TIRANE - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, përmes një komunikate për shtyp i është drejtuar të gjithë opinionit publik që të distancohen nga islamofobia që sipas KMSH-së kohët e fundit është gjithnjë në rritje.

Sipas KMSH gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit fetar ndaj secilit besim në Shqipëri, është një goditje  ndaj themeleve  të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, që siç thekson komuniteti myslimane cila mbetet një nga karakteristikat më të vlerësuara nga ndërkombëtarët.

Duke vijuar më tej, KMSH thekson se bashkëjetesa dhe toleranca fetare është një vlerë e Shqipërisë, e punuar bashkarisht me durim e përkushtim nga të gjitha besimet fetare në vend.

MË POSHTË KOMUNIKATA E PLOTË PËR SHTYP E KOMUNITETIT MYSLIMAN

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vëren me keqardhje që ditët e fundit është shtuar ndjeshëm gjuha e urrejtjes dhe islamofobisë nga individë të ndryshëm, të cilët herë me emra realë e herë të fshehur pas pseudonimeve të ndryshme, e kanë shprehur këtë haptazi në rrjetet sociale, por edhe në organet e masmedias.

Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit fetar ndaj secilit besim në Shqipëri është njëkohësisht goditje ndaj themeleve  të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, për të cilën krenohemi të gjithë në sytë e botës.  Këto vlera natyrisht që së bashku me bukurinë e tyre ruajnë edhe amanetin e vijushmërisë,  duhet të ruhen e trajtohen me delikatesë e
respekt.

Të gjitha bashkësitë fetare në vend, kanë punuar bashkarisht me durim e përkushtim për të kultivuar harmoninë dhe bashkëjetesën e për ti bërë këto një vlerë të shtuar të identitetit tonë kombëtar.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u bën thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme dhe gjuhës së urrejtjes që amplifikohen përmes rrjeteve sociale apo organeve mediatike dhe të jenë të vetëpërmbajtur në reagimet e tyre, sikurse na këshillon edhe feja Islame.

Gjithashtu u bëjmë apel edhe të gjithë moderatorëve të rrjeteve sociale dhe drejtuesve të redaksive në media, që të tregohen të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm në publikimet e tyre, që të mos lëndojnë ndjeshmëritë e besimtarëve të asnjërës bashkësi fetare.

KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)