Z. Koçi, Nano i rikthehet synimit te tij për të qenë president i Republikes. Si e shikoni?
Një akt i pritshëm. Duket sikur presidenca është kthyer në obsesion të zotit Nano. Gjykoj që ka shanse të pakta. Sepse nëse do imponohej nga jashtë një president konsensual , atëherë palët do gjenin marrëveshje në figura jo politike, ose në përfaqësues politikë të një rangu të mesëm. Kryepolitikanët shqiptarë preferojnë përgjithësisht statura të ulëta rrotull dhe afër tyre. Sidomos në institucione të rëndësishme ata nuk preferojnë personalitete imponuese që mund ti lënë të parët në hije. Nga ana tjetër gjykoj që zoti Nano nuk po ofron një vizion të ri kushtetues mbi palët. Sado i fuqishëm në personalitet të jetë Presidenti i ri , do të jetë e pamundur të hiqet Shqipëria nga harta e krizave të brendshme sa kohë kemi në fuqi Kushtetutën aktuale dhe Kodin aktual Zgjedhor. Zoti Nano nuk ka një projekt në këtë drejtim themelor të shpëtimit të vendit nga krizat dhe korrupsioni. Në fund mund të them se ndërrimi i Presidentit nuk ka peshë përcaktuese në përmirësimin e qeverisjes së vendit sesa vetë ndërrimi i mazhorancës parlamentare. Sidoqoftë nëse peshojmë emrat e përfolur , atëherë unë do preferoja Nanon para Topallit. S’besoj se do zgjidhe as njëri as tjetra.
Nano shprehu dje ofertën për të qenë ai kandidati i mbështetur nga dy palët politike?
Më duket e vështirë për tu realizuar paraprakisht. Duhet së pari të kemi një marrëveshje ndërpartiake në Kuvend për një proces konsensual dhe parametra konsensualë për procedurën dhe staturën e Presidentit të ri. Sa kohë kjo marrëveshje është larg vështirë të shpresohet në një mbështetje personale të kandidatit Nano nga të dyja palët. Përndryshe do dukej se acarimi qeveri-opozitë qenkësh një teatër. Unë gjykoj se vendit i duhet një zgjidhje e pjekur në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Një zgjidhje larg banalitetit turpërues të procesit të votimit për anëtarin e ri të KLD, ku parlamenti u shndrrua në një qendër votimi të një rrethine rurale, ku zgjidhet kryeplaku i fshatit. Fatkeqësisht shpresa për zgjidhje qytetare dhe të pjekur varet vetëm nga presioni ndërkombëtar dhe jo nga ndërgjegjja politike e politikanëve tanë.
Sa mbështetje ka Nano në Partine Socialiste, pas asaj që ndodhi në vitin 2007?
Për Nanon ka simpati publike, por kjo nuk do të thotë se mund të përkthehet në vota. Misionet dhe misionarët kanë kohën e vet. Nano është përtej misionit historik që ka luajtur me sukses në drejtim të PSSH dhe qeverisjes socialiste. Nga ana tjetër ka ngjarje si ajo e 21 Janarit apo zgjedhjet e 8 Majit për të cilat Nano nuk është në të njëjtën valë gjykimi si socialistët. Kjo ja vështirëson progresin në simpatinë që ai gëzon normalisht edhe brenda radhëve socialiste. 2007-a është harruar tashmë edhe sepse Presidenti Topi në përplasjet me Kryeministrin e ka justifikuar pak Nanon dhe votuesit socialistë të Topit.
Duke iu referuar deklaratave të djeshme të ish-kryeministrit, çfarë mendoni se po ndryshon në marrëdhënien e Nanos me Edi Ramen?
Rama ka dëshmuar pjekuri në trajtimin e kandidimit të Nanos për presidencën e vendit. Nuk po përsërit gabimin taktik të 2007-ës kur u kthye në faktor destruktiv ndaj shanseve të opozitës për të fituar presidencën. besoj lexuesve tuaj iu kujtohet kandidatura konsensuale e ardhur nga Ushtria dhe pastaj ajo e Neritan Cekës. Rama e ka pranuar si normalitet politik vetëkandidimin e Nanos, por s’ka marrë përsipër detyrime që bien ndesh me përpjekjet për proces konsensual zgjedhor të Presidentit. Nano nga ana e tij ka ulur ndjeshëm tonet kritike ndaj PS dhe vetë Ramës. Natyrisht të gjitha këto ndërsjellje të reja janë taktike, por pozitive.
Cilat janë opsionet tuaja për reformën zgjedhore?
Reforma Zgjedhore është më e rëndësishme se zgjedhja e Presidentit. Sistemi aktual ua ka vjedhur pushtetin politik qytetarëve në zgjedhjet parlamentare dhe ka siguruar pazarin e politikanëve. Sistemi është përjashtues deri në përmasa të rrezikshme për pluralizmin dhe garanton mbijetesën e mazhorancave vetëm mbi shitblerjet e deputetëve. Duhet rrëzuar me themel. Në pamundësi të kësaj atëherë mbetet korrigjimi nëpërmjet llogaritjes edhe kombëtare të votave, lejimit të nënkoalicioneve në llogaritjen e mandateve përfaqësuese, lejimin e listave të përbashkëta etj. Ka disa formula që zbusin efektin përjashtues të përfaqësimit të mijëra qytetarëve që votojnë ndryshe nga PS e PD. Partia jonë do luftojë fort kundër këtij sistemi në fuqi ,por jo kundër PS,së , e cila mbetet haptazi e gatshme për ta korrigjuar sistemin zgjedhor. ndryshe nga PD që kundër interesave të shqiptarëve do të ruajë statusquonë e këtij sistemi monopolist.
(aq/im/shqiptarja.com)