Nga auditimi i KLSH në bashkinë e Himarës ka rezultuar se “për 22 raste, lejet e ndërtimit janë shqyrtuar dhe miratuar 6 muaj pas vendimit për miratimin e lejes së sheshit të ndërtimit, veprim ky në kundërshtim me ligjin e Urbanistikës. Për 59 raste janë pranuar kërkesa për miratim të lejes së sheshit dhe lejes të ndërtimit pa titull pronësie nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Nga Drejtoria e Urbanistikës e Bashkisë janë zbardhur leje ndërtimi pa u bërë më parë arkëtimi i tarifës së taksës së ndikimit në infrastrukturë në afatin brenda 30 ditëve të punës, për 47 raste me vlerë prej me shume se 5 milionë lekë dhe një tjetër rast me vlerë prej më shumë se 1 milionë lekë.
Sipas KLSH, Vasil Bollano nuk ka zbatuar dhe ka vepruar në mënyrë të kundraligjshme në refuzimin e paargumentuar të rekomandimeve të kontrollit të KLSH-së, duke mos i dërguar Agjencisë së Prokurimit Publik rekomandimet, gjë që ka sjellë si pasojë mos arkëtimin dhe mos kërkimin në rrugë ligjore të dëmit të shkaktuar buxhetit të shtetit nga keqmenaxhimi i Njësisë vendore, me vlerën mbi 22 milionë lekë.
Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit në fuqi, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik në vlerën mbi 40 milionë lekë dhe të ardhura të munguara nga mosarkëtimi i taksave lokale në vlerën mbi 87 milionë lekë.
Veç Bollanos KLSH ka bërë kallëzim penal edhe për ish-drejtorin e Urbanistikës në Bashki si dhe nëpunës të tjerë të saj, me akuzën e shpërdorimit të detyrës në fushën e urbanistikës dhe administrimit të pasurisë së Bashkisë dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
KALLEZIM PENAL EDHE NDAJ ISH KRYEBASHKIAKUT TE KELCYRES
Ndërkaq po sot KLSH deklaron se në një tjetër auditim ka rezultuar se ish-kryetari i Bashkisë Këlcyrë në bashkëpunim edhe me ish-përgjegjësin e Sektorit të Financës në këtë Bashki kanë lidhur 28 kontrata shitje trualli në një sipërfaqe prej 3,142.5 m2. Ndërsa nuk disponohet asnjë titull ligjor pronësie mbi trojet e shitura me anë të kontratave të mësipërme. Kallëzimi penal për shpërdorim detyre i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës.
KLSH KALLEZOI EDHE KRYEBASHKIAKUN E POGRADECIT, ISH-KREUN E BASHKISE PERMET DHE DREJTORIN E UJESJELLES-KANALIZIMEVE MAT
Në katër ditë radhazi KLSH ka bërë publike shkelje në disa institucione kryesore në vend të konstatuara pas kontrolleve. Më 29 dhjetor KLSH deklaroi se Ministria e Brendshme ka kryer shkelje të ligjit për tenderat publik duke i shkaktuar shtetit dëm ekonomik në vlerën e 225.6 milionë lekë. Ndërsa vetëm një ditë më pas, më 30 dhjetor KLSH bëri kallëzim penal në Prokurori ndaj ish-kreut të Bashkisë Përmet nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për shitje të trojeve brenda vijës kufizuese të qyteti në kundërshtim të hapur me ligjin. Po atë ditë KLSH bëri publik kallëzimin ndaj drejtorit të shoqërisë të Ujësjellës-Kanalizimeve Mat për shkelje të ligjit në lidhje me administrimin e investimit të kryer me kontribut të qeverisë norvegjeze për rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemeve ekzistuese të ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza. Ndërsa pasditen e 31 dhjetorit, pak orë para ndërrimit të viteve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, çoi në Prokurori kryebashkiakun e Pogradecit (përfaqësues i Partisë Socialiste), dy nënkryetarët dhe tre drejtues të tjerë të kësaj bashkie, për shkelje flagrante të ligjit të Urbanistikës. Sipas KLSH, kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi, dhe vartësit e tij i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 46,411,128 lekësh. Në sajë të një kontroli të kryer në Bashkinë Pogradec, KLSH konstatoi leje të paligjshme dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
Redaksia Online
(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)