“Nga auditimi u konstatuan disa të meta e mangësi në drejtim të zbatimit të legjislacionit doganor, procedurave të zhdoganimit, administrimit të akcizës, mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike, nxjerrjes së vendimeve administrative, si dhe administrimit dhe rikuperimit të borxhit doganor, të cilat kanë sjellë si pasojë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 130,438,000 lekë”, thekson KLSH në një njoftim të djeshëm për shtyp.
Borxhi doganor
Sipas KLSH, nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1,807,618,000 lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerë 3,400,073,000 lekë. Gjendja në fund të periudhës paraqitet me shtesë në 520 raste për 355 subjekte debitorë, në vlerë 1,592,455,000 lekë rritje të nivelit të borxhit doganor.
Po ashtu, nga auditimi i procedurave të zhdoganimit mbi vlerësimin doganor dhe klasifikimin tarifor të mallrave, u konstatuan 67 raste në shkelje të ligjit “Për procedurat e shqyrtimit të vlerës doganore burimet e informacionit dhe afatet e publikimit të dosjes me të dhëna të disponueshme, si dhe zhdoganimin e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit”.
Regjimi doganor
Nga auditimi i procedurave ligjore të zbatuara nga autoriteti doganor kompetent gjatë nxjerrjes së vendimeve administrative u konstatuan raste të kundravajtjes administrative si mosrespektim të afateve kohore të automjeteve përfituese të regjimit të lejimit të përkohshëm, me një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 24,4 milionë lekë.
U konstatuan gjithashtu njëzet raste të mos paraqitjes apo paraqitjes me vonesë të dokumentit për mbylljen e regjimit të përkohshëm nga ana e operatorëve ekonomik dhe një rast për mos plotësimin e dosjeve me dokumentet përkatëse, veprime të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative të cila ndëshkohet me gjobë 50,000 lekë, për çdo rast, ose në shumën 1,050,00 lekë.
Akciza
Lidhur me administrimin e taksës së akcizës u konstatuan disa shkelje dhe mangësi ligjore, si mos llogaritje të prodhimit të artikullit birrë (për taksën e akcizës), rezultuan detyrime doganore të papaguara dhe gjoba të pa aplikuara të cilat kanë sjellë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 57,5 milionë lekë.
Në 20 raste për sipërfaqen prej 3925 m2, kanë lejuar e kryer shitjen e pronës publike e shtetërore për troje të zëna nga objekte ndërtimore të ngritura plotësisht apo pjesërisht mbi pronë shtetërore, ku qëllimi i përdorimit të objekteve të ngritura është për “ambiente shërbimi” dhe jo me destinacion banimi, veprim ky që ka cënuar territorin funksional publik të Bashkisë.
“Nga auditimi i magazinave doganore u konstatua se regjistrat e magazinave doganore nuk janë plotësuar sipas kërkesave të legjislacioni doganor, veprim i cili përbën kundërvajtje administrative të parashikuar nga ligji nr. 8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, neni 256/1 dhe në zbatim të nenit 275/1, ndëshkohet me gjobë 50,000 lekë për çdo rast ose në total në vlerë 1,200,000 lekë”, thekson KLSH.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Shtator 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)