më shumë se 32 miliardë lekë. “Nga auditimi i kryer gjatë vitit 2015, ka rezultuar se Albpetrol nuk ka informacion dhe të dhëna të mjaftueshme për statusin e aseteve të cilat kontraktorët kanë të regjistruara në koston e operacioneve hidrokarbure.

KLSH i ka rekomanduar Albpetrol të kërkojë informacion të detajuar nga të gjithë kontraktorët për asetet e përfshira si vlerë në kosto e hidrokarbureve të cilat mund të jenë përdor si kolateral për akreditim, me synim parandalimin e humbjeve në rastin e tërheqjes së mundshme të kontraktorëve nga marrëveshja hidrokarbure. Nga auditi i kryer në Albpetrl janë konstatuar shkelje të ligjshmërisë me pasojë dëm ekonomik në vlerën 32.6 miliardë lekë”,- thuhet në raportin e KLSH-së.

Ky institucion i paraqet një sugjerim qeverisë dhe kuvendit, në rast se do të ritentohet privatizimi i kësaj ndërmarrjeje. “Në rast të riaktivizimit të procedurave të privatizimit të Albpetrol, autoritetet shtetërore të sigurohen të përfshijnë në këto procese me përparësi të lartë, kompani me potenciale dhe kredenciale të larta profesionale nga aleatët strategjikë të vendit tonë, veçanërisht kompani me traditë të konsoliduar në këtë sektor, si nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania. Në këtë mënyrë, vendi ynë do të përfitonte jo vetëm nga ana ekonomike dhe financiare, por edhe politike.”-thuhet në raportin e KLSH-së.   
 
 
PS: Raportet e KLSH-së dëshmojnë lidhjet e saj me PD
Kontrolli i larrtë i Shtetit është shprehur edhe më përpara lidhur me koncesionet dhe kontratën e CEZ. Madje pak kohë më parë, KLSH dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri. Në reagimin e saj për këtë cështje, Partia Socialiste e ka cilësuar raportin e KLSH-së si një raport që çdo ditë e më shumë po nxjerr në pah lidhjen e fortë mes KLSH-së dhe Partisë Demokratike.

Në këtë rast, PS ka dashur tu kujtojë shqiptarëve faktin se drejtori i tanishëm i KLSH-së, Bujar Leskaj, ka shërbyer si ministër në qeverinë Berisha. “Çdo ditë e më shumë del në pah qarku i shkurtër, mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Partisë Demokratike. Fillimisht ishte KLSH që deklaratat e Sali Berishës në Parlament i shndërroi në një raport, që për hir të së vërtetës nuk ka asnjë lloj baze ligjore dhe asnjë fakt apo provë të vërtetë. Kurse sot, pamë se si Partia Demokratike shfrytëzoi raportin e KLSH për të sulmuar përsëri qeverinë. Pavarësisht ping pongut opozitë - KLSH, dëshiroj të bëj publike disa fakte, që japin përgjigje për secilin pretendim të ngritur nga KLSH dhe SHQUP-i”-tha deputeti socialist Ervin Bushati në deklaratën e tetorit të vitit të shkuar.


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Personi që sulmoi bashkëshortin e Nancy Pelosit dënohet me 30 vjet burg

Personi që sulmoi bashkëshortin e Nancy Pelosit dënohet me 30 vjet burg