“Si pasojë e këtyre shkeljeve të konstatuara, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar në Prokurorinë e Rrethit për kallëzim penal, ish kryetarin e Bashkisë Përmet për periudhën 2008 -2011, me akuzën “Për shpërdorim detyre”, pasi në kundërshtim flagrant me ligjin ka nënshkruar aktin noterial të shitjes ndaj subjekteve private të pronës shtetërore (truall) ndonëse nga verifikimet e bëra gjatë procesit të auditimit rezultoi se pala shitëse Bashkia Përmet nuk ka qenë pronare e trojeve që ajo ka shitur me anë të kontratës noteriale”, nënvizon KLSH.
Gjithashtu, në bazë të shkeljeve të konstatuara në aktivitetin ekonomik e financiar të shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime” Mat, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori drejtorin i shoqërisë, kryetarin e Degës Teknike, kryetarin e Degës së Financës dhe dy ish-kryetaret e Degës së Financës në shoqërisë.
Sipas KLSH-së, të cilët këta persona, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale, kanë kryer me dashje veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Gjatë kontrollit në shoqërinë“Ujësjellës-Kanalizime” Mat, grupi i auditivit të KLSH-së konstatoi një sërë shkeljesh dhe parregullsish ligjore në lidhje me administrimin e investimit të kryer me kontribut të Qeverisë Norvegjeze për rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemeve ekzistuese të ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza.
“Nga auditimi rezultoi që drejtori dhe shefat e financës (sipas periudhave) të kësaj ndërmarrjeje, nuk kanë regjistruar në kontabilitetin e shoqërisë të gjitha mallrat e ndodhura në magazinën e marrë në dorëzim në përfundim të punimeve nga Projekti Norvegjez; kanë kryer një sërë daljesh drejt subjekteve të ndryshëm fizikë dhe juridikë (në disa raste edhe ndaj subjekteve private), për të cilat mungojnë dokumentet justifikuese dhe vërtetuese për përdorimin e materialeve të bëra dalje, si dhe kanë nxjerrë urdhrat për këto dalje; të gjitha këto veprime në kundërshtim me ligjin”, bën të ditur KLSH.
Ndërkohë mësohet se dëmi financiar i llogaritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si pasojë e këtyre veprimeve të kundraligjshme është 18,628,898 lekë, i cili përfaqëson daljet në vlerë të materialeve nga magazina për periudhën 4 vjeçare 2007-2011, ku për të gjitha rastet mungojnë dokumentet justifikuese dhe vërtetuese për përdorimin e këtyre materialeve.
Redaksia online
(eç/aq/shqiptarja.com)