KLSH: 122 monumente të rrënuara, po aq në risk! Ministrja: E vërteta për heqjen e statusit e restaurimet e gabuara! Nëse lista përditësohet, lajmi bombastik

Për mbrojtjen e vlerave shpirtërore, materiale dhe identitare, Kontrolli i Lartë i Shtetit shqyrtoi në fundvitin që lamë pas çka ndodh me “Mbrojtjen dhe Administrimin e Monumenteve të Kulturës”. Janë probleme sociale, urbane, pronësie, mungese profesionalizmi, faktorët që rendit KLSH në raportin e posaçëm, që sot në Shqipëri, ka 122 monumente kulture më pak. E pyetur nga Report Tv, ministrja Elva Margariti tenton të shpjegojë situatën, edhe lidhur me ato objekte të cilave u i është hequr statusi si monument.

“Veçmas në pjesën e Veriut, nga çfarë më rezulton, nga një hulumtim konstant që bëjmë edhe me drejtoritë rajonale të trashëgimisë në territor, ka objekte që mund të jenë shpallur si monumente prej viteve ’60, ’70, kulla që nuk ekzistojnë më prej vitesh. Ne e kemi filluar me grupin e Institutit të Monumenteve dokumentimin faktik në disa zona. Do të ishte e udhës të bëhej një përditësim real, por jam e bindur që lajmi më bombastik në ato momente, do të ishte ‘hiqen 100 monumente brenda ditës’. Ndërsa, ajo që ju quani heqja e statusit, në aspektet tona burokratike është humbja e interesit publik të objektit për tu quajtur monument. Nga ana jonë ka pasur tej mase, shumë pak raste, të cilat vijnë kryesisht edhe nga vetë pronarët e objektit, të cilët kanë patjetër nevojën për të jetuar në atë objekt, që shpesh herë rastet e emergjencave civile kur godina është në aspekt kaq të degraduar saqë, edhe vetë restaurimi dhe konsolidimi nuk është më i mundur”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Në këqyrjen që KLSH bën për vitet 2019-2021, konkludon se 122 monumente të tjera janë plotësisht të shkatërruara e 884 që kanë nevojë për restaurim, po ashtu ka 98 objekte të tjetërsuara e 15 pa kartelë. Për mirëmbajtjen e tyre, problemet i gjen tek financimi i pamjaftueshëm buxhetor, mungesa e harmonizimit të politikave mes Ministrisë së Kulturës e  institucioneve të tjera në nivel qendror dhe vendor.

Gjatë tri viteve të fundit ndërhyrjet restauruese dhe mirëmbajtëse në monumentet e kulturës kanë vijuar. Në vitin 2019 raportohen t’i jenë nënshtruar këtyre proceseve 109 objekte, në vitin 2020, 218 të tjera, ndërsa në vitin 2021 numërohen 115 objekte, por cilat do të kenë në vijim prioritet?

“Kemi një plan mirëmbajtje, i shpërndarë sipas një liste prioritare, liste emergjence, dhe më pas me një list tjetër, që lidhet me mirëmbajtjen e vetë drejtorive rajonale në territor. Dhe të mos harrojmë, që nisma më e fundit, ajo e bonusit të rijetësimit, i ka dhënë një shtysë të madhe restaurimit dhe rijetësimit”, shton më tej Margariti.

Edhe sa i përket proceseve restauruese, ka pasur denoncime publike për ndërhyrje të gabuara. Disa raste ka evidentuar Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, përfshirë edhe Xhaminë e Pazarit.

“Patjetër, që shpeshherë duhet një sy shumë më vigjilent, sidomos përsa i përket përzgjedhjes së materialeve, jo vetëm në kompozimin arkitektonik ndërhyrës, sepse ato janë projekte të miratuara në Këshillin tonë Kombëtar të Trashëgimisë... Kështu që çdo ndryshim nga projekti është si një leje e parespektuar”, u shpreh Margariti, duke theksuar se Ministria e Kulturës, është e hapur ndaj kritikave që synojnë përmirësimin e mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve restauruese.

Parë situatën, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka rekomanduar, ngritjen e një grupi pune, për analizimin e shkaqeve dhe gjetje të zgjidhjeve konkrete.
 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi