Në analizën 1–vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i këtij institucioni, Bujar Leskaj deklaroi sot se ka bërë edhe propozime konkrete për ndryshime ligjore, siç është fiksimi në Kushtetutë i tavanit të borxhit publik.
“Ministria e Financave të ngrejë një komision për fiksimin e parametrave tregues të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Shkeljet më të mëdha janë bërë në shitjen e pasurive dhe dhënine me koncension të pasurive shtetërore. 108 milionë euro ose 15. 1 miliardë lekë dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.”- tha Leskaj.
Gjatë analizës që u zhvillua në ambientet e hotel Tiranës Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani u ka kërkuar të gjithë audituesve bashkëpunim me prokurorinë dhe Kuvendin.
Ettore Sequi, ambasadori i BE në Tiranë, ka kërkuar që të gjithë institucionet shtetërore duhet të punojnë për të luftuar korrupsionin.
“Të gjitha insitucionet shtetërore duhet të punojnë së bashku për të luftuar korrupsionin. Pikërisht përpjekjet e vendit në këtë luftë do të shpërblenin përkushtimin politik si dhe mbështetjen konkrete të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për luftën kundër korrupsionit si dhe të mbështesin edhe në të ardhmen insitucionet tuaja”- tha Sequi.
LLALLA: ABUZIMET NE TE GJITHA NIVELET E ADMINISTRATES
Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, gjatë fjalës së tij ka theksuar se “Abuzimet me funksionin publik janë shtrirë në thuajse të gjithë nivelet e administratës publike” Për këtë, ai ka kërkuar më shumë bashkëpunim dhe seriozitet.
"Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se abuzimet me funksionin publik janë shtrirë në thuajse të gjithë nivelet e administratës publike. Për këtë kërkohet më shumë bashkëpunim dhe seriozitet në punën tonë. Këtu nuk i referohem vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit. Rol primar në luftën kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës kanë të gjithë institucionet publike. Në veçanti, ato institucione që janë pjesë e Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Force
.
Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të konsiderohet si garë mes institucioneve apo si kalim i përgjegjësisë tek njëri-tjetri. Natyrisht, organi i prokurorisë ka rolin e tij kryesor në ngritjen e akuzës. Por edhe institucionet publike që referojnë raste në prokurori, nuk duhet ta konsiderojnë rolin e tyre të përfunduar në momentin e dorëzimit të kallëzimit. Institucionet duhet të jenë solidarë deri në dhënien e dënimit nga gjykata. Kjo është fryma e Njësive të Përbashkëta Hetimore."
"Angazhimi Juaj, në përgjithësi ka qenë serioz. Kjo dallohet nga analiza e plotë që i keni bërë materialeve kallëzuese dhe e ka ndihmuar prokurorinë në punën e saj.
Raste të shumta që janë dorëzuar në prokurori nga ana juaj gjatë vitit të kaluar, tashmë kanë shkuar në gjykatë ose janë në përfundim të hetimeve. Po ashtu, në të gjitha rastet, Prokuroria ka kërkuar masën e pezullimit nga detyra për zyrtarët ndaj të cilëve është regjistruar procedimi penal. Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme ka qenë e ndejshme ndaj rasteve të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Një numër i madh çështjesh, të pushuara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore para vitit 2013, janë shfuqizuar dhe është kërkuar rihetimi i tyre. Për disa prej tyre, gjykata ka shpallur dënimet. Diçka e tillë dëshmon e vërteton faktin se impenjimi i stafit të KLSH-së ka qenë dhe vijon të jetë në nivele të pranueshme. Gjithësesi, jemi të bindur se kemi shumë për të bërë. Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se abuzimet me funksionin publik janë shtrirë në thuajse të gjithë nivelet e administratës publike."- tha më tej LLalla.
Analiza vjetore e KLSH për vitin 2013