Ndërsa në prokurorinë e Tiranës ka dorëzuar padi për anëtarët e Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të pandara në Zall Herr, si dhe juristin e kësaj komune të qarkut të Tiranës.
6 ish përgjegjësit e sektorit të (ALUIZNI) Shkodër akuzohen se me anë të shpërdorimit të detyrës kanë legalizuar 50 objekte pa leje në kundërshtim me ligjin duke i shkaktuar shteti një dëm prej gati 178 milionë lekësh të reja.
Ndërkohë në Zall Herr anëtarët e Bordit, mes tyre dhe një specialist në Drejtorinë e Bujqësisë Tiranë dhe, punonjës i Këshillit të Qarkut Tiranë si dhe një jurist i kësaj komune akuzohen se kanë shkelur ligjet duke firmosur 188 kontrata për dhënie me qira të tokave bujqësore të pandara për një afat prej 99 vjetësh. Edhe këtu dëmi ekonomik ndaj shtetit është miliona lekë. Lexo me shume: KLSH padit 4 zyrtarë të Zall Herrit
PADIA PER ZYRTARET E ALUIZNI-t SHKODER
Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi sot se ka paditur në prokurori 6 ish përgjegjës sektori të Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) të Shkodrës.
Ata akuzohen se me anë të shpërdorimit të detyrës kanë legalizuar 50 objekte pa leje në kundërshtim me ligjin duke i shkaktuar shteti një dëm prej gati 178 milionë lekësh të reja.
Ky fond nëse do të ishte mbledhur sipas ligjit duhej të shërbente për kompensimin e ish pronarëve.
Ky abuzim është kryer brenda një periudhe 1 vjeçare, Janar 2011- Dhjetor 2012, kohë për të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 576/1, datë 29.6.2013 kishte ushtruar auditim në Agjencinë e ALUIZNI-t Shkodër.
“Nga ky auditim u konstatuan një sërë shkeljesh, për të cilat KLSH ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 6 ish përgjegjës sektori të këtij institucioni, G.L, E.SH., P.K., N.J., B.J. dhe F.P., me akuzën e shpërdorimit të detyrës për mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”- thuhet në njoftimin e sotëm për shtyp të KLSH-së. Personat në njoftimin për shtyp publikohen me iniciale deri në momentin kur prokuroria vërteton akuzat e bëra nga KLSH, dhe dërgon dosjet në gjykatë.
SI U KRYE ABUZIMI
Nga raporti i KLSH vërehet se janë favorizuar deklaruesit e 50 ndërtimeve informale. Sipërfaqet ndërtimore që deklaruesit zotëronin janë zvogëluar gjatë procedurës së legalizimit, duke bërë që ata të paguanin më pak dhe nuk u janë shitur me vlerën e tregut.
KLSH KERKON SHKARKIMIN NGA PUNA EDHE TE ISH DREJTORIT
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Ndërprerje të marrëdhënieve të punës” për ish drejtorin dhe gjashtë përgjegjës dhe ish-përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Shkodër.
AKUZAT E KLSH PËR 6 ISH ZYRTARËT E ALUIZNI SHKODER
KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse, përmes kallëzimeve për shpërdorim detyre për ish-përgjegjësit e sektorëve të Legalizimit, Rregjistrimit dhe Hartografisë.
- Moszbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjes së legalizimit të objektit informal, për përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për fondin e kompensimit monetar për subjektet ish-pronarë, në vlerën 177,832,630 lekë.
-Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin si:
Për 50 objekte (dosje) janë kryer procedurat e dhenies së lejes së legalizimit dhe kalimit të pronësisë (rregjistrim në ZVRPP), për objekte ndërtimore të ngritura pa leje, në kundërshtim me ligjin nr. 9482, 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.
- Për 50 raste, për sipërfaqen 20,038 m2, janë arkëtuar më pak në vlerën 177,832,630 lekë, duke shkaktuar dëm në Buxhetin e Shtetit, pra të ardhura të munguara për fondin e kompensimit monetar të ish pronarëve. Kjo diferencë ka ardhur nga moszbatimi i drejtë i mënyrës së llogaritjes së sipërfaqeve të poseduara si parcela ndërtimore të paguara, me sipërfaqen e vëtdeklaruar, të përcaktuar në VKM dhe sipërfaqen që zotëron në fakt poseduesi i ndërtimit informal, duke mos marrë në konsideratë Urdhrin nr. 291 datë 1.9.2008, të Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI –t “Manualin për hartimin dhe paraqitjen e materialeve grafike”.
- Këto sipërfaqe ndërtimore, të zvogëluara gjatë procedurës së legalizimit, në asnjë rast nuk mund të parcelizoheshin, por i duheshin shitur poseduesve me vlerën e tregut, vlerë kjo e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.
- kanë rezultuar diferenca të sipërfaqeve të evidentuara nga auditimi i KLSH, në krahasimin ndërmjet sipërfaqeve të zëna sipas vetëdeklarimeve, ortofotove dhe skicave fushore që administrohen në çdo dosje vetëdeklarimi. Këto veprime bien në kundërshtim me nenin 3,17, 17/1 dhe neni 20 të ligjit nr. 9482, 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar,
- nuk është respektuar kufiri dhe raporti ligjor i pagesës, mes sasisë së bonove të privatizimit dhe pagesës me lekë në dorë në dy raste, duke sjellë një dëm ekonomik në arkën e shtetit në vlerë 716,200 lekë, për sipërfaqe të legalizuara prej 779,84 m2.
Për rrjedhojë, janë favorizuar deklaruesit e ndërtimit informal. Këto veprime bien në kundërshtim me nenin 2 të ligjit nr. 10219, datë 4.02.2010 “Për disa shtesa në nenin 20/c të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve Pa Leje”, të ndryshuar dhe me nenin 25 të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006.
Redaksia Online
(mag/sg/shqiptarja.com)