SHKELJET DHE DEMI EKONOMIK
117, 878, 000 lekë shkelje me çmimin faktik të pagesës të cilat duhej të arkëtoheshin nga Bashkia Sarandë dhe të kanalizoheshin në llogaritë përkatëse që përdoren për kompensimin e ish pronarëve
87,970,832 lekë shkelje me çmimin e shitjes së trojeve
55,437,991 lekë shkelje me pagesat e taksës së ndikimit në infrastrukturë
6,407,467 lekë shkelje me prokurimet publike të zhvilluara për 8 tendera
Panajot Gunari, ish-kreu i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës dhe ish drejtuesit e tjerë, janë paditur nga KLSH për shkak se nga Këshilli i Rregullimit të Territorit Sarandë janë dhënë 129 leje ndërtimi, në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH.
“KRRT i Bashkisë Sarandë, brenda vijës kufizuese të qendrës së qytetit ka dhënë 129 leje ndërtimi, veprime këto në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH nr. 3, datë 21.08.2002 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”, pika 2, që citon׃ “Sheshet dhe lejet e ndërtimit, për objektet që propozohen brenda zonës së qendrave të qyteteve për Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e kategorisë së parë (sipas nenit 15 të ligjit nr. 8405, datë 17,09,1998 “Për Urbanistikën”), të shqyrtohen vetëm pas miratimit përfundimtar në KRRTRSH të studimeve të reja për këto qendra, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi”, -bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të KLSH.
Në 38 raste për periudhën në auditim janë konstatuar një sërë shkeljesh në lidhje me studimet urbanistike të miratuar nga KRRTSH dhe me studimet e tjera urbanistike në fuqi, në kundërshtim me ligjin.
Bazuar në auditimin me zgjedhje të rasteve të mësipërme, për 17 raste të vitit 2011, rezulton të jenë kryer një sërë veprimesh të kundraligjshme me çmimin faktik të pagesës të cilat duhej të arkëtoheshin nga Bashkia Sarandë dhe të kanalizoheshin në llogaritë përkatëse që përdoren për kompensimin e ish pronarëve, veprime këto në kundërshtim me VKM nr. 1620, datë 26.11.2008, të cilat kanë shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 117, 878, 000 lekë.
Drejtuesit e Bashkisë Sarandë, gjatë viteve 2006-2011 kanë kryer një sërë shitje trojesh duke u bazuar në vendime të kundërligjshme të Këshillit Bashkiak dhe kanë hartuar në bazë të këtyre kontratave aktvlerësime për çmimin e trojeve të nënshkruara nga Drejtori i Urbanistikës Ligjore dhe Drejtori i Urbanistikës, për 483 persona në shumën e përgjithshme prej 87,970,832 lekë, vlerë kjo e cila nuk është kaluar në llogarinë e krijimit të fondit për kompensime për ish pronarë, por është përdorur në mënyrë të kundërligjshme për nevoja të shpenzimeve të bashkisë.
Në lidhje me pagesat e taksës së ndikimit në infrastrukturë, për 13 raste janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore në fuqi duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e bashkisë në vlerën 55,437,991 lekë, veprime këto të kryera në kundërshtim me ligjin.
Në komunikatën për shtyp KLSh njofton gjithashtu se nuk janë zbatuar procedurat ligjore në lidhje me prokurimet publike të zhvilluara për 8 tendera, duke shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e bashkisë në vlerën prej 6,407,467 lekë. Shkeljet kishin të bënin me skualifikimin pa të drejtë të operatorëve ekonomikë me oferta më të ulëta në kushtet kur dokumentacioni i paraqitur si nga subjektet fituese ashtu dhe ato të skualifikuara ishte i njëjtë.
Në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Bashkia Sarandë, ka rezultuar që në kundërshtim ligjin nuk janë anuluar dhe nuk janë përsëritur nga e para procedurat e prokurimit në lidhje me 9 tendera të zhvilluar, megjithëse nga dokumentacioni i paraqitur evidentohej që nuk plotësoheshin kërkesat kualifikuese të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.
Për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka iniciuar kallëzim penal për:
- P.G (Panajot Gunari) në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë së Urbanistikës dhe njëkohësisht të ish-Sekretarit të KRT-së;
- H. Gj. në cilësinë e ish-Kryeinspektorit të Inspektoratit të Ndërtimit Urbanistik Vendor dhe Anëtarit të KRRT-së,
- R. P. në cilësinë e ish-Drejtorit të Urbanistikës Ligjore,
- O. B. në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë Ekonomike,
- F. L. në cilësinë e ish-juristit të Drejtorisë së Urbanistikës; dhe
- E. K. në cilësinë e ish-juristit të Drejtorisë së Urbanistikës,
ndërsa për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, KLSH ka iniciuar kallëzim penal për:
- R. M. në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO),
- A. K. në cilësinë e Anëtarit të KVO-së,
- Ll. D. në cilësinë e Anëtarit të KVO-së, dhe
- O. B. në cilësinë e Anëtarit të KVO-së,
duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Sarandë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
QE PREJ 29 DHJETORIT KLSH FILLOI KALLEZIME PENALE PER DISA BASHKI
Përgjatë disa ditëve radhazi KLSH ka bërë publike shkelje në disa institucione kryesore në vend të konstatuara pas kontrolleve. Më 29 dhjetor KLSH deklaroi se Ministria e Brendshme ka kryer shkelje të ligjit për tenderat publik duke i shkaktuar shtetit dëm ekonomik në vlerën e 225.6 milionë lekë. LEXONI KETU SHKELJET E KONSTATUARA NE M.BRENDSHME
Ndërsa vetëm një ditë më pas, më 30 dhjetor KLSH bëri kallëzim penal në Prokurori ndaj ish-kreut të Bashkisë Përmet nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për shitje të trojeve brenda vijës kufizuese të qyteti në kundërshtim të hapur me ligjin. Po atë ditë KLSH bëri publik kallëzimin ndaj drejtorit të shoqërisë të Ujësjellës-Kanalizimeve Mat për shkelje të ligjit në lidhje me administrimin e investimit të kryer me kontribut të qeverisë norvegjeze për rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemeve ekzistuese të ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza. LEXONI KETU SHKRIMIN E PLOTE
Ndërsa pasditen e 31 dhjetorit, pak orë para ndërrimit të viteve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, çoi në Prokurori kryebashkiakun e Pogradecit (përfaqësues i Partisë Socialiste), dy nënkryetarët dhe tre drejtues të tjerë të kësaj bashkie, për shkelje flagrante të ligjit të Urbanistikës. Sipas KLSH, kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi, dhe vartësit e tij i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 46,411,128 lekësh. Në sajë të një kontroli të kryer në Bashkinë Pogradec, KLSH konstatoi leje të paligjshme dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike. LEXONI SHKRIMIN E PLOTE PER PADINE NDAJ KRYEBASHKIAKUT TE POGRADECIT
Më 4 janar KLSH çoi në Prokurorinë e Vlorës ish-kreun e bashkisë së Himarës, Vasil Bollano pasi me veprimet dhe mosvepriemt e tij ka shkaktuar një dëm ekonomik prej më shumë se 40 milionë lekësh, ndërsa është përgjegjës edhe për mosarkëtimin e taksave lokale në një vlerë prej më shumë se 87 milionë lekësh. Po atë ditë, me 4 janar KLSH deklaroi se në një tjetër auditim ka rezultuar se ish-kryetari i Bashkisë Këlcyrë në bashkëpunim edhe me ish-përgjegjësin e Sektorit të Financës në këtë Bashki kanë lidhur 28 kontrata shitje trualli në një sipërfaqe prej 3,142.5 m2. LEXONI SHKRIMIN E PLOTE
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)