Klubi i Futbollit Skënderbeu ka reaguar pas anulimit të ndeshjes kundër Ilirisë, e projektuar për të mërkurën e 3 dhjetorit në Fushë-Krujë. Ilirjan Përmeti, shefi i klubit korçar ka sqaruar se 4-5 futbollistë të Skënderbeu kishin shenja dhune në trup dhe pas tronditjes psikologjike ishte e pamundur të luhej.
Përplasja ndodhi në dhomat e zhveshjes sapo korçarët u futën në stadiumin 'Redi Maloku' të Fushë-Krujës, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit anuloi takimin. Sipas policisë, dy futbollistë të Ilirisë dhe një prej zyrtarëve po hetohen në gjendje të lirë për incidentet.
“Nuk jam këtu për të replikuar me klubin Iliria, por për të sensibilizuar opinionin sportiv dhe çdo tifoz të qytetit të Korçës. Ne nuk duam të dëmtojmë asnjë klub. Këtë e kemi treguar me fakte dhe jemi përpjekur të tregohemi tolerantë. Ne nuk abuzojmë me askënd.
Përplasja? I gjithë stafi ynë ishte aty. Ekipi hyri në dhomat e zhveshjes dhe aty ndodhi një përplasje fizike. Kjo është e vërtetueshme, pasi 4-5 lojtarë tanë kishin shenja në trup. Nëse kamerat kanë qenë funksionale, gjithçka verifikohet lehtë”, tha Përmeti.
Sipas tij, kjo ndeshje nuk mund të vijonte për shkak të ngjarjes dhe presionit psikologjik në ekip.
“Pretendimi i tyre ishte se kishte provokim nga ana e trajnerit, por e vërteta është se lojtarët tanë kishin shenja. Në ato kushte, me tensionin dhe frikën që ishte krijuar, zhvillimi i ndeshjes ishte i pamundur", tha shefi i klubit korçar.
Tanimë do jenë komisionet disiplinore në FSHF ato që do vendosin për fatet e këtij takimi. Nuk përjashtohet mundësia që korçarët të marrin tri pikë në tavolinë, pasi Iliria si klubi organizator nuk plotësoi kushtet e sigurisë.
Komente









