Deputeti i Partisë Socialsite në Komisionin e Ekonomisë ka komentuar gjatë një interviste për gazetën "Shqiptarja.com" aferën e ashtuquajtur korruptive të ministrisë së Financave. Sipas tij, ardhja e PS në pushtet do të revokojë të gjitha licensat duke mos shkaktuar një dëm ekonomik.

Qeveria është në fazën e parë të tenderimit të licencës së Lotarisë Kombëtare. Si e gjykoni ju këtë proces dhe çmimin 3.5 mln euro?
Ky proces nuk ndryshon shumë me proceset e tjera të privatizimit apo ato koncesionare, ku dëmtohet publiku dhe përfiton pushteti dhe klientët e tij. Privatizimet e ARMO-s, OSSH apo së fundmi privatizimi që po i bëhet shoqërisë "Albpetrol", koncensioni i pullave fiskale, ankandet dhe privatizimet e përditshme janë shembuj që tregojnë se si kjo qeveri e korruptuar dëmton interesin publik. Procesi i tenderimit të Lotarisë Kombëtare është tërësisht kriminal, kundër interesit publik, me shkelje të rënda ku procedura për konkurrimin është ndërtuar në një mënyrë të tillë që fituesi të jetë i parashikuar pa filluar tenderi. Skandali shtohet më tej, edhe nga letra që i është drejtuar Kryeministrit dhe Ministrit të Financave nga kompanitë e interesuara, të cilët kërkojnë që të mos ndalohen të marrin pjesë në konkurim duke përjashtuar të gjitha kompanitë e afta dhe me eksperiencë në këtë industri si dhe çmimi që do të ofrojnë do të jetë disa herë më i madh se tarifa e propozuar nga Ministria e Financave prej 3.5 milionë euro. Ata kërkojnë një proces të drejtë dhe transparent. Ndryshe nga çdo procedurë, kur shitet një e drejtë publike, në kriteret e vlerësimit nuk është vendosur çmimi i shitjes. Kompanitë ofrojnë më shumë para për t'ja dhënë shtetit shqiptar, ndërsa Sali Berisha dhe Ridvan Bode me buxhet të boshatisur nga keq-qeverisja, pranojnë ofertën e një kompanie, kliente e pushtetit, që ofron shumë pak të ardhura. Por skandali i qeverisë vazhdon me detyrimet që duhet të paguajë kompania fituese shtetit shqiptar, pra publikut. Vetëm 10%. Është qesharake por dhe e turpshme, që Ministria e Financave dhe deputetë që përdorin foltoren e parlamentit për të gënjyer publikun deklarojnë se do të arkëtohen në buxhet nga kompania edhe 20% TVSH e ndonjë pallavër tjetër, kur dihet mirë që TVSH e paguan qytetari, që blen biletën. PS kur të vij në pushtet do ta revokojë këtë licensë, si do të rishikojë të gjithë privatizimet korruptive që kanë dëmtuar interesin publik. Ne do ia rikthejmë Lotarinë Kombëtare qytetarëve, siç ndodh në çdo vend europian, edhe në Austri, ku operatori merr pjesën minimale të fitimit dhe publikut i rikthehen 80% dhe 90% të fitimit për politika sociale, të rinisë e të sportit.

Nëse ju do e revokoni, kompania do ju padisë në Gjykatën e Arbitrazhit. Sa dëm ekonomik i shkakton buxhetit, pasi duhet të dëmshpërblehet kompania fituese?
Kjo pyetje është e drejtë pasi kjo qeveri ka me dhjetra gjyqe me kompani të huaja në Gjykatat e Arbitrazhit, që po kërkojnë dëmshpërblim për mos-zbatim të kontratave, lejeve koncesionare apo dhe prishje të kontratave si rasti me "General Electric", ku shtetit shqiptar dhe qytetarëve u kushtoi 14 milionë euro dhe askush deri tani nuk ka mbajtur përgjegjësi. Ne do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat ligjore dhe fiskale, që jo vetëm nuk do i shkaktojmë dëm buxhetit të shtetit nga veprimet korruptive të qeverisë së sotme, por do të ofrojmë nga kjo e drejtë publike përfitime të prekshme për qytetarin. Kjo jo vetëm për Lotarinë Kombëtare, por ne do të zhbëjmë të gjitha privatizimet dhe koncensionet ku është dëmtuar interesi i qytetarëve.

"Standard & Poor's" e vlerësoi Shqipërinë pak ditë më parë si stabël, por vuri theksin tek borxhi dhe kreditë e këqija. Si e shihni këtë raport?
Agjencia Botërore e vlerësimit "Standard&Poor's", por së fundmi dhe "Moody's", kanë rikonfirmuar vlerësimin B+, për ekonominë shqiptare. Nga të dy agjensitë ky vlerësim përkufizohet që situata financiare ndryshon në mënyrë të dukshme dhe ambienti ekonomik është spekulativ. Investimi në vendin tonë ende konsiderohet me një risk të lartë dhe në të cilat nuk është e këshillueshme të kryhen investime. Ne jemi shumë afër ekonomive që karakterizohen nga risku i lartë dhe pa perspektiva për ndryshime pozitive në të ardhmen e afërt. Por, ka dhe një problem tjetër mbi këto vlerësime. Të dhënat që janë përpunuar nga këto dy agjenci për të bërë vlerësimin janë marrë nga të dhënat statistikore që ka paraqitur Ministria e Financave, BSH dhe INSTAT-i, të dhëna që ne kemi paraqitur objeksionet tona që janë të manipuluara. Greqia e kishte vlerësimin AAA, vlerësimi më i lartë dhe pa risk për investitorët, para fillimit të krizës dhe të dhënat që paraqiste qeveria greke ishin të manipuluara. Sot Greqia është në pikiat. Edhe në vendin tonë situata është shumë më kritike nga ç'paraqitet, dhe këtë e prek çdo ditë qytetari shqiptar dhe biznesi që po lëngon.

PS-ja është deklaruar 'pro' një takse progresive. Pse mendoni që kjo formë është e përshtatshme për Shqipërinë?
Kjo nuk është një aksiome ekonomike që e ka shpikur PS-ja, por mbizotëron kudo në botën demokratike dhe me ekonomi të hapur vepron taksa progresive. Franca, djepi i demokracisë, po vendos taksën 75% për ata që fitojnë më shumë se 1 milion euro, në SHBA vazhdon debati që duhet të thellohet më shumë taksa progrsive dhe shkallët e saj. Kush fiton më shumë patjetër që duhet të paguajë më shumë, dhe kush fiton më pak duhet të paguajë më pak. Kjo është forma që shpërndan në mënyrë të drejtë dhe të ndershme të ardhurat, për të ndihmuar shtresat në nevojë, por dhe për të rritur konsumin që në efekt zinxhir rrisin të ardhurat e biznesit. Nuk është e drejtë që pastruesja, shoferi, punëtori i thjeshtë të paguajë më shumë taksa se kryeministri i vendit. Sistemi fiskal i sotëm rrit pabarazinë, kështu vetëm 50 kompani fitojnë sa fitojnë 9 500 kompani të tjera dhe 5 % e popullsisë zotëron 60% të depozitave. Kjo është e padrejtë. Politikat tona fiskale do ta ndryshojnë këtë pabarazi, ato janë të orientuara drejt qytetarit për të rritur mirëqenien e tyre.

Konsumi në vend vijon të mbetet i ulët e po kështu shpenzimet e qeverisë. A mendoni që do kemi rritjen mbi 4.3 për qind që priste qeveria?
Është i katërti vit që konsumi real i familjeve shqiptare vjen duke u ulur, shpenzimet e qeverisë që shkojnë te publiku po ashtu. Vendi ynë është në krizë të thellë ekonomike dhe sociale. Kudo shikon varfëri dhe papunësi, kudo do të përballesh me njerëz të ndershëm por të pashpresë që nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim për familjet e tyre, ndryshe nga çfarë deklaron qeveria. Eurostat, institucioni më i besueshëm statistikor në Europë, në raportin vjetor për vitin 2011, publikon që ne jemi vendi më i varfër në Europë dhe konsumojmë më pak produkte për ushqim se çdo vend tjetër në këtë kontinent. E ardhmja duket shumë pesimiste. Për më tepër, edhe me të dhënat që ka paraqitur qeveria agjensisë Standard &Poor's, parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 1.5 për qind këtë vit, që është 3 herë më i ulët se çfarë parashikoi qeveria shqiptare në fillim të vitit. Realisht jo vetëm për këtë vit ne nuk do të kemi rritje ekono- mike, edhe pse qeveria nëpërmjet INSTAT-it do të manipulojë shifrat për të treguar "sukseset" e kësaj qeverie të dështuar e të korruptuar, por do të rritet dhe pabarazia midis shtresave ku pushteti dhe klientët e saj do të përfitojnë dhe familjet e zakonshme do të varfërohen më tej.

(fc/shqiptarja.com)