KLSH kallëzon Luzin, KQZ: 
Çështja u pushua në 2015-ën

KLSH kallëzon Luzin, KQZ: <br />Çështja u pushua në 2015-ën
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjes, Lefterie Luzi është kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për një abuzim më shumë se 2 milionë euro në buxhetin e shtetit. Lleshi e cila në fillim të tetorit përfundon mandatin e saj, do të përmballet për herë të dytë me drejtësinë për menaxhimin e fondeve për projektin pilot në zgjedhjet e vitit 2013 kur u tentua votimi elektronik në Fier dhe Tiranë. KLSH ka përfunduar auditimin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, për periudhën 01.01.2014 - 31.12.2015 të veprimtarisë së këtij institucioni.

Hetimi
Nga auditimi i ushtruar në lidhje me miratimin dhe zbatimin e dy projekteve SEN (Sistemin Elektronik të Numërimit, për qarkun Fier) dhe SEV (Sistemin Elektronik të Verifikimit, për Qarkun Tiranë) në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23.06.2013, KLSH ka arritur në konkluzionin që nga ana e kryetarit të KQZ-së, Lefterie Luzi, janë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenin 248 i Kodit Penal, dhe për rrjedhojë në lidhje me këto shkelje KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal në datën 19 korrik të këtij viti. Pavarësisht faktit që në lidhje me këto shkelje janë zhvilluar më herët hetime nga organi i Prokurorisë (si pasojë e kallëzimit penal të bërë nga Partia Socialiste) dhe më pas hetimi është pushuar, faktet dhe provat e reja të konstatuara nga auditimi i KLSH-së (sidomos përsa i përket përcaktimeve të bëra në kontratat e lidhura nga KQZ me kompaninë sipërmarrëse), janë konsideruar si të mjaftueshme për të ridërguar sërish në Prokurori një kallëzim të ri penal, të rikonceptuar tashmë nga KLSH në fokusin e elementëve të rinj plotësues të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Avokatura
Pavarësisht propozimeve dhe sugjerimeve të bëra nga Avokatura e Shtetit në lidhje me ndryshimin e përmbajtjes së draft kontratave, KQZ ka vendosur të mos i marrë parasysh propozimet dhe sugjerimet e Avokaturës së Shtetit, duke mos ndryshuar përmbajtjen e tyre. “Arrihet në konkluzionin që përsa i përket fazës përpara nënshkrimit të kontratave kërkesa e KQZ për dhënie mendimi nga ana e Avokaturës së Shtetit ka qenë fiktive ndërsa përsa i përket fazës pas nënshkrimit të kontratave KQZ nuk ka kërkuar asnjë mendim Avokaturës së Shtetit. Veprime këto të kryera në kundërshtim me përcaktimet ligjore”,-thuhet në kallëzimin e KLSH-së.

Kontrata
Sipas KLSH-së, “evidentohet fare qartë qëllimi i KQZ për të vendosur dhe ruajtur në përcaktimet kontraktore një sërë të drejtash të kontraktorit Indra Sistemas S.A. në disfavor të interesave të ligjshme të shtetit dhe më konkretisht: Dhënia e së drejtës për të anulluar kontratën; Krijimi i mundësive për të anulluar kontratën për shkaqe teknike; Anullimi i menjëhershëm i kontratës në rastin e moskryerjes së pagesave nga KQZ; Anullimi i menjëhershëm i kontratës në rastin e modifikimit të dizenjos së fletës së votimit nga KQZ; Limitimi i përgjegjësive të kompanisë, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Kodin Civil. Siç evidentohet edhe nga klauzolat e sipërcituara të nenit 9 dhe 10 të kontratës, KQZ ka krijuar me dashje që në fillim kushtet optimale për një ndërprerje të qëllimshme (madje të paramenduar) të kontratës, duke i dhënë kompanisë Indra Sistemas S.A. të drejtën për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme marrëdhënien kontraktore, duke i dhënë asaj dy variante se si ajo mund të ndërpriste në mënyrë të menjëhershme kontratën në rastin e mosplotësimit nga KQZ të dy kushteve teknike që kishin të bënin me moskryerjen në kohë të pagesave dhe ndryshimin e fletës së votimit, si dhe duke limituar dhe shmangur totalisht në shumicën e klauzolave përgjegjësinë e kompanisë në rastin e shkaktimit të dëmeve”,-thuhet në raportin e KLSH-së.

Pagesat
Sipas KLSH-së, në funksion të qëllimit për të ndërprerë marrëdhëniet kontraktore, KQZ kishte parashikuar në kontratë edhe mënyrën se si kompania Indra Sistemas S.A. do të përfitonte maksimalisht (70% dhe 60% të vlerës së kontratës) përpara ndërprerjes së parashikuar të marrëdhënieve kontraktore. Sipas kontratave, KQZ, për realizimin e projekteve SEV dhe SEN, do ti jepte kompanisë Indra Sistemas S.A., 90% të çmimit të kontratave prej 3,637,863 Euro vetëm për fazën përgatitore dhe 10% të çmimit të kontratave prej 404,207 Euro nëse kjo kompani do ti kryente më pas shërbimet ditën e zgjedhjeve. “Sa më sipër, arrihet në konkluzionin që qëllimi i vetëm i kryerjes së këtyre pagesave nga KQZ, për blerjen paraprake të të gjitha pajisjeve hardëare, ishte rritja fiktive e pagesave që kompania Indra Sistemas S.A. do të merrte përpara prishjes së kontratës. Në kushtet e një dijenie të plotë në lidhje me pasojat, risqet dhe procedurat e zbatimit të projektit SEN, vendimmarrja e KQZ në lidhje me përcaktimet kontraktore që kishin të bënin me zgjidhjen e kontratës, favorizimin e kompanisë dhe dhënien ndaj saj të pagesave të panevojshme, ka qenë e qëllimshme. Dështimi i paramenduar i këtij projekti çon në konkluzionin që ky projekt ka qenë një projekt fiktiv, i cili në mënyrën se si ishte kontraktuar kishte të garantuar dështimin dhe jo suksesin e tij. Arrihet në konkluzionin që KQZ nëpërmjet vendosjes në të dyja kontratat të përcaktimeve të disfavorshme për KQZ-në ka favorizuar kompaninë Indra Sistemas S.A. në ofrimin e një shërbimi të pavlefshëm, marrjen e pagesave të pamerituara dhe ndërprerjen e marrëdhënieve kontraktore pa kurrfarë detyrimi karshi dëmeve të shkaktuara KQZ-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën 2,563,349.5 Euro”-thuhet në raport.

Reagimi
Në një reagim për Shqiptarja.com, burime pranë KQZ thanë se për çështjen e pretenduar nuk ka shkelje ligjore, ndërsa thekson se çështja është mbyllur nga Prokuroria një vit më parë. "Në vendimin e Prokurorisë nuk janë gjetur shkelje ligjore. Sipas Prokurorisë, në vendimin e 2015-ës, procedurat e ndjekura nga KQZ sipas ligjit. Çështja u mbyll me vendim nga Prokuroria në 28.09.2015 dhe sipas vendimit të Prokurorisë, kryetari i KQZ që është kallëzuar nuk ka vepruar kundër ligjit", thanë burime pranë KQZ.

KQZ sqaron procedurat e ndjekura për projektet për vetë objektin dhe rëndësinë që përfaqësonin, diktoheshin nga interesat e shtetit. "Veprimet e KQZ nuk binin ndesh me ndonjë dispozitë ligjore që rregullon procedura e prokurimit publik", theksojnë më tej të njëjtat burime.

Padia për projektin pilot është bërë nga Partia Socialiste në 27 nëntor të vitit 2013-ë. 
 

KLSH kallëzon në prokurori kryetaren e KQZ, raporti i plotë

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përse Berisha iu gjunjëzua Damianit?

Mero Baze: Përse Berisha iu gjunjëzua Damianit?