“Nga auditimi është konstatuar se problematika kryesore në caktimin e pensionit të pleqërisë është njohja e periudhave të sigurimit, të cilat janë zgjidhur përkatësisht me mbledhje të Degës së Përfitimeve, në rreth 74% të rasteve ose 4.570 dosje, në 731 raste ose 12 % janë zgjidhur me vendime të komisioneve dhe në 835 raste ose 13 % e pensione të caktuara në vitin 2014 janë zgjidhur me vendim gjykate”, -thekson raporti i KLSH-s.
Risia
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se i ka kërkuar ISSH të marrë masa për futjen e shpejtë në veprim të plotë të sistemit online të pranimit, llogaritjes dhe caktimit të pensioneve e cila do të përmirësojë treguesit e afateve të caktimit të pensioneve si dhe cilësinë e lidhjes së tyre. “Kërkohet të shtohen raportimet dhe të rritet niveli i monitorimit duke kërkuar përgjegjshmëri më të lartë të inspektorëve në lidhje me mbylljen e çdo praktike që trajtojnë dhe duke mos krijuar problematika për qytetarët sidomos referuar dokumetacionit që është më i saktë dhe i mundshëm për t’iu siguruar nga vetë strukturat shtetërore (në këtë rast ISSH)”, - rekomandon KLSH.
Caktimi
“Në disa Drejtori Rajonale të Sigurimeve Shoqërore fluksi i kërkesave për pensione është mjaft i lartë dhe puna e agjencive për pritjen, sqarimin dhe procesimin e tyre, rezulton mjaft voluminoze, duke krijon edhe problematika, vonesa të cilat detyrojnë të interesuarit të ridrejtohen në Zyrat e Sigurimeve Shoqërore dhe të shtojnë e rishtojnë më tej volumin e punës.
Në këto kushte e kemi konsideruar të rëndësishme që nga ana e Këshillit Administrativ të analizohet problematika, shkaqet e kësaj situate nëse është e mundur të veprohet duke rritur eficencën e burimeve ekzistuese apo do të duhen burime dhe kapacitete shtesë, në mënyrë që të mos krijohen pengesa për moshën e tretë” – përfundon raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Kontributet e padeklaruara jo në dorë të ISSH-s”
Pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ngre dyshime për skemën e re të pensioneve por dhe thekson se janë rreth 125 mijë persona që po humbasin kontributet e tyre, ka reaguar dhe Institutit i Sigurimeve Shoqërore. Të kontaktuar nga gazeta shqiptarja.com drejtuesit e ISSH-s, thonë se është Inspektorati i Punës dhe Drejtoria e Tatimeve që duhet të merren me personat të cilët janë të punësuar dhe që nuk u derdhen kontributet.
“ISSH është institucion ligjzbatues dhe menaxhon të ardhurat dhe fondet që miratohen nga institucionet e tjera. ISSH nuk mund të kontrollojë numrin e kontribuesve pasi kjo është në dorë të institucioneve si Inspektorati i Punës dhe Tatimet”, - thonë burime pranë ISSH-së.
Gjithashtu Instituti i Sigurimeve Shoqërore thotë se nuk është njohur me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, por theksohet se nuk ka patur asnjë shkelje me tenderat, apo me shpërblimet që u janë dhënë punonjësve.
Të pyetur nga gazeta lidhur me faktin se ka dështuar apo jo skema e re e pensioneve, drejtuesit e ISSH-s, thonë se nuk mund të komentojnë një fakt të tillë pasi të dhënat e deritanishme tregojnë se skema po jep efektet e saj, pavarësisht se janë vetëm 7 muaj që po zbatohet. Për vonesat e caktimit të pensioni ISSH sqaron se pjesa më e madhe e tyre janë lidhur brenda afatit ligjor prej 45 ditësh, ashtu siç parashikon ligji.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Shtator 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)